Eksperti i sigurisë flet për formimin e Ushtrisë dhe përballjen me NATO-n

Politika

Eksperti i sigurisë flet për formimin e Ushtrisë dhe përballjen me NATO-n

Nga: G. B. Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 14:22
NATO

14 dhjetori është dita e caktuar për seancë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri përmes tri ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend.

Por, sipas NATO-s, tani nuk është koha e duhur për formimin e ushtrisë dhe nëse ndodh kjo, Kosova do të përballet me pasoja serioze.

Të martën sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se  ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat” dhe nëse ndodh kjo, NATO-ja do ta shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”.

Lidhur me këtë çështje, kryeministri i Kosovës ka thënë se formimi i ushtrisë është proces i brendshëm dhe në përputhje me Kushtetutën, në atë mënyrë që nuk rrezikon marrëdhëniet me NATO-n.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, fillimisht ka përmendur aktivitetin e Serbisë kundër Kosovës për anëtarësimin në INTERPOL dhe më pas detyrimin e Kosovës që t’i vendos taksë Serbisë për produktet që vijnë këtu.

Image
Hajrullah Tërnava

Sa i përket ushtrisë, Tërnava thotë se derisa nuk u bë me ndryshime kushtetuese për shkak të Listës Serbe, po bëhet me ndryshimin e projektligjeve për FSK-në në Kuvend dhe kjo po bëhet me përkrahjen e shteteve të fuqishme.

“Njëkohësisht Kosova përmes shteteve mike, ndërmori sinjalin ta krijojë ushtrinë e saj, mbasi sipas Kushtetutës ishte vështirë për tu arritur një vendim i tillë kushtetues për shkak Listës Serbe, atëherë u ndërmor mënyra që përmes ligjit që e miraton parlamenti i Kosovës, e që në fazën e parë i ka kaluar tri format në këtë parlament dhe si fazën e fundit pritet të miratohet në mbledhjen e caktuar me 14.12.2018. Edhe kjo mënyrë e formimit të ushtrisë përmes ligjit, nuk do ta fillojë punën e saj, po mos ta kishim përkrahjen e të mëdhenjve të botës apo shteteve mike që na ndihmuan të çlirohemi. Ditët në vijim do argumentohet ky fakt se a do të arrihet ky qëllim”, ka theksuar Hajrullah Tërnava.

Sipas tij, reagimet nga NATO dhe shtete tjera ishin befasi dhe qeveria duhet të merr aktivitete në lidhje me këtë, pasi nëse e ka nisur këtë proces krye në veti, më mirë të japë dorëheqje.

“Patëm reagimin e Sekretarit të NATO-se i cili u deklarua se formimi i ushtrisë në këtë kohë është i ngutshëm dhe nuk ishte në koordinim me NATO-n. Reagime të ngjashme pati edhe nga Kina dhe Rusia që kërkuan edhe nga OKB që të ndalohet formimi i ushtrisë së Kosovës, e kur dihet që në fuqi ende është rezoluta 1244. Krejt kjo për në kosovarët ishte një befasi, së paku deri më tani ka mbretëruar bindja se kjo është tani punë e kryer. Tani diplomacia e jonë duhet të ndërmerr aktivitete të vrullshme me miqtë tanë, që ata që na e kanë dhënë lejen që të krijohet ushtria përmes ligjit, të na qëndrojnë pranë dhe ta zgjedhin këtë kontest të çështjes së formimit të ushtrisë. Në të kundërtën nëse Qeveria në pushtet, krejt këtë aktivitet të deritashëm rreth formimit të ushtrisë është e ka zhvillua krye në veti, menjëherë duhet të jep dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, ka vlerësuar eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë që Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat