Shqiptarët duhet të ishin të parët në Ballkan, “komandantët” e shndërruan atdheun në plaçkë tregu

Politika

Shqiptarët duhet të ishin të parët në Ballkan, “komandantët” e shndërruan atdheun në plaçkë tregu

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 nëntor 2018 Në ora: 08:28
Foto ilustrim

Shqiptarët në 106 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë do të duhej të ishin të bashkuar e jo të përçarë ndërmjet  vete. Kështu kanë vlerësuar analistë politikë dhe historianë të ndryshëm. Klasa politike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, e cila si pikësynim ka pasurimin personal, ka bërë që shqiptarët të jenë të dëshpëruar.

Shahu: Kemi politikanë që shohin interesin personal dhe rini të jashtëzakonshme

Publicisti Rexhep Shahu, duke kujtuar Kosovën e pavarur  si arritje të shqiptarëve, thotë se Shqiptarët në këtë 106 vjetor të pavarësisë janë shtuar shumë në raport 106 vjet më pare.

 Mirëpo,sipas tij, shqiptarët në këtë 106 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë janë të dëshpëruar, të hutuar, janë shoqëri depresive, gati e marre peng nga mafia.

Image
Rexhep Shahu

“Shqiptaret ne 106 vjetorin e pavarësisë udhëhiqen nga një klasë politike jo elitare, në masë të madhe bashibozuke, nga politikanë që shohin veç pasurimin personal, nga komandant që kujtojnë se kanë merita aq të mëdha sa ta bëjnë atdheun plaçkë tregu. Por në 106 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë duhet të krenohemi me një rini të mrekullueshme, shumë të emancipuar, shumë të ditur e të përshtatur me Evropën, të vetmen pasuri kolosale të jashtëzakonshme të kombit shqiptar, shprehet analisti politik Rexhep Shahu.

Krosi: 28 nëntori nuk po festohet sic do të duhej

Kurse, historiani Ismet Krosi, ka kujtuar 28 nëntorin si datë  të rëndësishme në vigjile të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioitit-Skënderbeut dhe të 50 vjetorit të demonstratave të vitit 1968 të Flamurit Kombëtar.

Megjithatë, ai thotë se, edhe ky përvjetor shqiptarët i gjeti duke festuar jo në formën siç na takon në një ditë feste.

Image
Ismet Krosi

“Në Republikën e Shqipërisë kjo datë është festë shtetërore, kurse në Republikën e Kosovës këtë vit Kryeministri e ka shpallur ditë feste, ndërsa shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, në Republikën e Serbisë, të Malit të Zi (ndërsa mjerisht as sot e një shekull shqiptarët në Greqi as që guxojnë pasi me kushtetutë nuk figurojnë as edhe si pakicë) mjerisht që nuk e kemi të drejtën e festim si datë”, potencon Krosi.

Ai shekson se, ky është realiteti i hidhur i krijuar edhe pas shpërbërjes së Jogosllavisë.

“Ende nuk mund të gjendet modusi ligjor që ta qartësojnë se ky është Flamuri Kombëtar që përkon edhe me shtetin shqiptar, por ja që tash kemi edhe Republikën e Kosovës që ka flamurin e vet shtetëror, ndërsa flamuri kombëtar dihet se është ky që e festojmë. Thënë popullorçe shqiptarët edhe me rastin e 106 vjetorit të shtetit shqiptar, mbetemi në hapësirat tona gjeografike etnike shqiptare, ndryshe thënë si zogjtë e qyqeve, por mbetemi me shpresë se në të ardhmen do të tejkalohen këto barriera dhe të qartësohen njëherë e mirë në realitetet e krijuara në rajon se shqiptarët e kanë një flamur kombëtar, ndërsa i bëmë dy shtete atë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës ( që është e banuar me mbi 90 për qind me shqiptarë, e që dikush ende nuk e ka të qartë flamurin kombëtar dhe atë që e kanë diktuar rrethana e reja)”, përfundon Krosi.

Roshi: Shqiptarët duhej të ishin të parët në Ballkan

Image
Artur Roshi

 Artur Roshi njohësi i çështjeve politike si dhe përfaqësues i lartë i Ballit Kombëtar Demokratik (PBKD) ka pohon faktin e hidhur, se shqiptarët në këtë 106 vjetor vijnë si gjithë historinë e tyre në shtetbërje, të pa organizuar në shkallën e duhur dhe të mundshme të një shteti demokratik.

“E keqja e shqiptarëve ka qenë gjithmonë mungesa e demokracisë me elementët e lirisë së saj. Shqiptarët sot ende nuk dinë të krijojnë vizion koheziv mbarë kombëtar kudo ku ka shqiptarë. Ende sot mbas 106 viteve nuk po realizojmë dot orientimin e qartë pro-perëndimor euroatlantik, orientim që ishte i qartë në krijimin e shtetit të 1912. Ne ende nuk kemi të qartë, se  kush është historia jonë e vërtetë dhe mbi bazën e saj të ngremë modelin historik të ngritur mbi kontribute të njerëzve që prodhuan vlera për shoqërinë. Pastaj të stimulojmë një të ardhme stabile mbi strukturën hierarkike të vlerës që zhvillohet në një hapësirë morale shoqërore”, ka thënë Roshi.

Sipas tij, politika shqiptare funksionon jashtë sferës së zhvillimit të vendit dhe brenda interesave të vogla të atyre qe kanë pushtetin e radhës.

“Nuk kemi një rrafsh politikbërje mbi filozofi politike, por thjesht vulgaritete që rrjedhin nga emocione përfitimi. Shqiptarët duhet të ishin të parët në Ballkan dhe udhëheqës të tij në ekonomi, diplomaci dhe demokraci që emeton liri”, nënvizon njohësi i çështjeve politike, Artur Roshi.

Duhanaj: Shqiptarët kanë problem me orientim gjeostrategjik

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj thotë se 106 vjetori i themelimit të shtetit shqiptarë, për fat të keq, shqiptarët, i gjen duke u ballafaquar me probleme të njëjta.

Sipas tij, problemi kryesorë i shqiptarëve, është problemi që kanë me identitetin.

”Në raste rreziku, shqiptari çdoherë kërkon shpëtim në perëndim dhe nga perëndimi. Madje çdoherë si pikë reference përdorën synimet për t'u integruar në të. Pra në njëfarë forme, kërkohet njëfarë kontrate e përkatësisë. Por për fat të keq, duke qenë të pavendosur sa duhet në çështjen e identitetit, bëjmë përpjekje ta trajtojmë perëndimin si "gruan" përderisa lindjen si "dashnore". Kjo qasje, as nuk është korrekte, as e drejt e as që i sjellë ndonjë dobi interesit shqiptarë”, thotë Duhanaj.

Tutje ai shton se është korrupsioni "ryshfeti" që i vë shqiptarëve hije të keqe. 

“Duke synuar çdoherë pasurimin personal e klanorë në kurriz të së mirës së përgjithshme. Kjo sjellje merr  pastaj me vete edhe shumë dukuri negative, që janë të lidhura në mënyrë zinxhirore për të parën. Ne ende vazhdojmë ta kërkojmë fajin tek të tjerët, për dështimet tona dhe, kjo është pika me e rëndësishme që tregon që ne, nuk jemi të gatshëm as të aftë për të mësuar nga dështimet dhe si pasojë na përsëriten vazhdimisht. Uroj shumë që kjo qasje të ndryshoj njëherë e mirë për të mirë por që mbetem shumë skeptik për të ardhmen”, përfundon analisti politik Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat