“Edi Rama paralajmëroi se Thaçi mund të ecë rrugës së tradhtisë kombëtare”

Politika

“Edi Rama paralajmëroi se Thaçi mund të ecë rrugës së tradhtisë kombëtare”

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 22:33
Edi Rama dhe Ramush Haradinaj në Pejë

Çështja e korrigjimit të kufirit "ka përplasur" dy kryeministrat shqiptarë, atë të Kosovës Ramush Haradinaj dhe Edi Ramën. Pas mbledhjes së pestë të dy qeverive në Pejë, kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të territoreve me Serbinë.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke e komentuar takimin  e mbajtur në Pejë ka thënë se ajo çfarë tërhoqi vëmendjen nga paraqitjet e dy kryeministrave, në fillim dhe në fund të mbledhjes së dy qeverive, ishte një inferioritet për keqardhje e kapacitet i mangët i kyeministrit Haradinaj, si dhe një arrogancë patronazhi e nivel banal i kryeministrit Rama.

Image
Bajram Gecaj

“Unë isha deklaruar më herët se, fatkeqësisht, ajo çfarë tërhoqi vëmendje sot nga paraqitjet e dy kryeministrave, në fillim dhe në fund të mbledhjes së dy qeverive, ishte një inferioritet për keqardhje e kapacitet i mangët i Kryeministrit Haradinaj si dhe një arrogancë patronazhi e nivel banal i kryeministrit Rama. Duket se fjalori arrogant dhe ofendues i kryeministrit Rama tanimë është bërë diçka e zakonshme në paraqitjet e tij publike në Kosovë. Kryeministri Rama madje merr guximin të emëroi “gomarë” të gjithë ata të cilët marrin guximin të akuzojnë Presidentin Thaçi për tradhti, edhe pse unë nuk kam dëgjuar dike nga fytyrat publike ta ketë bërë këtë ende”, ka thënë Gecaj.

Me tej, ai ka thënë se ajo çfarë është e padiskutueshme është mbrojtja e tij të cilën ia japë Rama Presidentit të Kosovës dhe shtyrja para e një projekti që ka gjasa të ketë lindur fillimisht nga dyshja Rama-Vuçiq.

“Është kjo një paralajmërim dhe parapërgatitje se Presidenti i Kosovës mund të eci rrugës së tradhtisë kombëtare, apo është vetëm edhe një gafë e pacipë e Kryeministrit Shqiptar, këtë do të duhet të presim e ta shohim më vonë. Megjithatë, ajo çfarë është e padiskutueshme është mbrojtja e tij të cilën ia japë Presidentit të Kosovës dhe shtyrja para e një projekti që ka gjasa të ketë lindur fillimisht nga dyshja Rama-Vuçiq, së cilës më vonë do t’i jetë shtuar edhe dyshja tjetër Thaçi-Mogerini”, ka thënë ai.

Në fund, zyrtari i LDK-së ka theksuar se Rama nuk ka çfarë të përzihet në çështjet e karakterit puro të brendshëm të Kosovës. Sipas tij, çfarëdo tjetër që bën, ai mund të futet në vorbullën e ofendimit të cilin ia bëri kundërshtarëve të Thaçit.

“Kryeministri i Shqipërisë nuk ka çfarë të përzihet në çështjet e karakterit puro të brendshëm të Kosovës, por vetëm se duhet të përkrahë zgjidhjet dhe orientimet e formuara në mënyrë demokratike nga ana e institucioneve tona legjitime, në përputhje me Ligjin e Kushtetutën e vendit. Çfarëdo tjetër që bën, ai mund të futet në vorbullën e ofendimit të cilin ia bëri kundërshtarëve të Thaçit”, ka përfunduar anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat