Natali Veliaj për të tretën herë kërkon që të lirohet nga burgu

Aktuale

Natali Veliaj për të tretën herë kërkon që të lirohet nga burgu

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 12:28
Natali Veliaj

Shtetasja gjermane, Natali Veliaj, e dënuar me 8 vjet si e akuzuara kryesore për përvetësim të 1.4 milion eurove në rastin e njohur si “Skandali i pasaportave” ka kërkuar për të tretën herë lirim me kusht nga Paneli për Lirim me kusht.

Mbrojtësi i saj, avokati Ramë Dreshaj, thotë se kërkesën për lirim me kusht në Panelin për Lirim me Kusht e ka dorëzuar me datën 19 nëntor të këtij viti.

“Me 19.11. 2019 kam ushtruar kërkesën e tretë për lirim me kusht të Natali Velija, Panelit për Lirim me Kusht pran Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, ka thënë Dreshaj.

Avokati Dreshaj, tregon se Natali Veliaj shprehet optimiste se kësaj here do t’i pranohet kërkesa për lirim, sepse sipas tij gjatë qëndrimit në burg Veliaj nuk ka pasur asnjë vërejtje.

“Presim që kësaj here të aprovohet kërkesa sepse e njëjta është martuar këtu në Kosovë dhe do të punoj si të lirohet sepse do të vazhdoj jetën këtu në Kosovë”, ka thënë Dreshaj.

Veliaj, kërkesë të njëjtë për lirim me kusht e kishte bërë edhe në janar të këtij viti dhe në tetor të vitit 2016, por që të dy herët iu ishte refuzuar nga Paneli për Lirim me Kusht.
Ndryshe, Natali Veliaj ishte arrestuar në nëntor të vitit 2012 nga policia e Eulex-it, pasi dyshohej se si pronare e  firmës “Consulting EU Sh.p, kishte përvetësuar rreth 1,4 milion euro, mjete këto që do të duhej t’ia transferonte ndërmarrjes austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD), e cila kishte prodhuar pasaportat e Kosovës.
Që nga ajo kohë, e deri tash janë bërë rreth katër vjet nga qëndrimi i saj prapa grilave.

Në dhjetor të vitit 2014, pas një procesi gjyqësor, Natali Veliaj dënohet nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 12 vjet burgim, dënim ky i cili u zbrit nga Gjykata e Apelit në 8 vjet burgim dhe gjobë prej 25 mijë eurove.

Ajo akuzohej nga një prokuror i Eulex-it në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për nëntë vepra penale, përfshirë krimin e organizuar, pastrimin e parave, vjedhjen e rëndë, mashtrimin, shmangien nga tatimi, shpërdorimin, keqpërdorimin e besimit, falsifikimin dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat