Profesori ndërkombëtar tregon pse shtetet islamike janë kundër Kosovës

Politika

Profesori ndërkombëtar tregon pse shtetet islamike janë kundër Kosovës

Nga: G.B Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 11:52
Shetet Islamike

Kosova ka dështuar sërish të anëtarësohet në organizatën botërore të sigurisë, Interpol. Kundër Kosovës kanë votuar shumë shtete islamike e kështu kundër kanë votuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Por, pse Kosova nuk po e ka përkrahjen e shteteve islamike për anëtarësim në këto organizata?

Lidhjet e ngushta të vendeve islamike me Rusinë, Indinë dhe Kinën dhe distanca me ShBA-në

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se shumë prej shteteve islamike nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo ka ndodhur për shkak të lidhjeve të ngushta që kanë me Rusinë, Indinë dhe Kinën.

Image
Enver Bytyçi

“Në agjendën ndërkombëtare të Kosovës duket qartë se shtetet islamike janë të rezervuara sa i takon mbështetjes që ato i japin shtetit më të ri në Evropë. Shumë prej këtyre vendeve nuk e kanë njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të lidhjeve të ngushta që ato kanë me Rusinë, Indinë dhe Kinën dhe distancës që ruajnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra mosnjohja është më së shumti pasojë e aleancave gjeopolitike. Kjo ndodhë me Iranin p.sh. Por edhe me vende të tjera islamike. Megjithatë tërheq vëmendjen fakti që shtetet islamike nuk japin mbështetje aktive për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kjo ndodhi së fundmi me votimin për INTERPOL, por kishte ndodhur më parë edhe për pranimin e Kosovës në UNESCO”, është shprehur ai.

Bytyçi ka vlerësuar se janë disa arsye për këtë fenomen të kundërshtimit.

“Në këtë fenomen besoj se ka shumë shkaqe, shumë arsye: Së pari, Serbia shihet ende me imazhin e shtetit lider në atë që dikur quhej Organizata e të Pangazhuarve, organizatë të cilën e inicoi ish-udhëheqësi komunist jugosllav Josiph Broz Tito. Titon po e shfrytëzon ende Beogradi si simbol të një roli që akoma Vuçiq e predikon si lidership në këto vende. Presidenti i Serbisë i është falënderuar disa herë këtij fakti. Pra, miqësitë e vjetra shfrytëzohen ende me mjeshtri. Po kështu ndodh në marrëdhëniet e Serbisë me Kinën. Gjeo politikisht Serbia nuk ka asnjë përparësi më shumë se Shqipëria që të lidhet me Kinën. Por, ndërsa Shqipëria qëndron indiferente, Serbia është aktive dhe e ruan koherencën e marrëdhënieve të dikurshme me Pekinin”, ka theksuar profesori.

Bytyçi: Vota e një vendi islamik është e vlefshme njëlloj si vota e një anëtari të Këshillit të Sigurimit

Si arsye tjetër ai e sheh marrëdhëniet e ftohta në mes të Kosovës me Organizatën Islamike, duke thënë se ne jemi vetëcensurues.

“Së dyti, Marrëdhëniet e Kosovës me Organizatën Islamike kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të ftohta nga frika se mos Beogradi do të ketë sukses në fushatën e tij antishqiptare me rrezikun islamist të Kosovës. Ka njëlloj paragjykimi ideologjik, sipas të cilit "Ne i përkasim një civilizimi tjetër e jo atij islamik", sikur diplomacia aktive për të pasur mbështetjen e këtyre vendeve po e kërcënon civilizimin e shoqërisë dhe politikës së Kosovës. Ne shqiptarët jemi vetëcensurues. Madje jemi mjeshtër të vetëcensurimit, sepse diktaturat na kanë mësuar të bëhemi mjeshtër të tillë. Këtë e bëjmë edhe në marrëdhëniet diplomatike me vendet islamike. Dhe harrojmë se vota e një vendi islamik është e vlefshme njëlloj si vota e një anëtari të Këshillit të Sigurimit”, ka vlerësuar Bytyçi.

Sipas tij, ky fenomen ndodh dhe për shkak se politika e Kosovës është e orientuar nga partitizmi, nga servilizmi në sjelljet ndërkombëtare.

“Së treti, politika në Prishtinë është e orientuar nga partitizmi, nga servilizmi në sjelljet ndërkombëtare. P.sh presidenti i Kosovës solidarizohet me zotin Trump për ta dërguar përfaqësinë e Kosovës në Jeruzalem. Dhe e bën këtë thjesht për të përfituar mbështetjen e presidentit amerikan, madje për një foto me këtë president. Jam shumë i bindur se nëse i shpjegohet SHBA-ve qëndrimi i kundërt me këtë, ato do të mirëkuptoheshin, sepse interesi amerikan nuk është konflikti i Kosovës me vendet islamike, por mbështetja e tyre për Kosovën. Ka politikanë në Prishtinë që mendojnë për interesat vetjake dhe nuk ua ndien për interesat e Kosovës. Në këtë rast secili rend të hiqet si modern, ndërkohë që kanë ndërtuar një shoqëri dhe politikë shtetërore primitive”, është shprehur Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ekuilibrat politik i ruan një diplomaci aktive

Më pas, ai ka shtuar se, ka një dualizëm në mes të ministrit të jashtëm dhe atij për integrime, duke mos pasur  vizion të njëjtë për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë.

“Së katërti, më duket se në diplomacinë e Kosovës ka një lloj protagonizmi personal, madje dhe një lloj dualizmi. P.sh ministri i Jashtëm dhe zv. kryeministri i ngarkuar për politikën e Jashtme dhe integrimin kanë agjenda të ndara, jo të koordinuara. Kjo për shkak se nuk kanë të njëjtin vizion për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë. Për pasojë shfaqet fenomeni i Penelopës. Çfarë ndërton njëri ditën, e prish tjetri natën. Kjo reflektohet edhe në marrëdhëniet me vendet islamike, me të cilat shoh se është ndërtuar një diplomaci e interesit personal dhe jo vetëm”, ka thënë ai.

Dhe së fundmi, sipas profesorit, është fakti se në vendet islamike është njohur fakti se islamizmi në Kosovë është një lloj islamizmi evropian, andaj ai thotë se diplomacia e Kosovës duhet të jetë shumë më e përgjegjshme dhe më e matur dhe të ketë ekspertizë dhe vendimmarrje të gjerë.

“Së fundi, në vendet islamike është i njohur fakti se islamizmi në Kosovë është një lloj islamizmi evropian. Krijimi këtij stereotipi është burim interpretimesh sidomos te qeveritë radikale islamike të shteteve të këtij besimi. Në këto shtete penetron lehtë skepticizmi, aq më tepër kur kjo përshtypje propagandohet në fshehtësi nga ana e Beogradit. Për të gjithë këtë arsye gjykoj se diplomacia e Kosovës duhet të jetë shumë më e përgjegjshme dhe më e matur. Sigurisht që nuk është e lehtë, sepse keqkuptimet dhe keqinterpretimet në diplomaci dhe politikën e jashtme janë gjithnjë prezent. Por, pikërisht për këtë arsye diplomacia e Kosovës duhet të bëhet me ekspertizë dhe me vendimmarrje të gjerë. Ekuilibrat politik i ruan një diplomaci aktive, e zgjuar dhe e balancuar”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat