Heshtja e rrezikshme e presidentit për taksën dhe plani Rama-Thaçi-Vuçiq

Politika

Heshtja e rrezikshme e presidentit për taksën dhe plani Rama-Thaçi-Vuçiq

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 25 nëntor 2018 Në ora: 11:33
Thaçi-Vuçiq-Rama

Po bëhen disa ditë që kur qeveria e Kosovës vendosi taksë prej 100% për mallrat serbe dhe të bosnjës që futen në tregun e Kosovës përmes pikave doganore. Këtë vendim e mbështetën shumica e skenës politike dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Por, Hashim Thaçi si president i Kosovës, nuk dha asnjë koment lidhur me këtë, ani pse ai ishte deklaruar më herët kur taksa e vendosur ishte 10%.

Atë taksë, presidenti Thaçi e kishte quajtur si rrezik dhe distancim nga “paqja” mes Kosovës dhe Serbisë, duke treguar haptasi se është kundër asaj takse. Por, për taksën 100% ai nuk dha asnjë koment të vetëm, përkundër deklaratave mbështetëse të ish partiakëve të tij për këtë taksë, shkruan “Bota sot”.

Gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje me shkrim në zyrën e presidentit për t’u informuar më shumë për këtë heshtje të Thaçit dhe për të kërkuar mendimin e presidentit për taksën, mirëpo ata prapë kanë zgjedhur heshtjen për këto pyetjeve.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se heshtja e Thaçit për taksën, është një mbështetje dhe solidarizim për Serbinë dhe fshehje e marazit dhe inatit kundër qeverisë së Kosovës.

Image
Prof. Enver Bytyçi

“Presidenti i Kosovës deri më tani ka hesht sa i përket taksës 100 për qind të qeverisë për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Por, nuk pati hesht për vendosjen e taksës 10% për këto mallra. Ai atëherë u shpreh kundër taksës dhe foli për “paqe”, “dialog”, “integrim”, ndërkohë që këto këshilla nuk ia dha asnjëherë publikisht homologut të tij serb, edhe pse qeveria e Beogradit bën obstruksion permanentë kundër Kosovës dhe prish çdo ditë rregullat e paqes, dialogut dhe bashkëpunimit. Heshtja e tanishme e tij është në fakt mbështetje për Serbinë dhe fshehje e marazit dhe inatit kundër qeverisë së Kosovës. Me siguri që Thaçi nuk ka përkrahjen e anëtarëve të qeverisë, të cilët janë pjesë e qeverisë, se ndryshe nuk do ta kish lejuar marrjen e atij vendimi”, është shprehur ai.

Bytyçi mendon se presidenti Thaçi ka ndikim vetëm te ministri Pacolli, ndërsa thotë se Kadri Veseli ia ka kthyer shpinën dhe nuk qëndron në të njëjtën vijë të qëndrimeve me Thaçin.

“Duket se vetëm te Pacolli ka ndikim presidenti i vendit, po të kemi parasysh se Pacolli po lodhet ta pajtojë Thaçin e Haradinajn. Dhe po të kemi parasysh se ky pajtim quhet i suksesshëm kur Haradinaj t’i nënshtrohet vullnetit të Thaçit për ndarjen e Kosovës, kuptohet se anën e kujt mban zoti Pacolli! Ndërkohë Kadri Veseli në mënyrën e vet ka dhënë të kuptojë se e mbështet plotësisht vendimin e qeverisë së Kosovës për taksën 10 e 100% ndaj mallrave me origjinë Serbinë dhe BH, të cilat hyjnë në Kosovë. Kadri Veseli dhe ministrat e Partisë Demokratike në qeveri dëshmuan përgjegjshmëri, vendosmëri, përgjegjësi për fatin e Kosovës sepse vendimi për taksën është kundërmasë për ndarjen e Kosovës. Ky akt është për t’u përshëndetur. Deri më sot vazhdoj të besoj se Kadri Veseli nuk është si Thaçi në raportet që ata kanë krijuar në diskutimet e fundit për proceset në Kosovë. Nuk dua të besoj se Kadri Veseli është argat i Beogradit në Prishtinë siç është zoti Thaçi. Zoti Veseli u shpreh hapur pro vendimit të qeverisë dhe kërkoi që Kosova të dëshmojë se është shtet Sovran dhe i pavarur”, ka thënë Bytyçi.

Profesori ka treguar edhe mendimin e tij sa i përket çështjes të mos mbështetjes së qeverisë Shqipërisë ndaj kësaj takse të Kosovës, duke thënë se Thaçi është një njeri që aktivizohet kur Beogradi ka nevojë, mirëpo kësaj radhe është aktivizuar Edi Rama nga Shqipëria, pasi sipas Bytyçit, Vuçiq nuk lejon që “asi” i tij (Hashim Thaçi) të humbas me deklarimet e tij kundër kësaj takse, pasi siç thotë ai, atij do t’i humb e gjithë mbështetja e Kosovës.

“Nuk e ka thënë dhe as mos presim që këtë deklaratë ta bëjë Thaçi apo Edi Rama. Ky i fundit dërgoi në Beograd ministrin e tij të ekonomisë dhe financave për t’u solidarizuar me qeverinë serbë kundër taksës së qeverisë Haradinaj. Thaçi bën sehir. Kur i duhet Vuçiqit aktivizohet Thaçi në Prishtinë, në rastin tjetër aktivizohet Rama në Tiranë. Taksën Thaçi nuk guxon ta kritikojë, sepse nuk e lejon Vuçiqi. Nëse do ta lejonte ta bënte këtë, atëherë atij do t’i digjej asi i vetëm që i ka mbet në Prishtinë, pra presidenti i Kosovës. Prandaj dhe ka fut në lojë Edi Ramën me qëllim që Tirana zyrtare të qortojë Prishtinën për këtë taksë dhe presidenti serb t’i thotë botës se “E shikoni, edhe Tirana është kundër taksës së Prishtinës”. Prandaj dhe kam të drejtë kur unë qeverinë e Kosovës e konsideroj si qeveri “barbare”! Vuçiqi e përsëriti dje disa herë këtë lloj “barbarizmi” dhe e prezantoi veten si pjesë të civilizimit. Edi Rama po luan të njëjtin rol, duke ia dhënë Beogradit një armë të re “Prishtinën e sundojnë barbarët”! As Rama dhe as Vuçiqi nuk e kanë etiketuar Milosheviçin si barbar për qindra mijë viktima që u shkaktoi popujve të Jugosllavisë. Ndërkaq e konsiderojnë si “barbarizëm” një masë mbrojtëse nga proteksionizmi serb! Absurde! Këtyre etiketimeve duhej t’u përgjigjej presidenti I shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ta mbronte qeverinë e vendit të tij nga diversion serb! Por nuk e bëri as nuk do ta bëjë kurrë. Thaçi do të duhej t’ia tregonte vendin edhe Tiranës së Edi Ramës, por as këtë nuk ka për ta bërë kurrë. Sepse presidenti I Kosovës është kundër taksës ndaj mallrave serbe. Sepse ai është njësh në politikat diversioniste të Serbisë në Kosovë. Sepse ai i gëzohet suksesit të Beogradit dhe trishtohet nga qëndrimet parimore e të drejta të qeverisë së tij! Sepse ai ka marrë një rol destruktiv në dialogun me Serbinë dhe nëse Haradinaj, Kadri Veseli, Isa Mustafa dhe Albin Kurti nuk bëhen bashkë për ta ndalë, ai do të bëhet akoma në i rrezikshëm”, ka potencuar për “Bota sot” prof. Enver Bytyçi.

Ai bën thirrje që Kosova të ketë kujdes kur Serbia thërret për dialog dhe një konsensus të mundshëm, pasi sipas tij, pas çdo oferte për dialog nga Serbia, qëndron një përgatitje për masakrën e territorit të Kosovës.

“Me këtë rast dua të shënoj një kujtesë: Sa herë që qeveritë serbe kanë përgatitur thikën kundër Kosovës u janë drejtuar shqiptarëve me kërkesën për bashkëpunim dialog dhe bashkëveprim. Kështu bëri në vitin 1912 mbreti I Serbisë, Karaxhergjoviç. Të njëjtën gjë bënë serbët e Rankoviçit e të Titos nga nëntori I vitit 1941 e deri më 28 qershor 1948. Duke i shërbyer qeverisë shqiptare bashkëpunimin, masakruan mbi 30 mijë shqiptarë, madje e tërhiqen në këto masakra edhe shtetin e Tiranës, po të kemi parasysh masakrën e Tivarit. Sot pas taksës po e dëgjojmë Vuçiqin të flasë për civilizimin serb, me qëllim mbulimin e masakrave serbe në Kosovë. Po flet për dialog, madje dhe për “varrosjen” e planit të ndarjes së Kosovës e ndërkohë kur del nga vetja thërret me të madhe “Ujmanin nuk e lëshojmë”! Bëni kujdes ju lutem se kur Serbia ofron dialog ka përgatit masakrën territorial në Kosovë”, ka përfunduar Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat