Ish-luftëtari i UÇK-së flet për Gjykatën Speciale: Ndërkombëtarët e dinë se kush ka kryer krime në Kosovë

Politika

Ish-luftëtari i UÇK-së flet për Gjykatën Speciale: Ndërkombëtarët e dinë se kush ka kryer krime në Kosovë

Nga: N.H Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 23:00
Foto ilustrim

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe njëherit ish-bashkëluftëtari i afërt i komandantit Mujë Krasniqi, Xhevdet Qeriqi, ka folur rreth ftesave të para nga Gjykata Speciale.

Qeriqi për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ndërkombëtarët e dinë se kush ka kryer krime në Kosovë. Sipas tij, ishte makineria ushtarake dhe paramilitare e organizuar nga shteti serb, ajo që ka kryer shumë masakra, plaçkitje, dëbime dhe dhunime.

“Nga fillimi ne kemi qenë kundër formimit të kësaj gjykate, dhe atë për shumë arsye. Të gjithë ndërkombëtarët e dinë se kush ka kryer krime në Kosovë, pra është makineria ushtarake dhe paramilitare e organizuar nga shteti serb, ajo që ka kryer shumë masakra, plaçkitje, dëbime, dhunime, djegieje të pronave të shqiptarëve, burgosje të popullatës civile. Për të gjitha këto është e informuar shumë mirë e gjithë bashkësia ndërkombëtare, si rezultat i këtyre krimeve të kryera nga aparati shtetëror serb, ka reaguar bashkësia ndërkombëtare, pra për t’i ndalur këto krime, ju është dashur të merrnin vendim për ta bombarduar Serbinë”.

Image
Xhevdet Qeriqi

“Mos të harrojmë se shumë varreza masive janë gjetur në Serbi. A thua kush i ka kryer këto krime, pse nuk u dënua askush për to? Po bëhen 20 vite prej përfundimit të luftës, ende i kemi diku edhe 1700 persona të zhdukur, kemi Mejën e Gjakovës, Izbicën, Rezallen, Reçakun e shumë vende të tjera të cilat janë një pasqyrë për ndërkombëtarët për krimet dhe masakrat e kryera nga kriminelët serb, pse heshtin ndërkombëtaret apo nuk u intereson se çka ka ndodhur me popullatën shqiptare”, ka thënë Qeriqi.

Ai me tej ka shtuar se qëllimi kryesor i gjithë kësaj ka qenë që Serbia ta paraqesë Kosovën para botës se gjoja këta kanë kryer krime.

“Kjo është arsyeja se pse jemi kundër kësaj gjykate e cila e them me bindje se është e padrejtë. Vazhdoj të besoj në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo do të dëshmohet nga të akuzuarit e kësaj gjykate. Qëllimi i gjithë kësaj ka qenë që Serbia ta paraqesë Kosovën para botës se gjoja këta kanë kryer krime, e që nuk është e vërtetë. Edhe sot Serbia me politikën e saj po vazhdon të propagandojë kundër vendit tonë. Pra kjo gjykatë sikur të ishte e interesuar të punoj drejt, e dinë se kush ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë, adresa e kriminelëve është në Beograd”, ka shtuar Qeriqi për gazetën “Bota sot”.

Kujtojme se Gjykata Speciale është votuar në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015. Ajo pritet të gjykojë disa krime të luftës për të cilat pretendohet se janë kryer nga persona të UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat