Bedri Nika: Për shkak të politikbërjes së keqe po vonohemi drejt integrimit euro-atlantik

Politika

Bedri Nika: Për shkak të politikbërjes së keqe po vonohemi drejt integrimit euro-atlantik

Nga: N.Sh Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 20:18
Bedri Nika

Kryetari i degës së LDK-së, në Drenas, Bedri Nika thotë se, diplomacia e Kosovës, sidomos në këtë Qeverinë e fundit, nuk e ka treguar efikasitetin e saj.

“Pas shumë ngecjeve që kanë ndodhur për Kosovën që të ecë në rrugën evropiane dhe të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, nga mos lobimi i duhur apo shumë i dobët që kanë zhvilluar politikanët-diplomatët tanë, kritikat ndaj BE-së janë joserioze duke treguar kështu se në çfarë niveli ka rënë politikbërja në Kosovë”, thekson Nika për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, kritikat e vazhdueshme ndaj Bashkimit Evropian prej diplomacisë tonë, për mos liberalizim të vizave apo mos anëtarësim në organizatat ndërkombëtare janë çmenduri e llojit të vet.

“Kjo është një çmenduri e politikanëve tanë, sidomos atyre që po na përfaqësojnë në dialogun me Serbinë në Bruksel apo edhe atyre të cilët janë kinse duke lobuar për Kosovën. Të kritikosh BE-në, për mos punën e tyre, për mos plotësimin e kritereve të cilat ishin kusht nga BE-ja për liberalizim, fajet janë tek institucionet tona, sidomos ato të drejtësisë të cilat lënë shumë për të dëshiruar. Andaj, vlerësoj se kritikat ndaj BE-së janë të pabaza, të cilat përveç dëmit që mund të na sjellin neve si shtet asnjë dobi nuk e kemi prej tyre”, pohon Nika.

Kreu i LDK-së në Drenas thekson se, Bashkimi Evropian, për të pranuar dikë në familjen e vet, i ka kriteret e saj të cilat patjetër duhet të plotësohen, deshëm apo jo.

“Prandaj duhet që me punën e tyre të dalin para BE-së me fakte, në të kundërtën, me kritika të ashpra ndaj BE-së për mos liberalizim vetëm sa mund të vonohemi në rrugën tonë drejt integrimit euro-atlantik”, përfundon Bedri Nika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat