Hapja e çështjes së kufijve “shuplakë fytyrës” për 116 vende që e kanë njohur Republikën e Kosovës

Politika

Hapja e çështjes së kufijve “shuplakë fytyrës” për 116 vende që e kanë njohur Republikën e Kosovës

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 5 dhjetor 2018 Në ora: 20:49
Hashim Thaçi foto ilustrim "Bota sot"

“Vlerësoj se ka qenë gabim të hapët kjo temë, që po rrënon fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe ka rikthyer rolin e Serbisë si vend përcaktues në definimin e shtetësisë së Kosovës, kjo është shuplakë fytyrës për 116 vende që kanë njohur Republikën e Kosovës në këta kufi, të njohur edhe nga GJND e cila ka legalizuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës si normën bazike të kushtetues tonë. Pa u ndryshuar ky diskurs, nuk mund të ketë përmirësim në sferën e njohjeve ndërkombëtare, si dhe izolimi do vazhdojë”, ka thënë Taulant Kryeziu nga instituti EPIK.

Dështimet në sferën e diplomacisë e Kosovës nuk kanë të ndalur.

Pas mega shout të krijuar nga kreu i Ministrisë së Jashtme, Behgjet Pacolli në Amerikë që çfarë nuk bëri që ti jepte dorën presidentin Trump, shtetet që e kanë njohur Kosovën po vazhdojnë të pakësohen.

E i fundit dështim i këtij dikasteri ishte tentim tërheqja e njohjes nga Ishujt Solomon për Kosovën.

Qeveria e Kosovës ka kohë që ka aktivizuar mekanizmat e saj diplomatikë për t’u përballur me agresivitetin diplomatik të Serbisë, që po manifestohet jo vetëm me përpjekjet për të ndaluar njohjet e reja dhe pengesat për anëtarësimin e Kosovës në organizata e mekanizma ndërkombëtarë.

Por, Beogradi po vazhdon t`u kërkojë vendeve të caktuara që të tërheqin njohjet e shtetit të Kosovës.

Deputetë dhe njohës të çështjeve diplomatike vënë në pikëpyetje se pakësimi i njohjeve kohëve të fundit ka prejardhje edhe nga ideja e Presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh, duke bërë që të mos e marrin seriozisht ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Rrahmani: Presidenti është përgjegjës për përçarjen e thellë të skenës politike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Ministri Pacolli po mjaftohet me udhëtime të shumta pa e vlerësuar asnjëherë se cili është rezultati diplomatik .

Image
Imet Rrahmani

“Kjo situatë rreth njohjeve është dëshmi se diplomacia kosovare jo vetëm që ka dështuar por fare nuk ekziston në kuptimin e aktiviteteve diplomatike efikase. Si duket Ministri Pacolli po mjaftohet me udhëtime të shumta pa e vlerësuar asnjëherë se cili është rezultati diplomatik. U pa te Interpoli, te liberalizimi dhe te zero njohje të reja, përkundrazi me “çnjohje”! Sot nuk mund të amnistohet asnjë politikan i veshur me pushtet për situatën ku jemi”. Është shprehur ai.

Rrahmani me këtë rast ka hedhur gishtin te Presidenti i vendit, Hashim Thaçi duke theksuar idenë e tij për “korrigjim” të kufijve.

“Nëse për asgjë tjetër Presidenti është përgjegjës për përçarjen e thellë të skenës politike e cila ka rezultuar me qëndrime kundërthënëse jo vetëm me opozitën por edhe në mes të krerëve të shtetit. Sikur ideja për korrigjim të kufijve të bëhej më transparente dhe të argumentohej bindshëm, nuk kishte me ardhë deri te reagimet e ashpra” ka përfunduar deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani.

Kosova drejtë humnerës, njohjet po i hiqen nga shtete të ndryshme të botës

Taulant Kryeziu, kryetar i Bordit te Institutit EPIK ka thënë për gazetën “Bota sot” se ideja e shkëmbimit të territoreve ka shkaktuar konfuzitet, polarizim të skenës politike vendore, për shkak se hapja e temës së territorit, që krahas ushtrimit të pushtetit në të, dhe popullsisë, përbëjnë tre elemente bazë për njohjen e shtetësisë së një vendi.

Image
Taulant Kryeziu

“Diskursi rreth idesë së shkëmbimit të territoreve ka shkaktuar konfuzitet, polarizim të skenës politike vendore si dhe mos unifikim të faktorit ndërkombëtar mbi këtë pikë, për shkak se hapja e temës së territorit, që krahas ushtrimit të pushtetit në të, dhe popullsisë, përbëjnë tre elemente bazë për njohjen e shtetësisë së një vendi. Ajo që kemi pa si rezultat dialogut numri i njohje ka filluar dukshëm të bie. Në vitin 2012 kemi pas 12 njohje, 2017 kemi pas 2 njohje dhe 2018, 1 njohje”, ka thënë ai. Sipas tij, pa u ndryshuar ky diskurs, nuk mund të ketë përmirësim në sferën e njohjeve ndërkombëtare, si dhe izolimi do vazhdoj”. Është shprehur ai.

Kryeziu e vlerëson si të gabuar hapjen e kësjaj teme, duke thënë se ajo po e rrënon subjektivitetin e shtetit të Kosovës.

“Vlerësoj se ka qenë gabim të hapët kjo temë, që po rrënon fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe ka rikthyer rolin e Serbisë si vend përcaktues në definimin e shtetësisë së Kosovës, kjo është shuplakë fytyrës për 116 vende që kanë njohur Republikën e Kosovës në këta kufi, të njohur edhe nga GJND e cila ka legalizuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës si normën bazike të kushtetues tonë. Pa u ndryshuar ky diskurs, nuk mund të ketë përmirësim në sferën e njohjeve ndërkombëtare, si dhe izolimi do vazhdojë”, ka përfunduar Taulant Kryeziu nga instituti EPIK.

MPJ përgënjeshtron tërheqjen e njohjes nga Ishujt Solomon

Ndërsa, Ministria e Punëve të Jashtme përgënjeshtroi raportimet në media për kinse pranim të dokumenteve zyrtare nga Ishujt Solomon për lëkundje të qëndrimit të këtij shteti ndaj Republikës së Kosovës.

Nëpërmjet një komunikate, Ministria e Punëve të Jashtme rikonfirmon se nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga ky shtet dhe si rrjedhim nuk komenton ‘dokumente’ të paverifikuara, që “mund të qarkullojnë për qëllime propaganduese, agjenda të dyshimta dhe synojnë krijimin e lajme të rreme.

Ministria e Punëve të Jashtme rikujton se Ishujt Solomon e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në vitin 2014, ndërsa një vit më vonë janë vendosur edhe marrëdhënie diplomatike, nivel ky më i lartë i marrëdhënieve në mes dy shteteve.

Po ashtu, Ministria thekson se përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në vazhdimësi kanë mbajtur kontakte dhe kanë zhvilluar takime bilaterale të nivelit të lartë me përfaqësuesit këtij shteti, ku janë shprehur zotime të dyanshme për thellimin e këtyre marrëdhënieve në mes dy popujve dhe dy vendeve.

Ndryshe, ditë më parë në media e Kosovës ka qarkulluar një dokument, i cili pretendohej se është dokument zyrtar i Ishujve Solomon, përmes të cilit ata njoftonin tërheqjen e njohjes së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat