Skenari i forcave antishqiptare në Serbi, Prishtinë dhe Bruksel kundër Kosovës

Politika

Skenari i forcave antishqiptare në Serbi, Prishtinë dhe Bruksel kundër Kosovës

Nga: A.M Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 09:50
Harta e Kosovës

Është paralajmëruar që me gjashtë (6) dhe shtatë (7) dhjetor do të mbahet takimi i ministrave të  drejtësisë dhe të brendshëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Po ashtu, është paralajmëruar në mediat vendore se në këtë takim nuk do të jetë në rend të ditës çështja e liberalizimi t të vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova gjatë këtij muaji nuk ka arritur që të bëhet anëtarësohet në organizatën botërore të sigurisë, INETERPOL.

Për këto mosarritje të Kosovës, po fajësohen institucionet vendore, lobimi i dobët por edhe ideja e  presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Kjo  e fundit po vlerësohet si mesazh për mos ekzistencën e shtetësisë së Kosovës.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që kur i ka filluar bisedimet me Serbinë ka ndryshuar qasjen e tij.

Bytyçi kujton se presidenti më parë ka folur për liberalizimin e vizave, ndërsa prej gati një viti ai paralajmëron dështime të Kosovës në agjendën e saj ndërkombëtare.

Image
Enver Bytyçi

“Presidenti i Kosovës para disa javësh u deklarua se: Kosovës nuk do t’i liberalizohen vizat”. Kam dashur që këtë temë ta shtjelloja asokohe por problematika e ndarjes së Kosovës dhe deklarata të tjera më kanë penguar të merrem me këtë çështje. E vërteta është se presidenti Thaçi që prej nisjes së bisedimeve me Serbinë për ndarjen e Kosovës ka ndryshuar qasje. Në periudhën e mëparshme, që prej shpalljes së pavarësisë, ai ka folur me eufori për njohjet, për shtetësinë e Kosovës, për integrime dhe madje prej katër vitesh ka thënë vazhdimisht se këtë muaj e këtë datë do të liberalizohen vizat për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ndërsa prej gati një viti ai paralajmëron dështime të Kosovës në agjendën e saj ndërkombëtare. Edhe dështoi për t’u pranuar në INTERPOL, edhe dështimi për ta vënë në rend dite liberalizimin e vizave për muajin e ardhshëm janë pasojë e një njeriu – presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesor ndërkombëtar ai ka shtuar se, me ndarjen e Kosovës është fundi i shtetit dhe sipas tij, kjo  ide e Thaçit, Ramës e Vuçiqit ka gjetur mbështetje tek te shefja e politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bruksel, Frederica Mogherini dhe disa anëtare të tjerë të kabinetit të KE-së.

“Hashim Thaçi u ka dhënë ndërkombëtarëve mesazhin se shteti i Kosovës nuk do të ekzistojë. Ndarja e saj është fundi i shtetit. Me një vend, shteti i të cilit shkërmoqet nga vetë presidenti, askush nuk ka e nuk do të ketë dëshirë të bashkëpunojë dhe të shtyjë përpara proceset integruese. Kjo sepse pas shkërmoqjes nuk dihet se çfarë prodhon dhe nga ana tjetër sepse një shtet i ndarë detyrohet që pjesët e ndara t’i bashkohen shteteve kufitare e për pasojë nuk ka pse BE të investojë në këto procese”, potencon prof. Bytyçi.

Sipas tij, ideja e ndryshimit të kufijve me Serbinë e propaganduar me aq shumë zell nga Hashim Thaçi në kor me Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramën, ka gjetur mbështetje te shefja e politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bruksel, Frederica Mogherini dhe disa anëtare të tjerë të kabinetit të KE-së.

“Për pasojë liberalizimi i vizave përdoret prej këtij grupi anti-Kosovës edhe në një formë presioni. Siç bënë e demarkacionin me Malin e Zi. “Ose pranoni ndarjen, ose ne do t’ju izolojmë”! Ky është mesazhi I Komisionit Europian. Ky mesazh është gjithashtu pjesë e veprimtarisë së Hashim Thaçit. Zoti Thaçi e përdor mosliberalizimin e vizave si presion ndaj qeverisë. Ai dhe presidenti i Serbisë shpresojnë se me izolimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj do ta largojnë qeverinë aktuale nga pushteti dhe pa bërë zgjedhje të parakohshme do të formojnë një qeveri tjetër 100 përqind proserbe, qeveri e cila do të heqë taksën e vënë për mallrat e Serbisë që hyjnë në Kosovë si dhe do të pranojë nënshkrimin e marrëveshjes që Trepça, Ujmani e pasuritë e veriut të Kosovës t’i bëhen dhuratë Beogradit”, ka deklaruar ai.

Ai mendon se ka një skenar për mos futjen e Kosovës në agjendën e takimit të ministrave, pasi që në këtë mënyrë mund të fajësohet qeveria dhe të nxiten qytetarët e Kosovës kundër qeverisë me qëllim krijimin e një qeverie “kuislinge” të Serbisë.

“Forcat antishqiptare në Serbi, Prishtinë dhe Bruksel mesa duket ia kanë arritur që ta largojnë nga agjenda liberalizimin e vizave me Kosovën. Skenari është që të fajësohet qeveria e të nxiten qytetarët e Kosovës kundër qeverisë me qëllim krijimin e një qeverie kuislinge të Serbisë. Presidenti kuisling i Kosovës kërkon një qeveri gjithashtu kuislinge të Serbisë. Nxitja e konfliktit është mënyra më e mirë për t’ia arrit këtij qëllimi”, shprehet ai.

Për profesor Bytyçin, mosliberalizimi i vizave është një arsye e mjaftueshme për konflikt. Por ai pyet se a do të ngrihen shqiptarët kundër qeverisë aktuale në këtë rast?!

“Unë mendoj se Thaçi e Beogradi, bashkë e Mogherinin i kanë bërë llogaritë gabim. Sa më shumë rritet roli destruktiv i këtyre faktorëve, shto këtu dhe Edi Ramën e disa ministra të tij, aq më shumë homogjenizohet Kosova. Do të ndodhë ai procesi i homogjenizimit që shfaqën shqiptarët në fund të viteve 1980 e gjatë viteve 1990 përballë Milosheviçit. Sa më shumë e shtonte dhunën Milosheviçi, aq më homogjenë u bënë shqiptarët. Po të mos ishte presioni i Serbisë Ibrahim Rugova nuk do të mund ta menaxhonte jetën politike, ekonomike, sociale e kulturore të Kosovës, sepse ai nuk kishte as ushtri, as polici, as xhandarmëri, as doganierë, as policë tatimorë”, ka potencuar profesori për “Bota sot”.

 Për më tepër, ai ka thënë se kjo kohë është e rrezikshme se bashkëpunëtori kryesor i Serbisë në Kosovë është vetë presidenti i Kosovës.

“Kështu do të ndodhë në kohët e sotme, sepse shqiptarët po kuptojnë se po rikthehet koha e Milosheviçit me pak ndryshime nga ajo kohë. Madje kjo kohë është ë e rrezikshme se bashkëpunëtori kryesor i Serbisë në Kosovë është vetë presidenti i Kosovës. Mosliberalizimi i vizave vetëm se do ta shtojë reagimin qytetar ndaj presionit shovinist serb e vasalëve të Beogradit në Bruksel. Mosliberalizimi I vizave nuk do të krijojë konflikt midis qytetarëve dhe qeverisë, por midis qytetarëve nga njëra anë dhe Serbisë, Brukselit e Hashim Thaçit nga ana tjetër!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat