Presidenti Rugova i pazëvendësueshëm në historinë e Kosovës

Politika

Presidenti Rugova i pazëvendësueshëm në historinë e Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 dhjetor 2018 Në ora: 21:32
Ish-presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Është shënuar ditëlindja 74-të e ish-presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Nderi i Dardanisë dhe Gandi i Ballkanit u nderua në forma të ndryshme, shkruan gazeta “Bota sot”.

Për të nderuar veprimtarinë e lavdishme të ish-presidentit Rugova, i cili për afro 20 vjet shpalosi në vete ëndrrën për pavarësi, liri dhe një Kosovë ndryshe, kryesia e LDK-së bëri homazhe tek varri i tij në Velani.

LDK përveç që ka vendosur lule pranë varrit të ish-presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ka edhe vizituar familjen e tij.

Isa Mustafa për Ibrahim Rugovën: Ishte themeltar i shtetit të Kosovës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar ish-presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e shënimit të 74 vjetorit të lindjes.

Sipas Mustafës, Rugova me diplomacinë e tij fitoi përkrahjen e botës demokratike dhe bëri shumë miq të politikës botërore.

“Presidenti Ibrahim Rugova, ishte themeltar i shtetit të Kosovës, burri i madh i këtij vendi, vizionar, i mençur, burrë i urtë dhe me intelektin e pashoq, e udhëhoqi popullin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke e bërë të mundshëm realizimin e këtyre aspiratave shekullore. Rugova, padyshim ishte arkitekt i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ai me diplomacinë e tij fitoi përkrahjen e botës demokratike dhe bëri shumë miq të politikës botërore. Lidhja Demokratike e Kosovës, me përkushtim do të vazhdojë ta mbrojë shtetësinë e Kosovës, partneritetin me SHBA-të dhe shtetet e BE-së, rrugë të cilën e ka trashëguar nga Presidenti Rugova”, ka thënë Mustafa.

Kontributi i Rugovës i jashtëzakonshëm

Image
Agim Veliu

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka thënë se kontributi i Rugovës për Kosovën dhe popullin shqiptar është i jashtëzakonshëm.

“Trashëgimia e tij është shumë e madhe , kontributi i tij është shumë i madh edhe ne jemi borxhli gjithë jetën ta kujtojmë në datëlindjen e tij edhe në data tjera”, ka deklaruar Veliu, shkruan “Bota sot”.

“Njeriu i urtë me intelekt te pashoq”

Image
Skënder Hyseni dhe Isa Mustafa

Edhe ish-bashkëpunëtori i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Skënder Hyseni ka kujtuar atë në ditëlindjen e 74 të presidentit, duke thënë se ai ishte njeriu i urtë me intelekt te pashoq, gjithnjë i qeshur dhe shumë i dashur për njerëzit, ishte arkitekti i shtetit të pavarur të Kosovës, shkruan “Bota sot”.

“Duke kujtuar Ibrahim Rugovën. 2 dhjetori 1944 është data e lindjes së Presidentit Ibrahim Rugova. Dr.Ibrahim Rugova, njeriu i urtë me intelekt te pashoq, gjithnjë i qeshur dhe shumë i dashur për njerzit, ishte arkitekti i shtetit të pavarur të Kosovës. Ndërsa e kujtojmë me mall, në ditën e lindjes së tij, nuk ka si të mos thuhet se Ibrahim Rugova instaloi, për herë të parë në Kosovë, një sistem fundamental vlerash demokratike me orientim të padiskutueshëm për miqësi të veçantë me SHBA, dhe integrim në BE dhe NATO. Ishte konsistent, plot besim, i palëkundur dhe stoik në sprovën më të madhe kombëtare të shekullit, krijimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës. Zoti e bekoftë Ibrahim Rugovën.  Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Hyseni.

“Shënojmë 74 vjetorin e lindjes së arkitektit të shtetit tonë”

Image
Lumir Abdixhiku

Po të ishte gjallë Presidenti Ibrahim Rugova do ta festonte ditëlindjen e 74-të. Kështu ka deklaruar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Nesër shënojmë 74 vjetorin e lindjes së arkitektit të shtetit tonë. Ibrahim Rugova i Kosovës, i priu një vendi të tanë drejt lirisë e pavarësisë; drejt identitetit tonë shtetëror. Urtësia, durimi e maturia e tij politike mbesin virtyte të papërsëritshme në Kosovë. Për këto u çmua brenda nga bashkëqytetarët e tij; u respektua lartë nga aleatët më me nam jashtë. Tipare si këto i mungojnë jetës publike”, ka thënë deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Trashëgimia politike e tij dhe lëvizjes së tij, Republika e Kosovës – shtet i pavarur e sovran – ka me rrnu gjithherë”.

“Ky projekt i arritun me mund plot, ka qenë objekt i rrënuesve të brendshëm e të jashtëm padallim; pandërprerë. Kanë dështuar megjithatë të gjithë; do të dështojnë edhe këta tani”.

“Të rralla personalitetet botërore si presidenti Rugova”

Image
Adem Salihaj

Edhe ish-deputeti i LDK-së në Parlamentin e Kosovës, Adem Salihaj, e ka kujtuar presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovën në ditën e lindjes së tij.

Salihaj thotë se janë të rralla personalitetet botërore si presidenti Rugova, që për një kohë të shkurtër arriti të bëhet i njohur që ti hape dyert e kancelarive të shteteve më të fuqishme të botës, si SHBA, Gjermania, Anglia, Franca e shumë të tjera.

Salihaj thotë se, po të ishte gjallë Dr. Rugova shumë procese do të kryheshin moti, ndërsa Kosova do të ishte integruar në BE dhe NATO.

Ai përmend edhe rastin kur Parlamenti Evropian është ngritur i tëri në këmbë në shenjë respekti për presidentin Rugova.

“Personalitetet më të njohura botërore të kohës u shprehën në superlativ për personalitetin e Presidentit Rugova, duke pohuar se Republika e Kosovës as që mund te imagjinohej pa Presidentin Rugova”, ka thënë Salihaj në, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ndërkohë, kujtojmë se ish-presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 dhe është presidenti i parë i Kosovës. Rugova ka ndërruar jetë si pasojë e sëmundjes së kancerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat