Gjykata Speciale: Avokati Tomë Gashi paralajmëron ata që gjenden në raportin e Dick Martyt

Politika

Gjykata Speciale: Avokati Tomë Gashi paralajmëron ata që gjenden në raportin e Dick Martyt

Nga: G. B. Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 10:05
Tomë Gashi

Dy ish luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë thirrur nga Gjykata Speciale për intervistim.

Ish komandanti i luftës, njëherësh ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa, do të paraqitet do të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë për intervistim me datën 14 janar.

Kjo është konfirmuar nga avokati Arianit Koci, i cili ka thënë se ai do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar.

Ndërsa, ish ushtari i UÇK-së, Astrit Shabani, është intervistuar nga hetuesit e Prokurorisë së Gjykatës Speciale nën dyshimin se është i përfshirë në vrasjen e një personi nga komuniteti serb dhe dy personave të tjerë nga komuniteti rom.

Lidhur me këtë çështje, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk ka arsye për befasi, pasi është pritur që Gjykata Speciale të fillojë punën.

“Sigurisht se është ditur që Gjykata Speciale një ditë do të fillojë punën e saj. Dhe nuk ka kurrfarë arsye për befasi fallco sepse këtë e kanë pritur edhe deputetët e Kosovës kur kanë votuar Gjykatën Speciale kundër vetvetes, kur kanë votuar këtë gjykatë me 4 gusht 2015”, është shprehur ai.

Avokati paralajmëron se viti 2019 do të jetë një vit i nxehtë, pasi gjykata është serioze edhe pse shumë e dëmshme për shqiptarët.

“Tanimë dihet se Rrustem Mustafa-Remi është i ftuar për intervistë nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë të Holandës, për datën 14 janar të vitit që po vjen 2019.  Dhe ky vit do të jetë vit i nxehtë për ata që do të akuzohen atje, sepse Gjykata Speciale është gjykatë serioze edhe pse shumë e dëmshme për shqiptarët në përgjithësi, për ne shqiptarët e Kosovës në veçanti dhe posaçërsisht për ish pjesëtarët e UÇK-së”, ka vlerësuar Gashi.

Sipas tij, secili që e gjen veten në raportin e Dick Martit duhet të brengoset, derisa shton se Gjykata do të ftojë edhe komandantë dhe ushtarë tjerë të UÇK-së, ndërsa që më e keqja sipas tij, është që nuk dihet se sa do të zgjasë puna e Gjykatës Speciale.

“Sigurisht që ka arsye për brengosje secili që e gjen emrin e vet në raportin e Dick Marty. Dhe Gjykata normal që do të ftojë edhe të tjerë komandantë dhe ushtarë të UÇK-së. Dhe çka është më e keqja, nuk ka ndonjë datë e as vit se sa do të zgjasë puna e Gjykatës Speciale”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat