“Pezmi i popullatës do të bjerë mbi qeverinë”

Politika

“Pezmi i popullatës do të bjerë mbi qeverinë”

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 7 dhjetor 2018 Në ora: 08:18
Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje

Dështimet e njëpasnjëshme të kësaj Qeveria e kanë prishur edhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Pas këtyre dështimeve dhe skandale të Kosovës, po sugjerohet që Qeveria të japë dorëheqje.

Kosovës si asnjëherë me parë po i mungon një lider i cili i prinë një proteste madhështore për rrëzimin e Qeverisë.

Në Francë, për 7 cent rritje të çmimit të naftës, gati sa nuk u përmbys Franca pas protestave të cilat filluan të bëhen të dhunshme. Më shumë së dy javë protesta derisa Qeveria franceze morri vendim për mos rritjen e çmimit të naftës.

A duhet një revolucion i ri në Kosovë, me protesta masive deri në largimin e politikanëve të korruptuar?

Gecaj: Po tentojmë ende që rrëzimin ta organizojmë në mënyrën institucionale

Image
Bajram Gecaj

Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë se, lideri nuk i mungon Kosovës, por po tentohet që të rrëzohet qeveria në mënyrë institucionale.

“Lideri nuk i mungon, por ne po tentojmë ende që rrëzimin ta organizojmë në mënyrën institucionale. Përndryshe, nëse në vendosim të ngrisim popullin në këmbë, pezmi i popullatës do të bjerë mbi qeverinë siç nuk e kanë parë kurrë më herët”, thotë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Kosovës i mungon koncepti politik

Image
Skënder Zogaj

Por, analisti politik, Skënder Zogaj thekson se, Kosovës më shumë se sa një lider i fortë, i mungon koncepti politik për modelin e duhur qeverisës, pa të cilin të gjitha synimet dhe përpjekjet e tjera janë ndërmarrje utopike, që manifestojnë shumë zhurmë por nuk sjellin asnjë rezultat të dobishëm zhvillimor!

“Aktualisht gjithë spektri politik kosovar po ushqehet me vetëmashtrimin e meritave që i ka për qeverisje, por në fakt, asnjëra parti nuk ka vizion dhe as potencial për një qeverisje te konsoliduar që do ta nxirrte Kosovën nga ngulfatja aktuale! Kërkesa për një lider që do të organizonte dhe udhëhiqte protesta madhështore për rrëzimin e Qeverisë është skandaloze, sepse, Kosova nuk del nga kriza me trazira dhe demonstrata gjithë popullore, por, i duhen liderë të urtë e të mençur, udhëheqës të përkushtuar institucionalistë, zbatues të ligjit dhe sakrifikues të interesit personal për të mirën e vendit!”, thotë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet se, Franca nuk është shembulli ynë, sepse ajo nuk i ka hallet tona jetike, varfërinë e skajshme, prandaj populli atje e ka luksin që të bëjë kërdi për rritjen e çmimit të naftës për 7 cent!

“Ata po, kanë të drejtë të reagojnë edhe dhunshëm, por jo ne që si popull jemi fajtor, sepse qeveria aktuale dhe të gjithat para saj janë rezultat i votës sonë gjithë popullore! Vota dhe vetëm vota duhet të jetë mënyra jonë e ngritjes së qeverive, sot e nesër, gjithmonë!”, deklaron ai.

Mushkolaj: Mendësia qytetare në Kosovë është tjetër

Image
Imer Mushkolaj

Kurse, analisti politik, Imer Mushkolaj thekson se, punëdhënësi në Kosovë është Qeveria, ndërsa protesta janë organizuar në Kosovë, por mbështetja nuk ka qenë e mjaftueshme.

“Mendësia qytetare në Kosovë është tjetër. Po ashtu, nuk duhet harruar se  punëdhënësi kryesor në Kosovë është Qeveria. Nuk është çështja e mungesës së ndonjë lideri, por është çështje ose jo e kuptimit të seriozitetit të situatës nga ana e qytetarëve. Nuk është se nuk janë organizuar protesta në Kosovë, por mbështetja nuk ka qenë e mjaftueshme për t'i kthyer ato në një lëvizje gjithëpërfshirëse”, thotë Mushkolaj për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj deklaron se, situata politike e krijuar në Kosovë së fundmi, nuk është asgjë tjetër pos një vazhdimësi e asaj që ka qenë tash e disa vite me radhë.

Image
Leon Duhanaj

“Mungesë bashkëpunimi total në skenën politike, politika gjegjësisht politikanë skandaloz, dështime të vazhdueshme në të gjitha fushat dhe së fundmi kemi edhe përpjekje për ta vënë në pikëpyetje edhe vetë shtetësinë e Kosovës. Këso gjërash nuk mund t'i ndodhin një shoqërie normale dhe të emancipuar politikisht dhe kulturalisht”, pohon ai.

Ai shton se, tek ne as s’ka kush qeverisë, por as kush e ndryshon atë apo që mund ta rrëzoj një qeveri dhe ta sjell një tjetër me të mirë.

“Ndërsa, sa për revolucion. Ai nuk ka ndodhur asnjëherë tek shqiptarët, kemi patur dhe kemi shumë nevojë për ndryshime revolucionare por vështirë që mund të ndodhë. Sepse po të kishte ndodhë tek ne revolucion kulturorë dhe emancipues, nuk do ta kishim një gjendje të tillë të mjerueshme në të gjitha aspektet”, deklaron ai për gazetën “Bota sot”.

Shala: Opozita mund ta marr pushtetin pas zgjedhjeve

Image
Krenar Shala

Edhe Krenar Shala nga shoqëria civile në Kosovë, pohon se, shteti i Kosovës i takon qytetarëve te saj, dhe këta të fundit duhet të vendosin se si duhet të jetë fati dhe drejtimi i vendit të tyre.

“Duke i marr parasysh rrethanat në të cilat jetojmë, revolucioni mendoj që është i pamundur, sepse Kosova ka sistem politik i cili siguron që qeveria të bie lehtë, vetëm duhet që partitë opozitarë të jenë më të koordinuara dhe të mos mendojnë vetëm për interesin e tyre partiak. Tani për tani, mendoj që opozita nuk i ka numrat për ta rrezuar qeverinë.  Mendoj po ashtu që sa më shumë që zgjatë jetëgjatësia e kësaj qeverie, aq më të mëdha janë gjasat që opozita ta marr pushtetin pas zgjedhjeve, nëse normalisht ekziston një koordinim dhe bashkëpunim i sinqertë”, potencon Shala për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat