Profesori ndërkombëtar: Ndarja e çon Kosovën në luftë

Politika

Profesori ndërkombëtar: Ndarja e çon Kosovën në luftë

Nga: D.RR Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 10:40
Policia e Kosovës

Vizita në Prishtinë e komisionerit të BE-së për zgjerim, Johanes Hahn i dha fund shpresave të qytetarëve të Kosovës për liberalizim vizash brenda këtij viti. Pavarësisht premtimeve të shumta nga figurat politike të qeverisë së Kosovës, askush nuk po merr përgjegjësi për dështimin e heqjes së vizave.

Vendosja e taksës 100% ndaj shtetit serb dhe injorimi i kërkesave të BE-së për të hequr këtë taksë si shenjë revolte nga qeveria e Kosovës, nuk mjafton për ta kompensuar dëmin e pakthyeshëm të faljes prej 8.200 hektarëve tokë Malit të Zi në marrëveshjen e demarkacionit. Kjo marrëveshje ishte kusht për liberalizimin e vizave.

Mirëpo, papërgjegjësia e burrështetasve të Kosovës për disfatat në këtë çështje, është shumë brengosëse për qytetarët e vendit.

Imazhi i krerëve të shtetit, mund të jetë arsye shumë e fortë pse BE-ja nuk vendosi që Kosova të futet në agjendën e këshillit të ministrave, e më shumë!

Bytyçi: BE la pas dore çështjen e Kosovës

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, duke folur për “Bota sot” lidhur me këtë temë, ka thënë se Liberalizimi i vizave do të ishte sukses më i madh se sa anëtarësimi në BE. Kjo për shkak të qytetarëve të Kosovës.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Liberalizimi i vizave dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në vendet Shengen, është dhe do të mbetet suksesi më i madh në rrugën e integrimit të vendit në BE. Nuk ka sukses më të prekshëm, as statusi kandidat, as çelja e bisedimeve e madje as pranimi në BE, sa është liberalizimi i vizave. Se kjo ka të bëjë me jetën praktike të qytetarëve. Të tjerat janë më shumë perceptim, propagandë dhe shtojnë sigurinë, por në praktikë ndjehet shumë më tepër lëvizja e lirë. Kosova është vendi i fundit në Evropë, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë, së cilës vazhdohet t’i mohohet kjo e drejtë”, është shprehur ai.

Bytyçi mendon se qeveria e Kosovës i ka përmbushur obligimet e saja në rrugën drejtë liberalizimit të vizave dhe se përgjegjësia tani është në Bruksel.

“Derisa Komisioni dhe Parlamenti Evropian u shprehën se “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kanë rekomanduar liberalizimin e vizave”, deri në këtë moment përgjegjësia ishte e institucioneve të Kosovës. Prej këtij momenti topi ka kaluar në Bruksel. Nëse pas kësaj shtyhet afati dhe duket se deri në vitin 2020 nuk do ketë liberalizim vizash, përgjegjësia direkte është e Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian, për shkak të problemeve të saj të brendshme e la pas dore çështjen e Kosovës. Nuk i bindi pesë vendet anëtare të saj ta njohin atë dhe disbalancoi qëndrimin e saj në favor të agresorëve serbë”, ka theksuar Bytyçi.

Ai frikësohet se BE-ja do ta mbështet vazhdimisht Serbinë, duke thënë se Kosovës mund t’i vihet kusht që të bëj lëshime territoriale ndaj Serbisë, si këmbim liberalizimin e vizave.

“Politika e jashtme e Kosovës është në ditën më të zezë të saj”

Por, Bytyçi thotë se paratë e shtetit të cilat po shfrytëzohen për promovime librash të rrejshëm të Hashim Thaçit, duhet të shkojnë për ministrinë e jashtme që të ketë një lobim sa më efektiv.

“Imagjino çfarë ka ndodhur: Ish ministrat e Milosheviçit marrin në Evropë medalje për paqe! Është komike dhe njëkohësisht tragjike kjo që ndodh! Tani BE ka arritur ta përdorë liberalizimin e vizave, në kundërshtim me dokumentet dhe statutin e saj, si mjet presioni për lëshime politike dhe territoriale ndaj Serbisë. E përdori për demarkacionin me Malin e Zi. Do të përdore për lëshime territoriale me Serbinë. Nuk ka asnjë arsye tjetër pse marrja e vendimit shtyhet për në vjeshtën e vitit të ardhshëm! Por ka papërgjegjësi edhe vetë Kosova. Politika e jashtme e Kosovës është në ditën më të zezë të saj. Diplomacia nuk funksionon. Nuk ka asnjë dokument strategjik se si duhet ngrit imazhi i Kosovës. Paratë e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë përdoren për librat e rrejshëm të Hashim Thaçit e nuk shkojnë për njohjet dhe forcimin e diplomacisë së vendit. Behgjet Pacolli duhet ta pranojë dështimin. Ai i beson më shumë se duhet përrallave të Edi Ramës, megjithëse kryeministri i Shqipërisë e ka sabotuar njohjen e shtetit të Kosovës. Qëllimisht që “të shpallë bashkimin” e saj me Shqipërinë. Në fakt aneksimin e Kosovës nga Shqipëria dhe Serbia me ndarjen e saj. Se bashkimi me ndarje është aneksim me marrëveshje midis Beogradit dhe Tiranës”, ka potencuar ai.

Profesori shton tutje se liberalizimi i vizave po përdoret për presion politik nga BE-ja, Beogradi, Rama dhe Hashim Thaçi.

“Liberalizimi i vizave është një mundësi më shumë për të rezistuar për ndarjen e Kosovës”

Ai thotë se liberalizimi i vizave do të bllokonte tërësisht idenë e ndarjes së Kosovës, e sipas tij, për këtë arsye Thaçi dhe Rama i janë gëzuar mos liberalizimit të vizave.

“Shkurt, liberalizimi i vizave është sa problem i brendshëm, aq edhe i jashtëm. Nuk po ndodh në këto kohë, sepse po përdoret për presion politik mbi qeverinë e Kosovës nga vetë Bashkimi Evropian, por edhe nga Beogradi, nga Tirana e Edi Ramës dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Rama dhe Thaçi janë të vetmit shqiptarë të lumtur që nuk realizohet e nuk merret vendimi për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës. Por, ndërsa Rama e fsheh këtë lumturi me mashtrimet e kritikave ndaj Brukselit, Thaçi e paralajmëron me gëzim mos liberalizimin e vizave. Nuk e fsheh lumturinë e tij për këtë. Sepse ai e di se liberalizimi i vizave është një mundësi më shumë për të rezistuar për ndarjen e Kosovës. Shqiptarët kanë nevojë për një lidership që u flet hapur atyre, që ua thotë troç se cilat janë synimet e plan prishësve për të ardhmen  e vendit. Ndryshe do të vihet në diskutim shtetësia dhe integriteti territorial i vendit. Lidershipi shqiptar në Kosovë e ka për detyrë ta parandalojë ndarjen e Kosovës edhe me rriskun e mos liberalizimit të vizave. Sepse ndarja do të çojë në luftë dhe lufta do ta zgjasë procesin edhe një dekadë tjetër”, ka përfunduar Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat