A do t’i largojë Gjykata Speciale krerët e UÇK-së nga pushteti

Politika

A do t’i largojë Gjykata Speciale krerët e UÇK-së nga pushteti

Nga: N.Sh Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 15:22
Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

I ashtuquajturi “Krahu i luftës” në Kosovë, që nga paslufta kanë qenë njerëzit kyç në politikë bërjen e Kosovës.

Ata përveç shumë proceseve në të cilat ishin figura kyçe, aktualisht udhëheqin me qeverinë e Kosovës.

Ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u treguan të denjë në luftë, në paqe dështuan.

Ata nuk e kanë përkrahjen e popullit e as të miqve tanë ndërkombëtare për shumë çështje jetike për qytetarët e Kosovës.

Kanë dështuar shumë në paqe! Përfituan nga lufta, përfituan edhe nga paqja. Krijuan pasuri dhe me ta në krye u rrit kriminaliteti, në vend se të ndodhte e kundërta.

U pasuruan, u bën milionerë për një kohë të shkurtër, e pasuria e tyre është e dyshimtë. Ata keqpërdorën paranë publike, zhvatën taksat e popullit. U pasuruan për të jetuar në pallate, e në anën tjetër populli jeton në skamje. Qytetarët vetëm në ëndrra jetojnë luksin e pushtetarëve!

Për fajin e “krahut të luftës”, Kosova ka ngecur në shumë procese të rëndësishme për tu bërë pjesë e organizatave të ndryshme evropiane.

Qytetarët janë të bllokuar, të izoluar brenda Evropës dhe Ballkanit! E kjo është ekskluzivisht për shkak të mos punës së Qeverisë së Kosovës, “krahut të luftës”, të cilët përveç interesave klanore asnjëherë nuk e menduan interesin qytetar.

Megjithatë, siç duket po vjen koha që të “çlirohemi” nga “krahu i luftës” dhe të ecim drejt integrimeve evropiane, të barabartë me qytetarët evropian.

Kjo ishte edhe kërkesë e kamotshme e miqve tanë ndërkombëtar, por që nuk u dëgjua nga pushtetarët.

E tash, pas Gjykatës Speciale, e cila ka filluar punën e saj, pritet që skena politike të trazohet e më pas të pastrohet!

Shumica e krahut të luftës, ish-komandantë dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jenë të ftuarit “special” të kësaj Gjykate.

Një kërkesë për largimin e krahut të luftës nga politika është bërë kohë më parë nga diplomati amerikan Xhejms Rubin.

Ai kishte shpresuar që krahu i luftës do ta kuptojnë se është mirë të largohen nga pushteti derisa janë ende të popullarizuar dhe të mos presin derisa është ose bëhet shumë vonë, por ata nuk e dëgjuan këshillën e tij.

Prandaj, secila ditë që i zë në pushtet, do të shënoj një ditë zie në historinë e re të Kosovës. E ardhmja do ta vërtetojë këtë.

Për ta vërtetuar këtë, se krahu i luftës është pengesa, terri i Kosovës ka deklaruar edhe miku i madh i shqiptarëve e diplomati amerikan, William Walker.

Walker ka shprehur zhgënjimin e tij për gjendjen aktuale në Kosovë, duke thënë se gjërat nuk janë duke ndryshuar dhe se Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të udhëheqësve politik.

“Aktualisht klasa politike që udhëheq vendin ka dalë nga lufta, përderisa tani është koha që ky shtet të ketë një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë. Të gjithë theksojnë se dëshirojnë ndryshimin, por unë ndryshimin nuk po e shoh”, ka pohuar ai.

Deklaratat e tilla janë të mirëpritura nga qytetarët, të cilët shpresojnë në një “ndryshim” pas ndërrimit të kriminelëve të veshur me petkun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

Politologu dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Faik Krasniqi, thekson se ish-komandantët e UÇK-së as që do të duhej të ishin pjesë e politikës.

Sipas tij, shumica prej tyre janë shumë të paaftë për të qenë politikanë ose për të kryer punë akademike.

“Por ja që shumica prej tyre u bën pjesë e politikës për interesa të tyre personale. Madje shumica prej tyre edhe u pajisën me diploma universitare dhe tituj akademikë. Shumica prej tyre sot janë shndërruar në milionerë. Gjykata Speciale mund të largojë krerët e UÇK-së nga pushteti. Por s'do të ishte mirë skena jonë politike nga kjo Gjykatë”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Por, pse s'do të ishte mirë?

“Sepse kjo Gjykatë është themeluar për krimet e supozuara të UÇK-së ndaj serbëve dhe minoriteteve të tjera, dhe askush nuk bën t'i gëzohet arrestimeve nga kjo Gjykatë. Çdo shqiptarë që dënohet nga kjo Gjykatë do të jetë një goditje për Kosovën. Qëllimi i ndërkombëtarëve është që krimet serbe t'i barazoj me krimet shqiptare. Ato janë si nata me ditë. Sikur të krijohej një Gjykatë për të gjitha krimet, duke filluar nga krimet ekonomike dhe vrasjet me motive politike, çdo qytetar do të duhej të gëzohej, sepse më në fund qytetarët po shpëtojnë nga këta hajna e kriminelë që kanë zaptuar dhe plaçkitur çdo gjë në këtë vend. Qytetarët janë ata që duhet t'i japin fund profiterëve të pasluftës, duke filluar nga ish-komandantët e UÇK-së, dhe jo të pritet që një Gjykatë për krime lufte të na pastrojë skenën politike”, potencon Faik Krasniqi.

Gjykata Speciale për krime lufte, pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 – 2000.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat