Rama kërkon ta shpërblejë Vuçiqin me ndryshim të kufijve të Kosovës

Politika

Rama kërkon ta shpërblejë Vuçiqin me ndryshim të kufijve të Kosovës

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 26 nëntor 2018 Në ora: 21:34
Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama

Peja, ishte qyteti i radhës që i mblodhi bashkë dy qeveritë, atë të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Një numër i madh ministrash, zëvendës ministrash, këshilltarë politik u mblodhën në Pejë nën patronazhin e kryeministrit nikoqir, Ramush Haradinaj, për një takim për nder të 106 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës se “qenësia e normalizuar e Kosovës është çelësi i stabilizimit përfundimtar rajonal”.

Gjithashtu Kosova dhe Shqipëria janë pajtuar që brenda gjashtë muajve të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e romingut në kuadër të telekomunikimt si dhe të heqin tarifat doganore.

Këto ishin vetëm disa nga vendimet që u konfirmuan me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve dhe protokolleve në kuadër të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë të mbajtur sot në Pejë.

Aty, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama thanë se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është më se i domosdoshëm.

Për këtë takim Qeveria e Kosovës ka aprovuar shumën prej 128 mijë eurosh, që sipas ekspertëve të ekonomisë konsiderohet shumë e lartë.

Gjithashtu diskutabile po dalin edhe marrëveshjet të cilat po nënshkruhen në këto takimeve në mes dy qeverive.

Ndërsa, këto mbledhje nuk është se kane sjelle rezultate paraprak, dhe ende nuk dihet a po mbahen këto mbledhjen vetëm për "folklorizëm" apo me të vërtetë janë të dobishme për qytetarët.

Salianji: Folklorizëm banal, rezultatet e mbledhjeve dhe impakti i tyre kanë qenë thuajse zero

Image
Ervin Salianji

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji në një bisedë për gazetën “Bota sot” ka thënë se  rezultatet e mbledhjeve të mëparshme kanë qenë thuajse zero ashtu siç kanë qenë dhe koordinimet, vetëm javën e fundit pamë që qeveria e Shqipërisë nuk përkrahu tarifat që Kosova vendosi ndaj Serbisë.

“Propagandë bajate e gjasmë patriotike, dashuri e shtirur për kombin dhe flamurin me fjalë ndërkohë që me vepra vjedhin, shkatërrojnë të ardhmen e qytetarëve Shqiptarë apo akoma me keq Rama kërkon ti japë ndryshimin e kufijve Vuçiçit si shpërblim për lobimet që Vuçiç bën për Ramën. Rezultatet e mbledhjeve të mëparshme kanë qenë thuajse zero ashtu siç kanë qenë dhe koordinimet, vetëm javën e fundit pamë që qeveria e Shqipërisë nuk përkrahu tarifat që Kosova vendosi ndaj Serbisë. Impakti është thuajse zero në vendimmarrje reale sepse Rama është i përqendruar vetëm tek propaganda, atij i mjafton një foto për përdorim. Rama ndërhyn vetëm kur është çështja që i preken milionat e miellit dikujt!” ka thënë ai

Tutje, Salianji ka shtuar se deri sot ka vetëm propagandë dhe foto duke e bërë të duket më shumë folklorizëm banal.

“Këto mbledhje mund të shërbenin për të prodhuar strategji të përbashkëta, për të rrëzuar barrierat në kufi dhe për ta hequr kufirin, për të diskutuar për tarifat që qytetarët kosovarë do të paguajnë në rrugën e kombit, për financime të përbashkëta në Luginën e Preshevës, për universitet me kurrikula të përbashkëta, për treg të përbashkët, për ndihmën e kompanive dhe biznesit Shqiptar dhe të Kosovës për të fuqizuar ata në tregjet rajonale etj. Deri sot ka vetëm propagandë dhe foto duke e bërë të duket më shumë folklorizëm banal ndërkohë që duhet të ishte mbledhje e vendimmarrjeve të mëdha që e afrojnë kombin tonë”, është shprehur ai.

Vokshi: Qytetarët dhe historia do ta gjykojnë Edi Ramën

Image
Albana Vokshi

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një bisedë me gazetën “Bota sot” ka thënë se Spektaklet mijëra euro për mbledhje të përbashkëta qeverie deri më sot nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme

“E kam përmendur edhe më parë që agjenda e Kryeministrit Rama nuk duhet të jetë agjendë për interesa personale, por kombëtare. Spektaklet mijëra euro për mbledhje të përbashkëta qeverie deri më sot nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme. Kryeministri dhe Qeveria Shqiptare duhet të ketë një agjendë më intensive bashkëpunimi me autoritetet kosovare me objektiva dhe rezultate konkrete në të gjithë sektorët” ka thënë ajo.

Vokshi ka shtuar se mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të ketë pengesa të reja.

“Të taksosh dhjetëra euro lëvizjen mes Kosovës dhe Shqipërisë për interesa të pushtetit personal, është jo vetëm veprim i padrejtë, por një tradhti e interesave kombëtare në rajonin që provokon përçarje, sa herë shqiptarët fuqizojnë pozitat në Gadishull. Mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të ketë pengesa të reja .Qytetarët dhe historia do ta gjykojnë edhe atë” ka përfunduar deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

“Mbledhjet e tilla, mjaft të dobishme për raportet ndër shqiptare në shumë fusha”

Image
Bajram Kabashi

Publicisti Bajram Kabashi, përmes një shkrimi të tij, ka thënë se, mbledhjet e tilla, janë mjaft e dobishme për raportet ndër shqiptarë në shumë fusha.

“E përcolla mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e të Qeverisë së Republikës së Kosovës , të mbajtur sot , në Pejë . Mbledhjet e tilla, sidomos kjo e sotshmja, mendoj që janë mjaft e dobishme për raportet ndër shqiptare në shumë fusha. Më bëri përshtypje të mirë deklarata e Edi Ramës se Serbia duhet ta mbajë "Metohinë" për vete" (e kishte fjalën për emërtimin serbomadh të saj "Kosovo i Metohija" , dhe më befasoj për të keq në anën tjetër , që kritikët e Hashim Thaçit i quajti "gomar”.  Në anën tjetër edhe Ramush Haradinaj ishte mjaft i mirë , i thjeshtë dhe i qartë në fjalimin e tij në kuptimin e mirë të fjalës. "Asnjë metër toke të Kosovës nuk do ta merr Serbia" . Kjo ishte me rëndësi të dëgjohej prej tij , edhe kësaj rradhe. Dhe , kështu duhet të jetë gjithçka në raport me Serbinë .Vetëm reciprocitet , asgjë tjetër!! Rroftë e qoftë Reciprociteti ... Të tjerat janë përralla për vënien në gjumë të fëmijëve të vegjël netëve të gjata të dimrit “ ka përfunduar Bajram Kabashi.

Ndryshe, ishte takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës në Shqipëri.

Në katër mbledhjet e përbashkëta të qeverive të të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajtura ndër vite, janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi të cilat kanë pasur për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.

Por, jo rrallë herë janë kritikuar nga ekspertë të ekonomisë se marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur vetëm në letër, pa u vërejtur në praktikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat