Gecaj: PSD-ja "edhe me shehër edhe me Barilevë"

Politika

Gecaj: PSD-ja "edhe me shehër edhe me Barilevë"

Nga: N.H Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 19:38
Bajram Gecaj

Partitë opozitare nuk po arrijnë në asnjë mënyrë të gjejë një unitet. Ato vazhdojnë të kenë kundërshti të mëdha lidhur me mënyrën se si duhet qasur dialogut final me Serbinë.

Së fundi është thënë se Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit pritet të jetë pjesë e ekipit negociator të dialogut me Serbinë. Kjo parti po synon ta përfshijë në dialogun me Serbinë edhe partinë e Isa Mustafës dhe atë të Albin Kurtit.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës shprehen se Partia Socialdemokrate është e frikësuar nga sondazhet, andaj edhe bëjnë me dije se kjo parti nuk është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Partia Socialdemokrate është e friksuar nga sondazhet, andaj siç shprehet ai, kjo parti nuk është e gatshme për zgjedhje dhe dëshiron të shtyjnë afatin e zgjedhjeve sa më gjatë që të munden.

“Partia Socialdemokrate po luan me "dy lugë" tani e një kohe të gjatë, apo më mirë me thënë që nga ndarja e tyre nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne popull i thonë se po sillet sikur tenton të jetë "edhe me shehër edhe me Barilevë". Është e qarte se, të frikësuar nga sondazhet e ndryshme, nuk janë të gatshëm për zgjedhje, prandaj dëshirojnë të shtyjnë afatin e zgjedhjeve sa më gjatë që të munden”, ka thënë Gecaj.

Zyrtari i LDK-së tutje ka potencuar se me këtë ata tregojnë se deklarimet e tyre gjatë kohës sa ishin në Lëvizje Vetëvendosje ishin vetëm një retorikë politike dhe se nuk qajnë kokën shumë për situatën në të cilën janë katandisur institucionet e Kosovës.

“Zgjedhjet duhej të organizoheshin dje, prandaj ne edhe ashtu jemi të vonuar, ndërsa PSD-së u nevojitet kohë shtesë që t'i shtrëngojnë radhët e tyre, prandaj edhe flasin për "konsensus nacional" e çështje të rëndësisë kombëtare. Besoj se elektorati i Kosovës këtë e ka marrë vesh, prandaj, pos që do të mund të qëndrojnë edhe pak në parlament, e ndoshta nesër edhe në qeveri, nuk do të munden të përforcohen me metoda të këtilla, por se në zgjedhjet e ardhme do t'i presë një zhgënjim edhe më i madh se sa ai i sondazheve”, ka përfunduar anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat