Taksa 100% skenar për ta realizuar ndarjen?

Politika

Taksa 100% skenar për ta realizuar ndarjen?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 30 nëntor 2018 Në ora: 10:26
Pamje nga Mitrovica

Institucionet e Republikës së Kosovës nuk po sillen me përgjegjësi të shtuar ndaj gjendjes aktuale në Kosovë.

Pas vendosjes së taksës 100 % nga Qeveria e Kosovës, për produktet serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës, serbët e Kosovës, konkretisht të pjesës veriore të Kosovës, kanë reaguar ashpër, ndërsa udhëheqësit e katër komunave kanë dhënë dorëheqje duke shkëputur kështu lidhjet me institucionet e Kosovës.

Serbët kanë protestuar për vendimin e Kosovës, kurse reagime të ashpra për taksën ka pasur edhe nga Bashkimi Evropian dhe shtetet mike të Kosovës.

Edhe pas këtyre reagimeve kryeministri Ramush Haradinaj ka potencuar edhe një herë se taksa e vendosur ndaj prodhimeve serbe do të mbetet në fuqi deri atëherë kur të ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia dhe se askush nuk duhet të kalkulojë ndryshe.

Nga gjithë situata e krijuar janë ngritur dyshime se në këtë mënyrë po fillon ngadalë të realizohet projekti i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ndarjen apo korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Por, vendimi për taksën, a mund të jetë një skenarë i përgatitur nga Qeveria e Kosovës?

Dyshimet e Isa Mustafës

Ish kryeministri i Kosovës, njëherit kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se është i mendimit se institucionet e vendit nuk po sillen me përgjegjësi ndaj gjendjes së krijuar në veri të vendit, dhe për këtë këto institucione duhet të japin dorëheqje dhe të shpërndahen.

“Sjellja, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe të Kuvendit, pa marrë parasysh se çfarë deklaron Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe disa ministra, po bëhen pjesë e projektit të ndarjes së veriut të Kosovës. Po shihet qartë se Presidenti nuk është vetëm në idenë e tij për korrigjim të kufijve”, ka shkruar Mustafa, në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook.

Ai tutje ka thënë se është e papranueshme që për efekte populiste e të fushatës të rrezikohet integriteti territorial dhe ushtrimi i pushtetit në terë territorin e vendit.

“Institucionet e tilla të papërgjegjshme duhet të japin dorëheqje dhe të shpërndahen”, përfundoi Mustafa.

Krasniqi: Të përfitohet nga dorëheqjet

Image
Sefedin Krasniqi

Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Sefedin Krasniqi pohon se nuk mund të jetë një marrëveshje me serbët taka 100%.

Ai shton se dorëheqjet e kryetarëve të komunave serbe janë të mirëseardhura, ndërsa Kosova duhet ta me shfrytëzojë këtë për të larguar Listën Serbe.

“Mendoj se taksa 100% nuk është ndonjë skenarë me marrëveshje me serbët. Më vjen keq që s’e ka bërë Ramushi 200% e menjëherë me aktivizu diasporën sikur në kohen e luftës. Kurrë më të gatshëm s’kemi qenë që mos të lejojmë të këtë mungesë të artikujve ushqimor e të barnave. Dorëheqjet e serbëve janë të mirëseardhura nëse shqiptarët dinë t’i shfrytëzojnë serbët tjerë për ta thyer Listën Serbe të formuar nga sheshelisti Vuçiq”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, ish-pretendenti për president të Kosovës, Seremb Gjergji, thekson se vendimi për taksën 100% ka ardhur pas imponimit të shtetit serb, kurse për dorëheqjet e serbëve shton se nuk është asgjë, ndërsa paralelizmat e serbëve thotë se duhet të ndalen menjëherë.

“Taksa prej 100% është imponim direkt nga vet Qeveria dhe shteti i Serbisë. Kosova, nuk ka dashur dhe nuk dëshiron një vendim të tillë. Por, besoj se është shumë e shtyrë. Vetëm pse 4 kryetarë serb kanë dhënë dorëheqje, kjo nuk do të thotë asgjë. Por është mendimi i Presidentit Thaçi që ia ka hapë rrugën idesë së ndarjes; edhe pse besoj se pas kthimit nga Amerika, nuk do të ketë më ide të ndarjes. Tash serbët e veriut synojnë të krijojnë paralelizma me mundësi ndarje. Kjo duhet të ndalet shpejt dhe ashpër”, thotë Gjergji për gazetën “Bota sot”.

Gjergji: Të mbyllen komunat paralele

Image
Seremb Gjergji

Gjergji thotë se, Ministria e Punëve të Brendshme duhet të mbyllë të gjitha komunat paralele.

Ai shton se, kjo taksë ndaj Serbisë do të zgjatë më së shumti tre muaj.

“Regjistrimet e modelit të komunave të ish Jugosllavisë duhet të eliminohen dhe të gjitha strukturat paralele duhet të shpartallohen, burgosën dhe shpërndahen një herë e përgjithmonë.  Nuk duhet të durojmë paralelizma në asnjë mënyrë.  Ndërsa, çdo protestë është legjitime derisa nuk i prekë interesat nacional apo dëmton shtetin. Por, Liderët tanë duhet ta marrin guximin dhe t'i adresojnë problemet drejt dhe tregojnë se Shteti i Kosovës është detyruar dhe do të vazhdoi me taksën 100% deri në implementimin e 100% e të gjitha marrëveshjeve që Serbia ka marrë si obligim. Pastaj, mendoj dhe besoj se taksa do të lirohet. Kjo do të zgjasë më së gjati 3 muaj”, përfundon Seremb Gjergji.

Duhanaj: Taksa 100% duhet të qëndrojë

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj thotë se, përkeqësimi i raporteve shqiptaro – serbe mund të jetë një skenarë i përgatitur për ndarje, duke ditur se kjo përkrahet edhe nga një pjesë e shqiptarëve.

“Përkeqësimi i gjendjes në Kosovë, përkatësisht i raporteve shqiptaro - serbe, mund të jetë pjesë e ndonjë skenari për ndarje. Edhe nëse ky nuk është, atëherë mund të shfrytëzohet nga serbet për destabilizim të plotë. Përkrahësit e ndarjes së Kosovës, për fat të keq, nuk janë më vetëm serbët por edhe një pjesë e shqiptarëve. Kjo nënkupton që skenari mund të jetë prishja definitive, ose përshkallëzimi i situatës me qëllim të nxitjes së ndërhyrjes ndërkombëtare”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, nga kjo mund të shpëtojmë me një syçelëti dhe unitet politik rreth një platforme kombëtare.

“Kjo do të nënkuptonte dështimin e projektit  të Kosovës si shtet multietnik dhe ndarje. Nga kjo gramcë, mund të shpëtojmë vetëm me syçelëti dhe me unitet politik rreth një platforme kombëtare. Taksa 100% duhet të qëndroj derisa Serbia t'i respektoj dhe zbatoj të gjitha marrëveshjet që i ka shkelë gjerë me tani. Nëse kjo nuk ndodhë atëherë gjërat do të vazhdojnë sipas planeve pansllaviste që për fat të keq po i sponsorojmë edhe vetë!”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat