Profesori universitar tregon kush është meritori për ushtrinë, ka dhe një këshillë për pushtetarët

Politika

Profesori universitar tregon kush është meritori për ushtrinë, ka dhe një këshillë për pushtetarët

Nga: G.B Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 14:56
Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Kosovës

Që nga dje, Kosova është bërë me ushtri. Por kush i ka meritat për të?

Profesori universitar, Fadil Maloku ka thënë për gazetën “Bot sot” se historia e ndryshimit të ligjit për FSK-në është odesejadë e cila pati vonesë të madhe.

“Historia e ndryshimit të ligjit, është një odisejadë e tërë e partive politike për ta përvetësuar meritokracinë e formimit, që për pasojë pati vonesën kaq të madhe, në konsolidimin e mekanizmit të sigurisë, pa të cilin as që mund të imagjinohet as shtetësia e as sovraniteti i një vendi”, është shprehur ai.

Sa i përket meritorëve, profesori thotë se është absurde që të përvetësohet vendimmarrja, duke tentuar të marrin meritat.

Image
Fadil Maloku

“Tani, kur është fjala të (pa)meritorët e këtij vendimi historik, është absurde të përvetësohet vendimmarrja dhe nxitësi qoftë ai individual apo partiak. Tendenca, për të përvetësuar dhe legjitimuar “meritokracinë dhe meritokratët” që e sollën vendimin është vetëm një protagonizëm dhe një manipulim me publikun kosovar. Që për qëllim të vetëm ka; përgatitjen, animimin dhe sensibilizimin e publikut, për zgjedhjet në horizont”, ka vlerësuar Maloku.

Sipas tij, merita është e gjeneratave të tëra që sakrifikuan jetën dhe jo e e atyre sot që tentojnë të mbesin në pushtet me çdo kusht, derisa këshillon që të largohen sa është koha.

“Ushtria dhe liria e sotme, janë merita të gjeneratave të tëra, që sakrifikuan edhe jetën, e jo e disa bashibuzukëve të sotëm që me çdo kusht duan të mbesin në skenën politike kosovare. Me këto veprime e tendenca monopoli, mbi të drejtën e (jo)meritave, të njëjtëve, u këshilloj që të tërhiqen me fytyrë, sa është koha. Sepse, historia e Kosovës, as që ka filluar e as që do mbarojë, me ta dhe klanet e tyre mafioze e kriminale”, ka deklaruar Fadil Maloku për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat