Krasniqi tregon se cilat janë pasojat për Kosovën nëse hiqet taksa pa kushte ndaj Serbisë

Politika

Krasniqi tregon se cilat janë pasojat për Kosovën nëse hiqet taksa pa kushte ndaj Serbisë

Nga: N.H Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 23:32
Foto ilustrim

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur i befasuar me presionin e bashkësisë ndërkombëtare në drejtim të Kosovës, pas vendimit të fundit për taksën 100 ndaj mallrave serbe.

Krasniqi ka thënë se është e pabesueshme se si një kontinent i tërë është shndërruar në avokate dhe zëdhënëse të një shteti agresor si Serbia.

“Është e pabesueshme se si një kontinent i tërë është shndërruar në avokate dhe zëdhënëse të një shteti agresor si Serbia, duke i bërë presion Kosovës për heqjen e taksës së vendosur ndaj këtij shteti që me të gjitha mjetet dhe në mënyrë perverse po e lufton shtetin e Kosovës. Të një shteti që vrau dhe masakroi mbi 350 mijë njerëz në disa luftëra. Të një shteti që ushtroi gjenocid mbi shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët. Në vend se të bëjnë presion ndaj Serbisë që ta ndal ajo luftën e egër ndaj Kosovës, ata bëjnë presion ndaj nesh. Sikur të bënin presion ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin dhe si garantuese e këtyre marrëveshjeve Bashkimi Evropian, gjërat nuk do të shkonin deri aty që Kosova të aplikonte këtë taksë ndaj Serbisë dhe Bosnjës që Kosovën lëre që nuk e njohin si shtet, por e luftojnë dhe mohojnë çdo gjë nga shteti ynë. Por siç duket Kosova nuk është interesant për BE-në dhe as që ka qenë ndonjëherë”, ka thënë Krasniqi.

Me tej, ai ka shtuar se pavarësisht presionit ndërkombëtar rreth taksës së vendosur, Kosova nuk guxon të lëshojë pe, sepse, sipas tij, kjo është karta e vetme që të mbrohet vendi nga ky agresion i Serbisë.

Image
Faik Krasniqi

“Nëse Kosova do të kishte qenë interesant për BE-në dhe në agjendën e tyre, zëdhënësi dhe avokati i Serbisë, Johannes Hahn, nuk do të vinte për të bërë presion për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë. Pavarësisht presionit ndërkombëtar rreth taksës së vendosur Kosova nuk guxon të lëshojë pe, sepse kjo është karta jonë e vetme që të mbrohemi nga ky agresion i Serbisë. Kjo është karta jonë që të jemi të barabartë edhe në bisedime me Serbinë, gjë që nuk ishim deri më tani. Kosova për ta hequr taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës duhet t'i vë këto kushte ndaj BE-së dhe Serbisë. 1) Serbia t'i zbatojë në praktikë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën. 2) Kosovën mos ta pengojë në anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare dhe deputetët e Listës serbe të votojnë Ushtrinë e Kosovës. 3) Të zhbllokohet hapësira ajrore me Serbinë. 4) BE-ja menjëherë t'i heq vizat për qytetarët e Kosovës. 5) Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Nëse pranohen këto kushte nga Serbia dhe BE-ja, atëherë ja vlen që të hiqet taksa, sepse Kosova përndryshe do të dilte fitimtare”, ka thënë ai.

Në fund, njohësi i zhvillimeve politike ka nënvizuar se me heqjen e taksës pa asnjë kusht do të dalim humbës në çdo gjë, madje siç potencon Krasniqi, rrezikohet edhe copëtimi i Kosovës.

“Përndryshe, me heqjen e taksës pa asnjë kusht siç jemi mësuar ne, edhe atëherë kur filluam dialogun me Serbinë pa asnjë kusht të vetëm, do të dalim humbës dhe na rrezikohet çdo gjë, madje edhe copëtimi i Kosovës. Duhet të mësohemi një herë e mirë që për interesat shtetërore të vendosim kushte edhe ne, ashtu siç vendosin kushte çdo shtet për interesat e tyre. Serbia me kushte gjithmonë ka fituar gjithçka. Kështu do ta vlerësojnë dhe respektojnë të gjithë, e jo si deri më tash duke na përbuzur dhe shkelur mbi dinjitetin tonë. Të përbuzur se të përbuzur, të shkelur se të shkelur, të izoluar se të izoluar, të paktën të tregojmë respekt për veten tonë”, ka përfunduar Krasniqi.

Ndryshe, kujtojmë se edhe komisari për zgjerim pranë BE-së, Johanes Han, pas takimeve me krerët shtetëror të Kosovës, ka deklaruar se Unioni është i befasuar dhe i dëshpëruar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind të importit të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat