"Presidenti ka prekur zemrat e lënduara të familjarëve të të vrarëve"

Politika

"Presidenti ka prekur zemrat e lënduara të familjarëve të të vrarëve"

Nga: N.A Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 14:47
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dy vite më parë dërgoi katër letra në drejtim të Prokurorisë për të kërkuar nga ata që të fillojnë hetimet rreth krimeve që janë kryer gjatë luftës dhe pas saj, sikurse edhe atentatin ndaj ish presidentit Ibrahim Rugova.

Në letrën e parë, presidenti Thaçi kishte theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës, konkretisht për zbardhjen e disa prej masakrave më të rënda që kishin ngjarë gjatë luftës.

Në letrën e dytë, ai ka kërkuar që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor 1999, përpjekja për atentat kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005, si dhe vrasja e disa personaliteteve publike dhe disa krime të tjera gjatë kësaj periudhe.

Në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar që gjithashtu vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe krimeve monstruoze, siç ishte përdhunimi i personave, veçanërisht i grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999.

Kurse, në letrën e katërt, presidenti Thaçi kishte thënë se ka inkurajuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe zbardhjes të së vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë.

E tash dy vite pas, duket se letrat e presidentit Thaçi  mbetën në sirtarët e Prokurorisë së Kosovës dhe ato ngadalë “po i mbulon edhe pluhuri”.

Njohësi i çështjeve police në vend, Skënder Zogaj ka thënë për gazetën “Bota sot” se koha tregoi se letrat e presidentit Thaçi nuk kishin qenë serioze, sepse, siç po shihet nuk kanë dhënë asnjë rezultat!

Image
Skënder Zogaj

“Letrat e presidentit Thaçi para dy vitesh dërguar Prokurorisë me kërkesën për zbulomin e vrasjeve të pasluftës ishte një nismë jashtëzakonisht e rëndësishme, mirëpo, koha tregoi se, letrat nuk kishin qenë serioze, sepse, siç po shihet nuk kanë dhënë asnjë rezultat! Po të kishte qenë kjo iniciativë serioze, prokuroria nuk do të kishte pasur guxim të mos i implemontonte dhe, kjo do të kishte qenë një arritje tepër e madhe për funksionimin e shtetit ligjor, dhe të drejtësisë, pa të cilat nuk ecje përpara, kur dihet se vrasjet e pasluftës janë teli me gjemba në “qafën” e lirisë dhe në “zemrën” e pavarësisë së Kosovës” ka thënë ai.

Sipas Zogajt, zyrtarët që e kanë neglizhuar kërkesën e Presidentit duhet të përjashtohen nga puna.

“Presidenti nëse nuk ka qenë i sigurtë për suksesin e letrave, nuk është dashur t’i shkruaj, sepse, ka prekur zemrat e lënduara të familjarëve të të vrarëve, prandaj, nuk është dashur të provokojë ndjenjat e trazuara të tyre! Pa dashur që të kalkulojë, them se, nëse Presidenti e ka pasur seriozisht zbulimin e vrasjeve, duhet t’iu kthehet letrave dhe të kërkojë përgjegjësi nga ata që kanë guxuar të mos e përfillin kërkesën e të parit të vendit!? Ky guxim duhet të sanksionohet dhe pa asnjë hezitim, zyrtarët që e kanë neglizhuar kërkesën e Presidentit të përjashtohen nga puna” ka përfunduar Skënder Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat