Abazi: Shkuarja e Thaçit në Gjykatën Speciale do të mbyllë një kapitull të errët të historisë së re të Kosovës

Politika

Abazi: Shkuarja e Thaçit në Gjykatën Speciale do të mbyllë një kapitull të errët të historisë së re të Kosovës

Nga: G. B. Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 12:55
Hashim Thaçi dhe Haki Abazi

Gjykata Speciale ka filluar ftesat e për intervistim ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tashmë është ftuar ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, i cili do të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë për intervistim me datën 14 janar.

Ndërsa, ish ushtari i UÇK-së, Astrit Shabani, është intervistuar nga hetuesit e Prokurorisë së Gjykatës Speciale nën dyshimin se është i përfshirë në vrasjen e një personi nga komuniteti serb dhe dy personave të tjerë nga komuniteti rom.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Gjykata Speciale është thembra e Akilit për Kosovën, e cila është përgatitur nga Thaçi dhe njerëzit e tij.

“Gjykata Speciale është thembra e Akilit për Kosovën. Këtë Gjykatë e ka pranuar dhe përgatitur vet Thaçi dhe njerëzit e tij. Ai ju ka dredhuar krahun deputetëve të parlamentit për ta votuar. E qartë kjo Gjykatë është nisur me akuzat e Dick Martit ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe jo kundër UÇK por përcaktimi për të ndjekur pjesëtarë të shqiptarëve etnik është një presedan i rrallë në botë. Mendoj për këtë dështim të madh duhet mbajtur përgjegjësi vet Thaçi dhe Hajredin Kuqi”, është shprehur ai.

Abazi ka pyetur nëse edhe rastet e UNMIK-ut dhe EULEX-it do të ngarkohen ndaj njerëzve tjerë, derisa shton se Kosova ka paguar çmim të lartë.

“Tani çështja kyçe është nëse akuzat dhe çështjet e ngritura nga raporti i Dick Martit e të drejtuara drejt Thaçit, shtrohet pyetja nëse prapë si në Hagë dhe në rastet e UNMIK-u e EULEX-i do të ngarkohen ndaj njerëzve tjerë. Kosova është lodhur dhe ka paguar çmim të lartë edhe përmbajtësor edhe në imazh nga mbajtja peng e këtyre akuzave që ka lejuar që Beogradi të lansojë fusha kundër Kosovës dhe kundër pavarësisë”, ka theksuar Abazi.

Ai vlerëson se shkuarja e Thaçit në Gjykatën Speciale do ta mbyllte një kapitull të errët të historisë.

“Shkuarja e Thaçit në Gjykatën Speciale do të mbyllë një kapitull të errët të historisë së re të Kosovës dhe kjo gjë duhet të bëhet sa më parë. A është ai fajtor apo jo, kjo nuk është çështje e jona por e drejtësisë dhe institucionit të mandatuar”, është shprehur Haki Abazi.

Ndërsa i përket luftës së UÇK-së dhe pavarësisë së Kosovës, ai shprehet se nuk kanë të bëjnë asgjë me krijimin e kësaj gjykate, pasi UÇK ishte për ta mbrojtur Kosovën nga pushtimi, ndërsa shpallja e pavarësisë ishte vullneti i se 95% të popullatës së Kosovës.

“Në anën tjetër duhet thënë drejt që as Lufta e UÇK-së e as Pavarësia e Kosovës nuk kanë të bëjnë asgjë me atë për çfarë është krijuar kjo gjykatë. Lufta e UÇK-së ka qenë për ta mbrojtur Kosovën dhe qytetarët dhe për tu çliruar nga pushtimi, ndërsa shpallja e aktit të pavarësisë është vullneti i më shumë se 95% të popullatës së Kosovës. Të dyja këto procese janë të shenjta dhe askush nuk mund të indentifikohet me to si individ e as një gjykatë nuk mund të bie lëndë shqyrtimi”, ka përfunduar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat