Ish gjenerali Qehaja tregon inskenimin që mund ta bëjë Beogradi për të penguar ushtrinë, thotë se nuk duhet të zmbrapsemi

Politika

Ish gjenerali Qehaja tregon inskenimin që mund ta bëjë Beogradi për të penguar ushtrinë, thotë se nuk duhet të zmbrapsemi

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 9 dhjetor 2018 Në ora: 16:32
Ish gjenerali Ramadan Qehaja

Ish gjenerali, eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka folur për gazetën “Bota sot” pak ditë para se Kuvendi pritet të votojë për ushtrinë e Kosovës.

Qehaja shprehet shumë i lumtur që po kryhet kjo detyrë, për të cilën ai thotë se është dashur të kryhet para katër viteve.

“Unë jam shumë i gëzuar që më në fund po kryhet një detyrë që është dashur të kryhet para katër viteve. Nuk do të thotë që me 14 dhjetor ne do ta kemi ushtrinë e gatshme, siç po ka pretendime dhe po duan të pretendojnë se do të ketë një destruktivitet të kësaj ushtrie e që me të madhe po e pengon Beogradin zyrtarë”, ka thënë Qehaja.

Ai ka nënvizuar se nuk është me rëndësi tani në këto momente se kush është fajtor e kush jo për vonimin e kësaj ushtrie, por me rëndësi është se kjo çështje po shkon përpara.

“Por unë kujtojë, pa hyrë në historiat se kush është dhe kush nuk është fajtor, sepse kjo për momentin aktual nuk është me rëndësi. Me rëndësi është se kjo çështje do të ecë dhe kujtojë se me 14 dhjetor do të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës tri ligjet që kanë të bëjnë me Forcën e Sigurisë së Kosovës, përkatësisht me dhënien e kompetencave ushtarake të kësaj force”, është shprehur ai.

Ish gjenerali flet për tentimet e Beogradit për qëndrimet absolutisht kundër kësaj ushtrie, duke thënë se Serbia ka arritur t’i sensibilizoj disa shtete anëtare të NATO-së të cilat nuk na kanë pranuar si shtet.

Qehaja thekson se deklaratat e sekretarit të NATO-së i cili u treguar skeptik për këtë ushtri, vinë nga një presion nga pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Por, ai thekson se Kosova nuk duhet të zmbrapset sidomos tani kur ka mbështetjen e plotë të SHBA-së

“Unë kujtoj se pala serbe kundër kësaj force të armatosur ka qenë shumë e zëshme. Ajo ka arritur t’i sensibilizoj disa shtete anëtare të NATO-së të cilat nuk na kanë pranuar si shtet dhe po e shohim që edhe sekretari gjeneral i NATO-së doli me një deklaratë që për ne nuk ishte e volitshme, por duke lexuar mes rreshtave të deklaratës së tij, shihet që ai ka qenë në një presion të madh për shkak të asaj që siç thash pak më parë, ato shtete e kanë kundërshtuar një gjë të tillë. Por, pavarësisht presionit të saj, unë kujtoj që ne nuk mundemi tash të zmbrapsemi, aq më parë kur e kemi një përkrahje të jashtëzakonshme nga SHBA, edhe pse këta të fundit deri më tani ka qenë shumë e përmbajtur dhe na kanë sugjeruar që t’i shterim të  gjitha mundësitë për t’ia shpjeguar minoritetit serb në Kosovë se kjo forcë do të jetë forcë multi-etnike për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë. Kur është parë që me të vërtetë destruktiviteti i Beogradit zyrtar nëpërmjet Listës Serbe nuk po lëshon pe, atëherë SHBA vendosi që të na përkrahë maksimalisht”, ka theksuar ish gjenerali.

Ai mendon se kur të votohet ushtria e Kosovës, Beogradi do të inskenojë një frikësim të serbëve në Kosovë nga kjo forcë e sigurisë së Kosovës, por Qehaja thekson se shteti ynë duhet të jetë i përgatitur politikisht e në mënyrë diplomatike, si dhe të ndërmarrim masa nëse është nevoja.

“Në ditën kur të votohet ushtria, unë mendoj që ne që tani si shtet, si qeveri, si ministri e mbrojtjes, duhet të ulemi dhe të bëjmë një analizë se çfarë mund të ndodh pas votimit të ligjeve për ushtrinë dhe mundësinë e destruktimeve që Beogradi zyrtar mund t’i shpik në Kosovë. Por, kur ta vlerësojmë situatën, duhet të jemi të përgatitur që me ndërmarrë edhe masa që ne këtë detyrë ta kryejmë siç duhet. Unë mendoj që mund të inskenohet një frikësim i serbëve të Kosovës prej kësaj force, e këtë e ka synim Beogradi, gjë që nuk është e vërtetë. Serbët lokal të Kosovës këtë e dinë shumë mirë që nuk ka kurrfarë rrezikshmërie për ta, por Beogradi zyrtar me Vuçiq në krye mund t’i shtyjnë disa njerëz që të marrin veprime të padëshirueshme dhe ne duhet të jemi të përgatitur që të dalim menjëherë me shpjegime në aspektin politik e diplomatik që kjo forcë nuk është e destinuar për serbët lokal”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot” ish gjenerali Ramadan Qehaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat