Kosova të mos zmbrapset në gjunjëzimin e Serbisë

Politika

Kosova të mos zmbrapset në gjunjëzimin e Serbisë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 dhjetor 2018 Në ora: 08:27
Aleksandar Vuçiç, foto ilustrim "Bota sot"

“Sa i përket reciprocitetit, fillimisht qeveria jonë duhet që të mbajë taksën e vendosur dhe të mos dorëzohet nga asnjë presion nga vendet që janë të prekura e as nga akterë tjerë. Ndërsa shtimi i masave duhet që të jetë në agjendë në çfarëdo segmenti që qytetarët e Kosovës trajtohen nga Serbia”, ka thënë Kryeziu.

Pas taksës 100 për qind për mallrat serbe, Qeveria e Kosovës është duke menduar të sjell edhe ndalesa të tjera për Serbinë në Kosovë.

E fundit që pritet të shtohet nga ekzekutivi i Kosovës si masë reciprociteti ndaj Serbisë është ndalimi i hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë, duke vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës. Ndërsa, nuk lihen anash edhe masa tjetër, ku paralajmërohet ajo e mosnjohjes së dokumenteve të Serbisë, diplomave si dhe e dinarit serb.

Se do të shtohen masat e reciprocitetit e ka pohuar edhe ministri i Tregtisë, Endrit Shala. Ai ka bërë të ditur se kanë diskutuar për këto masa, por deri më tani nuk kanë vendosur diçka konkrete.

“Po vetëm kemi diskutuar, ende nuk ka asgjë konkrete. Do të informoheni në vazhdim për çfarëdo vendimi që do të marrim”, ka deklaruar i pari i këtij dikasteri.

Njohës të ekonomisë në vend konsiderojnë se më e pranueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, e sidomos në aspektin e marrëveshjeve multinacionale është aplikimi i reciprocitetit.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet që të mbajë taksën e vendosur dhe të mos dorëzohet nga asnjë presion nga vendet që janë të prekura e as nga akterë tjera. Kurse për shtimin e masave tjera, këta të fundit janë të mendimit se duhet të jenë në agjendë dhe në çfarëdo segmenti që qytetarët e Kosovës trajtohen nga Serbia

Gashi: Përdorimi i dinarit serb në tregun e Kosovës shkelje e Kushtetutës

Image
Naim Gashi

Njohësi i ekonomisë dhe njëherit profesori universitar, Naim Gashi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke folur për valutën e dinarit serb, ka thënë se nuk është valutë konvertibile dhe si e tillë mund të ndikojë në çmime në vendbanimet serbe, sa herë që ka inflacion.

“Përdorimi i dinarit serb në tregun e Kosovës përveç se është shkelje e ligjit, Kushtetutës dhe sovranitetit të vendit, është edhe i dëmshëm në aspektin ekonomik. Dinari serbe nuk është valutë konvertibile dhe si e tillë mund të ndikojë në çmime në vendbanimet serbe, sa herë që ka inflacion. Përdorimi i dinarit ka edhe kosto të transaksionit, pasi që sa herë të bëhet shkëmbimi me euro, ndikon në shpenzimet e konsumatorit”, ka thënë njohësi i ekonomisë.

Me tej, Gashi ka thënë se nuk ka asnjë arsye ekonomike për përdorimin e dinarit serb, pasi që, sipas tij, ajo është një valutë jostabile ka inflacion të vazhdueshëm dhe është e papranueshme në gjithë botën.

“Banka Qendrore e Kosovës duhet t’i përdorë mekanizmat ligjorë për luftimin e kësaj dukurie e cila ka pasoja ekonomike dhe është cenim i rendit tonë kushtetues. Nuk ka asnjë arsye ekonomike për përdorimin e dinarit serb pasi që ajo është një valutë jostabile ka inflacion të vazhdueshëm dhe është e papranueshme në gjithë botën me përjashtim të Serbisë”, ka thënë në fund Naim Gashi për gazetën “Bota sot”.

Kryeziu: Kontrolli ndaj dinarit duhet të forcohet

Në një linjë me Naim Gashin qëndron edhe Nexhat Kryeziu.

Eksperti i ekonomisë, Nexhat Kryeziu, duke folur për masat e reciprocitetit për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet që të mbajë taksën e vendosur dhe të mos dorëzohet nga asnjë presion nga vendet që janë të prekura e as nga akterë tjera.

Image
Nexhat Kryeziu

 “Gjatë kohës së bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe pse fillimisht ishin të proklamuar që janë "bisedime ndërmjet shteteve", Kosova kurrë nuk u trajtua si e tillë as nga nikoqiri, në këtë rast BE e as nga Serbia. Përkundrazi, dialogu rrëshqiti në diskutim për çështje të brendshme të Kosovës e kjo e dëmton vendin tonë në shumë drejtime. Sa i përket reciprocitetit, fillimisht qeveria jonë duhet që të mbajë taksën e vendosur dhe të mos dorëzohet nga asnjë presion nga vendet që janë të prekura e as nga akterë tjerë. Ndërsa shtimi i masave duhet që të jetë në agjendë në çfarëdo segmenti që qytetarët e Kosovës trajtohen nga Serbia”, ka thënë Kryeziu.

Sipas Kryeziut, nëse elementët e shtetësisë së Kosovës nuk do të merreshin parasysh nga pala serbe,atëherë vazhdimi i bisedimeve prej fillimit ka qenë i kotë. 

Eksperti i ekonomisë, me tej ka thënë se kontrolli ndaj qarkullimit të parave nga Serbia në Kosovë në dinarë apo edhe në valutë tjera duhet që të forcohet.

Ai thekson se shpërndarja e parave, evazioni fiskal, financimi i terrorizmit si dhe pagesa e grupeve të caktuara që të krijojnë destabilitet në vend janë çështje që kërkojnë vëmendje te madhe.

“Dinari si valutë, duhet të trajtohet si valutë e një vendi të huaj dhe të këtë trajtimin sikurse valutë tjera të huaja sa i përket kontrollit. Në ndërkohë, kontrolli ndaj qarkullimit të parave nga Serbia në Kosovë në dinarë apo edhe në valutë tjera duhet që të forcohet. Shpërndarja e parave, evazioni fiskal, financimi i terrorizmit si dhe pagesa e grupeve të caktuara që të krijojnë destabilitet në vend janë çështje që kërkojnë shumë vëmendje. Një gjë duhet së shumë më lehtë është të bëhet kontrabandë me para së sa më mallra dhe këtu autoritetet e zbatimit të ligjit duhet të jenë shumë vigjilente”, ka përfunduar njohësi i ekonomisë, Nexhat Kryeziu.

Musa: Aplikimi i masave reciproke i pranueshëm

Image
Lekë Musa

Ndërsa, eksperti tjetër i ekonomisë, Lekë Musa, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se më e pranueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, e sidomos në aspektin e marrëveshjeve multinacionale është aplikimi i reciprocitetit.

“Më e pranueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, e sidomos në aspektin e marrëveshjeve multinacionale, është aplikimi i reciprocitetit se sa futja e tarifave”, ka thënë Musa.

Sipas tij, futja e tarifave nuk është në përputhje me marrëveshjen e CEFT-ës, mirëpo siç shprehet Musa aplikimi i masave reciproke është absolutisht e pranueshme.

“Futja e tarifave nuk është në përputhje me marrëveshjen e CEFT-ës, mirëpo aplikimi i masave reciproke absolutisht është e pranueshme. Duke filluar me vendin e destinacionit, ku duhet t’i referohen vetëm si Republike e Kosovës nëse dëshirojnë të shesin në Kosove. Çështja e targave, çështja e dokumenteve, çështja e operatoreve ilegal, të telefonisë apo energjisë, mosnjohja e pasaportave e të gjitha tjerat”, ka përfunduar Lekë Musa për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat