Serbia do të përballet me aleancën më të fuqishme në botë

Politika

Serbia do të përballet me aleancën më të fuqishme në botë

Nga: D.B Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 07:59
Ushtarët e KFOR-it në Kosovë, foto arkiv

I ashtuquajturi shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka kërcënuar hapur shqiptarët duke thëne se Serbia është sërish e gatshme për luftë me Kosovën.

Në seancën e Komitetit Ekzekutiv të partisë SNS, në Çaçak, ai ka deklaruar se nuk përjashtohet mundësia e ndonjë konflikti të armatosur me shqiptarët.

Njohësit e çështjeve politike dhe deputetë të subjekteve të ndryshme politike konsiderojnë së deklarimet e tilla të (Gjuriqëve) me shokë, janë vetëm shpërfaqje të shovinizmit serb dhe urrejtjes së madhe që kanë për shqiptarët.

Megjithatë sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet që të veprojë në drejtim të formimit dhe forcimit të ushtrisë dhe atë ta mbështesë financiarisht atë, pasi kjo do të ishte përgjigja më e mirë që do të duhej ti jepej Gjuriqit.

Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Studime të Sigurisë Armend Halimi, ka pohuar se kërcënimet e udhëheqësisë së Serbisë për luftë ndaj Kosovës, janë risi, ngase ka vite që në fjalorin e Serbisë kanë munguar reagime të tilla.

Ai ka thënë se këto deklarata të Gjuriqit më tepër janë lloj fjalësh sesa një realitet i mundshëm.

Image
Armend Halimi

“E gjithë kjo ka ndodhur për shkak se vetë shteti serb e ka të qartë se me rastin e agresivitetit të hapur me sulm ndaj Kosovës, do të përballet me aleancën më të fuqishme në botë, siç është NATO, nën mbrojtjen e secilës është Kosova që nga viti 99. Andaj, retorika e tillë është lojë politike me dy qëllime: e para siç njihet në gjuhën diplomatike ‘Diplomacia imponuese’ me anë secilës synon të imponoj bindje apo nënshtrim të shtetit tonë ndaj interesave të saj, dhe dyta ka për qëllim të tregoj ‘gatishmërinë’ e shtetit për të sakrifikuar me luftë karshi vullnetit të popullit serb, të ëndërruar për gjatë gjithë historisë, dhe duke jetuar me këtë iluzion se Kosova me as një kusht nuk do të humbet”, ka thënë Halimi.

“Konfliktet e izoluara apo guerile të grupeve me sponzorizim të shtetit serb, janë të mundshme”

Sipas tij, kjo sigurisht është karta e fundit e Serbisë e cila po përpiqet të luaj pas ballafaqimit me fuqinë reale të Kosovës.

“Kjo ka ndodhur edhe për shkak që kohën e fundit janë ndeshur me rastin e vënies së taksës nga ana e vendit tonë karshi produkteve të tyre, si dhe pas stagnimit apo dështimit në realizimin e projektit të fshehtë për ndarje të Kosovës. Për ndryshe, Serbia tani më si shtet hiq më tepër se çdo shtet tjetër në rajon, nuk do të kishte guximin e as forcën e ballafaqimit me një aleancë të tërë perëndimore, përkundër faktit se mbrapa saj qëndron një fuqi e madhe botërorë sikurse është Rusia”, ka thënë Halimi.

Ai ka theksuar se, në rezistencë do të kishte një fuqi akoma më të madhe botërore, sikurse është Amerika, pasi fati global apo rajonal i paqes dhe luftës përcaktohet vetëm nga fuqitë në fjalë, e assesi me nga një shtet minor sikurse është Serbia, gjë që kjo e fundit sikur po harron se ka vdekur fuqia e saj e dikurshme si një federatë.

“Megjithatë konfliktet e izoluara apo guerile të grupeve me sponzorizim të shtetit serb, janë të mundshme në zonat e kontestuara territoriale, ndaj të cilave duhet të jenë vigjilente organet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë me mbikëqyrje të shtuar. Deklaratat e Gjuriqit po ashtu janë nxitje për grupe terroriste, sesa për sulm shtetëror”, ka thënë Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Studime të Sigurisë Armend Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat