Gjeneral Qehaja tregon se cilët do të jenë hapat të ushtrisë së sapoformuar të Kosovës

Politika

Gjeneral Qehaja tregon se cilët do të jenë hapat të ushtrisë së sapoformuar të Kosovës

Nga: N.SH Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 02:40
Ramadan Qehaja

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, gjenerali i karrierës, Ramadan Qehaja ka thënë se dje është bërë një hap shumë i madh drejt ndërtimit të Forcave të Armatosura.

Sipas tij, FSK-ja mbetet, por ajo merr ingerenca ushtarake që për Kosovën është një moment historik.

“Kjo çështje është dashur të ndodh para 3-4 viteve, pse nuk ka ndodhur kjo nuk dua të hyj në hulumtimin e asaj se kush të fajtor e kush nuk është, por ja që sot ndodhi. Dhe unë personalisht isha në Kuvendin e Kosovës për të qenë prezent dhe isha shumë i kënaqur që Zoti më mundësoi që ta mbërrij këtë ditë që po fillon të ndërtohet Forca e Armatosura e Kosovës. Kuptohet që, prej sot na presin shumë punë, kjo nuk do të thotë që tash, qysh po thotë Serbia se ne e kemi bërë Ushtrinë, kjo nuk është e vërtetë, ne e kemi hapur rrugën juridike që të shkojmë më tutje dhe të fillojmë këtë forcë që na presin shumë punë për të bërë. Unë një e di se në Forcën e Sigurisë së Kosovës, janë bërë përgatitjet paraprake, sepse disa tentime kanë qenë edhe më herët që kjo të ndodh, por që kjo nuk ka ndodhur”, thotë Qehaja për gazetën “Bota sot”.

Ai ka shtuar se, duhet që ky vit të filloj në riorganizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi tash nuk është më ministria e FSK e integruar me Shtabin e përgjithshëm të FSK-së.

“Por tash sipas ligjit, duhet të fillojmë të formësojmë Ministrinë e Mbrojtjes e që ka shumë punë të bëhet sistematizimi, programimi etj, pra çështjet organizative. Është shumë me rëndësi që ne të bëjmë një organizim, prej fillimit të forcojmë shtabin e FSK, sepse duhet integruar një pjesë të këtij Shtabi në kuadër të ministrisë, pra duhet që kjo të rregullohet në mënyrë precize dhe të bëhet struktura organizative e Shtabeve, komandave, njësiteve, reparteve, qendrës për trajnim etj, të Forcave të Armatosura”, pohon Qehaja.

Ushtaraku i karrierës, ka theksuar se, në vitin e parë të punës në këtë drejtim nuk na duhet buxhet shtesë, sepse tash me këto forca që i kemi, me këta njerëz duhet bërë këto planifikime, dhe mandej në vitin e dytë ne duhet të fillojmë me plotësimin e njësiteve, me rekrutimin e njerëzve.

“Klauzola ka mbetë papërcaktueshme, mund të kemi një numër më të madh pasi kemi kapacitete për një Ushtri të fuqishme e cila e ka në doktrinën e vet mbrojtjen apo vetëmbrojtjen dhe të gjitha trumbetimet e Beogradit se po formohet një forcë e cila do ta destabilizoj rajonin edhe që do të jetë e orientuar kundër Serbisë, kanë thënë edhe kundër popullatës serbe në Kosovë nuk është e vërtet. Kjo është një Forcë multietnike e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës prandaj këtë duhet gjithnjë ta themi dhe të shpjegojmë edhe në klanin politike dhe në klanin diplomatik që mos të lejojmë ndonjë vakum në shpjegime e tjera kështu që u bë një hap shumë i rëndësishëm”, përfundon Ramadan Qehaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat