Serbia t`i kompensojë dëmet e luftës, kërkohet reciprocitet i plotë në çdo lëmi

Politika

Serbia t`i kompensojë dëmet e luftës, kërkohet reciprocitet i plotë në çdo lëmi

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 dhjetor 2018 Në ora: 13:44
Foto ilustruese

“Kërkim falja s’na duhet. Na duhet një reciprocitet i plotë në çdo lëmi, trajtim i barabartë dhe kompensime të dëmeve të shkaktuara. Për 15 vjet ata kanë shkatërruar deri në themel këtë vend dhe duhet riparuar këto dëme. Këto duhet treguar Mogherinit. Industria jonë ka rënë në zero prej këtij shkatërrimi”, ka deklaruar eksperti i ekonomisë, Lekë Musa për gazetën “Bota sot”.

Vendosja e taksës për produktet e Serbisë dhe të Bosnjës po vazhdon të kundërshtohet nga ana e Bashkimit Evropian.

Nga BE është kërkuar sërish që Qeveria e Kosovës ta heqë këtë taksën.

Por, Qeveria e Kosovës ka ripërsëritur se taksa nuk do hiqet derisa Serbia ta njeh Kosovën si shtet të pavarur.

”Taksa hiqet në momentin kur kemi njohje nga Serbia dhe Kosova i ka argumentet e forta pse është vendosur kjo taksë. Nuk është respektuar marrëveshja e CEFTA-s dhe e gjithë kjo është bërë në mbrojtjeje të sovranitetit dhe ekonomisë së vendit”, është thënë në reagimin e Qeverisë së Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Por, sa do të jetë në gjendje Kosova t’i rezistojë presionit të BE-së?

Millaku: Taksa nuk duhet të hiqet

Image
Drita Millaku

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se pavarësisht presionit të BE-së, taksa nuk duhet të hiqet.

“Heqja e taksës 100% ndaj Serbisë mendoj se nuk duhet bërë me gjithë presionin e BE-së pasi që ne me këtë hap duhet të bëjmë edhe hap drejt proklamimit të seriozitetit të shtetit dhe vendosmërisë sonë për të bindur edhe Serbinë se nuk ka më bashkëpunim si të pabarabartë”, është shprehur ajo.

Sipas Millakut, Kosova duhet ta bindë BE-në që jemi pro fqinjësisë së mirë kur Serbia të reflektojë.

“Kosova duhet ta bindë BE-në se ne jemi për fqinjësi të mirë, vetëm atëherë kur Serbia të reflektojë dhe të aterojë nga pozitat e injorimit të shtetit tonë”, ka deklaruar deputetja Millaku.

Gecaj: Në mungesë të sukseseve kjo qeveri tani i qaset disa temave populiste

Image
Bajram Gecaj

Ndërsa, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se taksa po përkrahet nga qytetarët e Kosovës, pasi Serbia prej kohësh e ka tepruar me shkeljet e saj.

“Ajo çfarë mund t'u them është se taksa prej 100 për qind është një masë të cilën sipas të gjitha gjasave e përkrah secili qytetar i Republikës së Kosovës, pasi që Serbia ka kohë që e ka tepruar me shkeljet e saja dhe mosrespektimin e së paku asaj për çka janë pajtuar dhe kanë nënshkruar marrëveshje”, ka vlerësuar Gecaj.

Por sipas tij, e gjithë kjo është bërë në mungesë të suksese të zgjidhjeve të çështjeve tjera dhe dëshirojnë ta arsyetojnë dështimin me këtë.

“Megjithatë, unë nuk kam asnjë besim se kjo qeveri këtë e ka bërë për arsyet të cilat i përmenda, dhe dyshoj se i kanë paraparë konsekuencat e këtij vendimi dhe se kanë plan B, C, apo D, se si të dalin nga një situatë të cilën e kanë krijuar me këtë vendim. Gjithashtu, besoj se në mungesë të sukseseve në zgjidhjen e cilësdo çështje "të madhe", të propaguar gjatë fushatës zgjedhore, si dhe duke dëshiruar të mbulojnë dështimet dhe aferat e përditshme, kjo qeveri tani i qaset disa temave populiste, me të cilat dëshiron të arsyetojë gjithë këto dështime”, ka theksuar Bajram Gecaj për “Bota sot”.

Musa: Qeveria duhet të mbrojë interesat e vendit

Image
Lekë Musa

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Lekë Musa, ka thënë për gazetën “Bota sot” se BE e bën punën e vet, ndërsa qeveria duhet të mbrojë interesat e vendit, duke shtuar se largimi nga CEFTA nuk do të paraqiste problem pasi nuk kemi pasur përfitim.

“BE-ja bën punën e vet, ndërsa qeveria duhet të mbrojë interesat e vendit. Dhe ndoshta mund të themi se edhe pjesëmarrja në CEFTA nuk ka ndonjë përfitim për Kosovën, kështu edhe largimi nuk do të paraqiste ndonjë problem dhe Kosova mundet të hyjë në negociata bilaterale me vendet individualisht të ri negociojë marrëveshjet”, është shprehur ai.

Sipas Musës, nuk kemi përfitim nga tregtia me Serbinë pasi vetëm ajo fiton.

“Sepse prej tregtisë vetëm Serbia ka përfitim dhe ne nuk na konvenon ky bashkëpunim. Serbia ka pasur strategji të shkatërrojë industrinë në Kosovë dhe tash ajo mbetet si furnizuese e tregut, d.m.th eksploaton këtë vend në një formë tjetër”, ka vlerësuar Lekë Musa.

Musa: Duhet reciprocitet në çdo lëmi

Ai thotë se nuk na duhet kërkim falje, por reciprocitet në çdo lëmi dhe këtë duhet treguar Mogherinit.

“Kërkim falja s’na duhet. Na duhet një reciprocitet i plotë në çdo lëmi, trajtim i barabartë dhe kompensime të dëmeve të shkaktuara. Për 15 vjet ata kanë shkatërruar deri në themel këtë vend dhe duhet riparuar këto dëme. Këto duhet treguar Mogherinit. Industria jonë ka rënë në zero prej këtij shkatërrimi”, ka deklaruar eksperti i ekonomisë, Lekë Musa për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Taksa, veprim politik i qëlluar

Image
Skënder Zogaj

Kurse, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se taksa është vendim i duhur dhe e ka faktorizuar Kosovën, pavarësisht reagimeve.

“Taksa 100 për qind e Kosovës për produktet e Serbisë dhe BeH është veprim shumë i qëlluar politik dhe si të tillë duhet shfrytëzuar, gjë që deri më tani Kryeministri i Kosovës e ka realizuar mirë dhe, unë jam shumë i bindur se e ka faktorizuar Kosovën, pavarësisht nga reagimet dhe presioni ndërkombëtar”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, duhet insistuar ndaj kërkesës së Mogherinit që taksa ka qenë e detyrueshme.

“Kërkesën e Mogherinit duhet vlerësuar në këtë kuadër gjithnjë duke mos heshtur, por duke insistuar që masa ka qenë e detyrueshme dhe se e ka vetëm një qëllim - ndalimin e jashtëligjshëm të veprimeve të Serbisë dhe të kontrabandës që zhvillohet në Veriun e Kosovës! Nuk mendoj që BE nuk është duke i bërë Serbisë presion për njohjen e Kosovës! Presion është edhe reagimi për heqjen e taksës, që ka për qëllim pikërisht përmirësimin e raporteve për njohjen e Kosovës, që janë kusht për integrimin e Serbisë në BE! Ky është objektivi kryesor dhe ndërkombëtar”, ka vlerësuar ai.

Zogaj tutje ka theksuar se për hapat e mëtutjeshëm qeveria duhet të bashkëpunojë me ndërkombëtarët.

“Qeveria e Kosovës e ka marrë një vendim që edhe vet e ka quajtur të përkohshëm prandaj duhet të vazhdojë të analizojë situatën dhe të insistojë që për hapat e mëtutjeshëm të bashkëpunojë me ndërkombëtarët dhe për “hatër të tyre” edhe të bëjë lëshime!? Pra, nuk guxon të ketë qëndrime të ngurta! Heqja graduale e taksës është deklaratë që duhet të theksohet në vazhdimësi nga ana Qeverisë së Kosovës”, ka përfunduar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, për shkak të vendosjes së taksës, serbët e Kosovës kanë protestuar ditë me radhë, duke kërkuar që ajo të hiqet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat