Institucionet e sigurisë me mangësi, po rrezikohen interesat me vlera nacionale

Politika

Institucionet e sigurisë me mangësi, po rrezikohen interesat me vlera nacionale

Nga: D. B Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 11:23
Armend Halimi, Drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime të Sigurisë ISS

Policia e Kosovës, javën e kaluar ka arrestuar 26-vjeçarin nga Prishtina, Edmond Jetullahu, nën dyshimin se me anë të një dokumenti të falsifikuar, kishte paraqitur veten si pjesëtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Jetullahu, ndaj të cilit Prokuroria ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, dyshohet për kryerjen e veprave penale të "Spiunazhit", "Prezantimit të Rremë" dhe "Falsifikimit të Dokumenteve".

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka mohuar lajmet se Jetullahu, ka pasur qasje në dokumente apo informata top-sekrete që janë pronë e AKI-së.

Armend Halimi, Drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime të Sigurisë ISS, ka thënë për “Bota sot” se puna e shërbimeve të inteligjencës me veprimtari sekrete, është punë e atillë ku si në asnjë punë tjetër mbahet konfindenciale mbi identitetin e punonjësve, andaj edhe është e mundur që prezantimet e tilla të rrejshme si vepra të veçanta penale të vijnë në shprehje.

Ai ka thënë se kamuflimet apo prezantimet e tilla të rrejshme duhet parë si

 shqetësim serioz, kur depërtojnë në institucione shtetërorë.

“Kemi rastin në fjalë, e që realisht flet për disa mangësi të pa pranueshme për institucionet e sigurisë, e para jo profesionalizëm, sepse pavarësisht funksionit të çdo zyrtari, depërtimi në të dhëna të rëndësishme duhet kaloj nëpër një procedurë. Mangësia tjetër flet për mos bashkëpunim të duhur mes AKI-së dhe Policisë, sepse sa herë që ka kërkesa për bashkërendim të aktiviteteve apo shkëmbim të informatave, duhet filtruar dhe verifikuar çdo kërkesë dhe person që parashtron kërkesa të tilla, kjo duke u bëre gjithherë në komunikim me institucionin që prezantohet se i takon. Ndryshe, ky rast lë të dyshohet se sa mund të ketë depërtime të tilla, dhe për rrjedhojë të rrezikohen çdo ditë interesat me vlera të mëdha nacionale. Prandaj, konsideroj se duhet të ketë një mekanizëm kontrolli dhe bashkërendimi të përbashkët mes institucioneve të sigurisë për identifikim dhe verifikim të punonjësve, së paku me kod apo shifër të caktuar”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë Armend Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat