Shala: Me formimin e ushtrisë, u kompletua arkitektura e sigurisë së Kosovës

Politika

Shala: Me formimin e ushtrisë, u kompletua arkitektura e sigurisë së Kosovës

Nga: G.B Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 15:26
Pjesëtarë të FSK-së

Kosova nga sot është bërë me ushtri.

Sot në Kuvendin e Kosovës deputetët kanë votuar për tri projektligjet që i hapin rrugë transformimit të FSK-së në ushtri.

Kjo ditë është cilësuar si historike si nga liderët e vendit, po ashtu edhe nga aleatët ndërkombëtar. Njohësit e fushës pohojnë se transformimi i tërësishëm në ushtri është një proces që mund të zgjasë deri në 10 vite.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për gazetën “Bota sot” se me këtë votim është kompletuar arkitektura e sigurisë.

Image
Drizan Shala

“Kosova më përmbylljen e procesit mbi FSK-në ka kompletuar arikitekturën e saj të sigurisë dhe ky është një hap dhe veprim i domosdoshëm për të krijuar stabilitet në aspektin e sigurisë brenda RKS-së”, është shprehur ai.

Sa i përket emrit që nuk do të ndryshohet, Shala ka thënë se kjo do të ndodhë në vjeshtën e vitit 2019, duke shtuar se emërtimi nuk do ta pengojë FSK-në në ushtrimin e funksionit ushtarak.

“Procesi mbi emrin "ushtri" në aspektin ligjor do të përmbyllet më hapjen e Kushtetutës e cila mund të ndodh pasi të konsolidohet struktura e re politike në Kosovë e cila pritet të ndodh në vjeshtën e 2019-s. Ndërsa në aspektin operacional emërtimi nuk do ta pengojë FSK -në ushtrimin e funksionit ushtarak, sepse ju është ndryshuar mandati edhe funksioni përmes ndryshimeve të ligjeve mbi FSK-në”, ka deklaruar Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat