Krasniqi: Çështja e kufirit me Malin e Zi ka përfunduar

Politika

Krasniqi: Çështja e kufirit me Malin e Zi ka përfunduar

Nga: N.Sh Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 18:47
Ilustrim

Opinionisti dhe njohësi i çështjeve politike në Kosovë, politologu Faik Krasniqi thekson se çështja e kufirit me Malin e Zi ka përfunduar tashmë, pasi nuk do të ketë korrigjim.

Sipas tij, korrigjimi është vetëm një mashtrim nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të kaloj në Kuvend, e për këtë duhet të mbajë përgjegjësi Qeveria dhe deputetët të cilët e kanë votuar humbjen e mbi 8 mijë hektarëve tokë.

Përveç humbjes së tokës, Krasniqi thotë se mbetëm edhe pa viza nga mashtrimi i Qeverisë.

Image
Faik Krasniqi

“Çështja e kufirit me Malin e Zi ka përfunduar. Nuk do të ketë asnjë marrëveshje korrigjimi. Ajo gjoja marrëveshje ka qenë vetëm mashtrim nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të kalojë në Kuvend për t'u votuar. Qeveria dhe deputetët e Kuvendit që e kanë votuar mbajnë përgjegjësi për këtë mashtrim. Për humbjen ose faljen e mbi 8200 hektarëve Malit të Zi. Edhe humbje të mbi 8200 hektarëve edhe mos liberalizim të vizave, sepse mashtrimi i kësaj Qeverie dhe Qeverisë paraprake ishte, se kur të kalojë Demarkacioni menjëherë hiqen vizat. Nuk do as njëra e as tjera. Mashtrim pas mashtrimit!”, potencon Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani thotë se, nuk ka korrigjim as që do të ketë dhe kjo është e kuptueshme, pasi është vetëm një mënyrë për të justifikuar marrëveshjen dhe problemet që lindën te pala e Kosovës.

“Kosova ka përplot probleme me qëllime për të ruajtur karrigen e kryeministrit. Deri tash nuk ka kurrfarë interesimi në këtë drejtim nga Mali i Zi, pra nuk do të ketë fare korrigjim e as dialog në këtë temë të mbyllur nga palët. Për korrigjim duhet të ketë pajtim për të filluar, ata thjeshtë kanë lënë mundësinë për tu takuar eventualisht për të folur nëse veç ka ndonjë argument apo fakte tjera”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Demarkacioni me Malin e Zi është miratuar me 21 mars të vitit 2018 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Me 80 vota pro, minimumin e nevojshëm, Kuvendi e kishte miratuar demarkacionin pas katër herë ndërprerjesh për shkak të gjuajtjes me gaz nga Vetëvendosje, ndërsa 11 vota ishin kundër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat