Profesori ndërkombëtar tregon për telefonatën që Mogherini ia bëri Thaçit: Largoma sysh Ramushin!

Politika

Profesori ndërkombëtar tregon për telefonatën që Mogherini ia bëri Thaçit: Largoma sysh Ramushin!

Nga: G.B Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 21:16
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Federica Mogherini

Taksa e vendosur nga Kosova për produktet e Serbisë dhe të Bosnjës u prit mjaft mirë në Kosovë nga shqiptarët, derisa serbët protestuan kundër saj.

Kundër dolën shtete të fuqishme, mike të Kosovës.

Lidhur me këtë taksë dhe se si duhet të veprohet dhe çka ndodhë nëse ajo hiqet, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ky është një nga vendimet më të rëndësishme në dekadën e fundit të këtij shteti.

“Vendimi i qeverisë së Kosovës për vënien e taksës fillimisht 10 përqind e më pas 100 përqind është një nga vendimet më të rëndësishme në dekadën e fundit të këtij shteti. Kjo sepse për herë të parë institucionet e Kosovës kanë vepruar në mënyrë të pavarur e në favor të interesave të vendit. Sepse për herë të parë pas pavarësisë kemi një sjellje me integritet të shtetit të Kosovës. Për herë të parë prej vitit 2013 nuk e dikton Serbia agjendën e saj në Kosovë. Për këto arsye ky vendim është pritur me shumë entuziazëm dhe duket sikur ka rikthyer besimin e qytetarëve të institucionet e shtetit”, është shprehur ai.

Si thotë se veprimet e Thaçi si kryeministër e tani si president kanë bërë që populli të humbë shpresën dhe të jetë i frikësuar.

“Duhet të besojmë se lëshimet ndaj Serbisë dhe fqinjëve të tjerë nga ana e presidentit, dje kryeministër i Kosovës, pra nga Thaçi, kanë krijuar të qytetarët mosbesim, frikë dhe humbjen e shpresës. Mosveprimi i Prishtinës përballë provokimeve të shumta të Beogradit është përjetuar si paaftësi për t’i bërë ballë agresionit serb në kohë paqeje, ndërkohë që shqiptarët ishin më optimist për të ardhmen e tyre në kohë lufte”, ka thënëBytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, aktualisht qeveria ndodhet nën presion nga presidenti dhe ndërkombëtarët, pastaj presioni nga serbët që po bëjnë protesta.

“Megjithatë qeveria ndodhet nën presion. Nën një presion të shumëfishtë, të botës ndërkombëtare dhe të presidentit të vendit. Beogradi duket se e ka dramatizuar çështjen te kancelaritë e Perëndimit. Serbët në veri po bëjnë gjithashtu presion. Deri aty sa të grumbullojnë të dhëna “për pasojat e mungesës së ilaçeve”! Nëse nuk funksionon kjo, serbët ekstremistë të veriut të Kosovës do të orkestrojnë bashkë me Beogradin ndonjë rast të dytë si ai i vitit 1985 jo tashmë me emrin Martinoviç”, ka vlerësuar profesori.

Bytyçi më tej vlerëson se Thaçi po kërcënon me largimin e kësaj qeverie, por që Haradinaj duhet të bashkëpunojë me të gjithë ata që janë kundër idesë së Thaçit për korrigjim të kufijve.

“Ndërkaq Thaçi po kërcënon me krizë institucionale, me largimin e kësaj qeverie. Mogherini i telefonoi dje dhe i dha detyrë që t’ia hiqte sysh Ramush Haradinajn. Sepse Mogherini nuk ka marrë ende informacion se kreditet e Thaçit në Kosovë e ndër shqiptarët janë rënë në fund të pusit. Megjithatë Haradinaj duhet të bashkëpunojë me të gjithë ata, pa përjashtim, të cilët janë kundër idesë së Thaçit, Ramës dhe Vuçiqit për tjetërsimin e territorit të Kosovës. Brenda në Kosovë këta janë shumicë dërmuese. Ndër faktorin shqiptar, gjithashtu janë shumicë dërmuese. Por miq të Kosovës e të shqiptarëve ka kudo në botë. Këtyre duhet t’u besojë qeveria. Nuk duhet të ndikohet as nga Thaçi, as nga Beogradi, as nga Moska e as nga miqtë e Serbisë e të Rusisë në Perëndim. Me këta le të bashkëpunojë Thaçi. Qeveria dhe kryeministri duhet të zgjerojnë rrethin e miqësisë në çdo vend perëndimor e të mbështeten tek ata për mbrojtjen e Kosovës”, ka deklaruar profesori ndërkombëtar.

Ai tregon edhe pasojat e heqjes së taksës, derisa thotë se kjo do të bënte që qeveria t’i kishte ditët e numëruara, ndërsa nëse taksa nuk hiqet qeveria do të rezistojë.

“Heqja e taksës do të jetë një goditje e rëndë jo vetëm për qeverinë. Nëse Haradinaj tërheq vendimin, ai do t’i ketë ditët e numëruara. Fillimisht do të marrë lavdërime pa fund. Por kur të fuqishmit në dukje të lavdërojnë, ata duartrokasin se kanë përgatit fundin e qeverisë Haradinaj. Jo heqja, por mos heqja e taksës shton shanset që qeveria Haradinaj të rezistojë, sepse mban të kompaktësuar e të pashkëputur kordonin e atyre që mbrojnë Kosovën dhe territorin e saj prej Thaçit, Ramës dhe Vuçiqit. Ndërkohë Haradinaj duhet të kuptojë se faktori antishqiptar nuk është i interesuar në këto kohë për krizë parlamentare në Kosovë. Një krizë e tillë e shtyn pa mbarim dialogun me Serbinë e për pasojë Serbia, si dhe Thaçi e Rama nuk kanë kohë të mjaftueshme për ta realizuar skenarin e ndarjes së saj”, është shprehur ai.

Nëse taksa hiqet, Bytyçi thotë se do të zhvleftësohet puna për mbrojtjen e territorit dhe Thaçi e Rama do të dalin në ekrane e do të tallen.

“Nëse do të ketë tërheqje në qëndrimin e Haradinajt, ai do të zhvleftësojë gjithë punën e investimin në mbrojtje të territorit të Kosovës dhe më pas Thaçi e Rama do të dalin në ekrane e do të tallen e batuta e barsoleta kundër tij. Prandaj Haradinaj nuk duhet ta lejojë këtë kundrejt çdo çmimi! Vendosmëria e tij do të shënohet në histori si një arritje e sukses i padiskutueshëm në shtetformimin e Kosovës”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat