“Gjarpri do t'i kafshojë një nga një shokët e tij!”

Politika

“Gjarpri do t'i kafshojë një nga një shokët e tij!”

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 29 nëntor 2018 Në ora: 08:01
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e solli Gjykatën Speciale, mund të ketë shpëtuar vet nga gjykimi i saj.

Por, kështu nuk do të ndodhë edhe me shokët e tij, të cilët janë personalitete të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për ta thënë këtë, vlen të kujtohet edhe fakti se, ndonëse ishte përkrahës i krijimit të Gjykatës Speciale, Presidenti Thaçi, një vit më parë mori iniciativën për shfuqizimin e saj.

Sipas bashkëbiseduesve të gazetës “Bota sot”, Thaçi është siguruar se nuk do të gjykohet. E gjithë kjo, në këmbim të shumë marrëveshjeve në dëm të Kosovës, por edhe duke i “flijuar” shokët e tij të luftës.

Salihaj: Presidenti do ta flijojë edhe Kadri Veselin

Image
Adem Salihaj

Ish-deputeti i Kosovës, Adem Salihaj, thotë se presidenti Thaçi ka flijuar Azem Sylën dhe Fatmir Limajn, por nuk do të shkoj larg, kur do ta flijojë edhe Kadri Veselin.

Ai thotë se, shokët e Thaçit nuk e dinë mirë kush është presidenti, por do ta kuptojnë kur fillojnë arrestimet e Gjykatës Speciale.

“Thaçi i ka flijuar një nga një shokët e tij më te afërt, të cilët janë arrestuar dhe kanë mbajtur ose mbajnë dënime me burg. Pas Azem Sylës e Fatmir Limajt, nuk do te shkojë larg dhe ai do ta dorëzojë edhe Kadri Veselin e të tjerët që kanë mbetur.

Hashim Thaçi nuk ka as fe as atdhe, e të mos flasim për shokë, ai është i gatshëm të shesë çdo gjë e çdo kë.

Gjarpri do t'i kafshojë një nga një shokët e tij. Ata ende nuk e dinë mirë kush është Hashim Thaçi. Vetëm kur të fillojnë arrestimet nga Gjykata Speciale do ta shohin këtë.

Ai mendon se do ta shpëtojë veten, duke shitur çdo gjë të shenjtë, por do t'i vije dita edhe atij.

Populli thotë "s'ka mbetë hak pa u kthye-ja me grosh, ja me krye"!”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Islami: Hashim Thaçi i ka përgatitur edhe listat

Image
Gazmend Islami

Ndërsa, kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat për Kosovë, Gazmend Islami, pohon se,  presidenti Thaçi është kontrovers dhe mirë i përgatitur nga shërbimet e huaja për të punuar kundër Kosovës.

“Hashim Thaçi është figura më kontroverse e dy dekadave të fundit. Që nga ardhja e tij në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në ditët e sotme pra, po kalojnë 20 vite dhe ai është në skenën politike, dhe çdo gjë që ka të bëj me çështjen e Kosovës ai është figura qendrore. Pra, mendoj që ai është i përgatitur mirë nga shërbimet e huaja dhe natyrisht që punon që të arrihet ajo për çka shumë shtete janë të interesuara për që Kosova të bëjë një pajtim me Serbinë dhe të ketë ndarje të territorit të Kosovës”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Thaçi e ka siguruar që mos të jetë në Gjykatën Speciale, pas pazareve të mëdha, por do të jenë shokët e tij, si Veseli, Çeku, Buja, por një luftë do të bëjë edhe për Fatmir Limajn, që të jetë në këtë gjykatë.

“Hashim Thaçi për sa i përket Gjykatës Speciale, ai vetëm se e ka siguruar që mos të jetë atje sepse ka bërë pazare të mëdha sesa ti dërgoj njerëzit kryesor të luftës, por natyrisht unë besoj shumë se Hashim Thaçi i ka përgatitur edhe listat se kënd mund që ta dërgoj dhe kënd jo nga njerëzit më të afërt të tij, siç është Kadri Veseli por edhe siç janë z. Çeku, Ramë Buja, do të shpifë dhe do të bëj luftë që ta dërgoj edhe Fatmir Limajn prapë në Gjykatën Speciale dhe disa personalitet tjera për t`i dëmtuar figurat e tyre dhe për ti lënë në mëshirën e fatit”, përfundon Gazmend Islami.

Miftari: Metoda e tij është shitja e shokëve të luftës

Image
Naim Miftari

E Naim Miftari ish-pjesëtar i SHIK-ut, dhe ish-epror i lartë i UÇK-së dhe TMK-së, thotë se, Thaçi me marrëveshjen K90 që e ka bërë me NATO-n ka “tradhtuar” komplet UÇK-në duke çarmatosur edhe pse Kosova nuk ishte e liruar plotësisht dhe në dorë të shqiptarëve.

“Hashim për ta shpëtuar vetveten është në gjendje që të jep çdo kënd. Nuk janë sekret bashkëpunëtoret e Hashim Thaçit që nuk kanë pas lidhej me UÇK-në që kanë qenë anti UÇK, siç është rasti i Enver Hoxhajt, Hajredin Kuçit etj, nonstop pas luftës kanë denoncua në ambasadat e huaja ish udhëheqësit e luftës së UÇK-së dhe këto denoncime janë bërë në sinkronizim të plotë me Hashim Thaçin”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, edhe arrestimet e ish komandantëve të UÇK-së që janë bërë në Kosovë pas luftës nga UNMIK-u dhe EULEX-i  si dhe Tribunali i Hagës, shumica e mbajnë vulën e Hashim Thaçit.

“Duhet të ia pranojmë se tregtia dhe biznesi me shokë e ka si dhunti edhe natyrale për shkak se i shkon ky biznes kogja mirë, metoda e tij është shitja e shokëve të luftës dhe pranimi dhe bashkëpunimi i afërt me ish njerëzit që janë kanë kundër luftës ose kanë qenë bashkëpunëtorë dhe njerëzit që kanë akoma nostalgji për Serbinë dhe Jugosllavinë e Titotes. Ata njerëz Hashim Thaçi i ka ofrua afër dhe shpesh herë e përdorë sistemin, armikun më afër se mikun. Duke i përdorë njerëzit dhe pas një kohe duke i lanë të vetmuar dhe duke i denoncuar edhe pse shpesh herë ato punë që janë kanë të dënueshme janë bë me urdhrat e tij”, thotë ai.

Ai e kujton edhe deklaratën e Sami Lushtakut, kur tha se njerëzve të PDK-së ju ka konvenuar që njerëzit e luftës të shkoje në burg.

“Kurse tani për Gjykatën Speciale që e ka sjell pikërisht Hashim Thaçi në Kosovë do të merret kryesisht me shokët e tij duke filluar nga Sabit Geci, Sokol Dobruna, Azem Syla, ndoshta kjo gjykatë do ta arreston edhe Daut Haradinaj, Shukri Buja, Rexhep Selimi dhe shumë të tjerë, të cilët Hashim Thaçit nga viti 1999 nuk i duhen më dhe janë kundërshtar të tij. Për shkak të kësaj unë Naim Miftari epror i larte i UÇK-së, TMK-së them me bindje të plot se gati asnjë vrasje në Kosovë nuk është bë pa dijen dhe urdhrin apo miratim e Hashim Thaçit. Tash ish kanë koha me fole ata njerëz që kanë vra në emër të Thaçit”, pohon Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat