As Brukseli nuk mund ta heqë taksën, Haradinaj përplaset me Federica Mogherinin

Politika

As Brukseli nuk mund ta heqë taksën, Haradinaj përplaset me Federica Mogherinin

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 18 dhjetor 2018 Në ora: 08:29
Delegacioni i Kosovës në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bashkë me delegacionin e tij kanë shkuar të hënën në Bruksel për t’u takuar me zyrtarët e lartë të BE-së.

Në takimi ishte paraparë që të diskutohet për kriteret politike, ekonomike, bashkëpunimin dhe zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.

Nga delegacioni i Kosovës bashkë me Haradinajn kanë shkuar edhe zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, së bashku me ministrat Behgjet Pacolli dhe Dhurata Hoxha.

Haradinaj do të përballej me BE-në edhe për taksën e vendosur ndaj Serbisë. Aty kanë qenë prezent zyrtarja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini si dhe komisionari Johannes Hahn.

Pikërisht këta dy përfaqësues të BE-së të dielën kishin hedhur firmën në një letër për Haradinajn, ku kërkohej heqja e taksës ndaj Serbisë, në këmbim të largimit të emërimit “UNMIK” për Kosovën në CEFTA.

Qeveria Haradinaj kishte refuzuar të jepte ndonjë qëndrim më të detajuar lidhur me këtë letër, por kishin përsëritur se taksa qëndron dhe qëndrimet e Qeverisë janë ato të deritashmet.

Por, gjatë takimit ndodhi ajo që nuk pritej. Konferenca për media u anulua dhe takimi u ndërpre për shkak të tensioneve brenda takimit mes kryeministrit Haradinaj dhe zyrtares Mogherini. Kjo përplasje erdhi për shkak se Haradinaj nuk lëshoi pe për taksën dhe ia kundërshtoi në dy idenë e Thaçi për prekje kufijsh.

“Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendin tim, është armiku ynë”, ka thënë Haradinaj gjatë takimit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në takimin që delegacioni i Qeverisë së Kosovës mbajti sot me zyrtarë të BE-së në kuadër të Këshillit të MSA-së.

Këto zhvillime në Bruksel, i kanë komentuar për “Bota sot” njohës të rrethanave politike.

Bytyçi: Haradinaj u dogj njëherë me Çakorrin

Prof. Enver Bytyçi, duke folur me “Bota sot” lidhur me këtë ngjarje ka thënë se Mogherini duket se nuk është mësuar nga kundërshtimet dhe se ajo ka mundur që të sillet me arrogancë me Edi Ramën, Hashim Thaçin dhe të tjerët.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi e quan të guximshme gjuhën e kryeministrit Haradinaj në Bruksel, të rrallë e të pazakontë, por pozitive. Sipas tij Haradinaj është djegur njëherë me Çakorrin dhe nuk lejon që të përsëritet gabimi i tillë, të cilin e quan mashtrim të Thaçit.

“Duket se Mogherini nuk është mësuar me kundërshti. Duket se ajo ka mundur që e udhëheqësit e tjerë ballkanikë të sillet me arrogancë dhe këta të mos mundnin ta kundërshtonin. Nuk po flas për Hashim Thaçin e Edi Ramën, para të cilëve ajo ngrihet në majë të gishtave për t’u dhënë një puthje! Sepse të tre këta kanë të njëjtin qëndrim, të njëjtat shije e bëjnë të njëjtin shërbim ndaj Serbisë dhe Rusisë! Ramush Haradinaj u shfaq ndryshe. Në mbrojtje të interesave të Kosovës. Në atë takim ai i tha Mogherinit troç: "Kushdo që flet për kufijtë, territoret, apo ndonjë korrigjim tjetër të vendit tim, është armiku ynë!". Kjo frazë i adresohej drejtpërdrejt Mogherinit por edhe Edi Ramës dhe Hashim Thaçit! D.m.th këta të tre të cilët flasin për korrigjimin e kufijve ose ndarjen e Kosovës konsiderohen prej kryeministrit të këtij vendi si armiq! Edhe vetë presidenti i Kosovës! Kjo gjuhë në Bruksel është e rrallë, e pazakontë, por edhe e guximshme! Si ndodhi kështu? Pse Haradinaj është kaq i hapur dhe kundërshtues?! Për mendimin tim Ramush Haradinaj e ka shlyer hipotekën e tij të së kaluarës me shkuarjen dy herë në Hagë. Nuk ka pra hipotekë, nuk ka frikë e ndërkohë nuk i mungon guximi. Sa do të jetë i vendosur në këto qëndrime të tij? Çakorri është për të një eksperiencë jo e mirë. Por, duhet të besojmë se Çakorri i është bërë mësim. Nëse e pranojmë se i është bërë mësim, atëherë duhet ta besojmë se nga zhgënjimi i mashtrimit që ia bëri Thaçi edhe në këtë rast, ai ka nxjerrë mësime dhe nuk dëshiron të bëhet viktimë e një mashtrimi tjetër”, është shprehur ai.

Prof. Bytyçi thotë se Haradinaj po duket se është i pakompromis në luftën e presioneve të Serbisë, e këtu i ndihmon edhe mbështetja e Amerikës.

“Ndërkohë unë besoj se ka mbështetjen e administratës Trump pra të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova de facto me Ramushin është shndërruar në një Republikë të 52-të të Amerikës së Madhe! Dhe ky është sukses i jashtëzakonshëm. Kryeministri I Kosovës e përsëriti edhe në Bruksel se taksa kundrejt mallrave serbe hiqet kur Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës. D.m.th ai dëshmoi se nuk tërhiqet para presioneve të Serbisë dhe aktorëve të tjerë evropianë pro saj. Edhe këtë e konsideroj si sukses të jashtëzakonshëm. Është vështirë të kundërshtosh Brukselin. Por kryeministri Haradinaj duket se është i pakompromis në disa parime! Uroj që të vazhdojë me këtë këmbëngulje e këtë vendosmëri! Me këtë gjithë Kosova bëhet shumë shpejt shtet I njohur ndërkombëtarisht. Vetëm se duhet të dëshmohet shtetësia, siç u bë me ushtrinë. Sa më shumë të forcohen institucionet, aq më shpejt Kosova do të marrë ulësen e saj në OKB”, ka theksuar ai.

“Ajo që e favorizon pozitën e Kosovës është mos liberalizimi i vizave”

Por, Bytyçi mendon se Kosova duhet të shtoj kontrollin në të gjithë territorin e vendin pas vendosjes së taksës, sepse kontrabanda mund të jetë vërdallë.

“Por, sa i përket taksës me Serbinë, qeveria duhet të shumëfishojë punën e saj për ta kontrolluar territorin. Nuk duhet të lejojë kurrsesi të lulëzojë kontrabanda. Me këtë rast vendos edhe sovranitetin shtetëror të plotë ne veri të Kosovës. Mundësisht as miza nuk duhet të hyjë në territorin e Kosovës pa e parë policia kufitare e Kosovës! Kësisoj suksesi dyfishohet! Dhe në fund dua të theksoj se ajo që e favorizon pozitën e qeverisë së Kosovës është mos liberalizimi i vizave nga ana e Brukselit. Kjo masë lehtësuese për qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave nuk u realizua krejtësisht për fajin e BE-së, megjithëse ajo premtoi se me demarkacionin me Malin e Zi gjithçka ishte e kryer. Mos mbajtja e fjalës nga Mogherini, Hahn dhe të tjerë eksponentë të BE-së, i bën ata të jenë inferior ndaj Kosovës dhe delegacionit të saj në bisedimet e MSA-së. Duhej bërë kjo llogari nga ana e Brukselit e të mos mbanin shpresë se para tyre do të kishin gjithmonë një kukull serbe si Hashim Thaçi”, ka nënvizuar Bytyçi.

Lepaja: Kosovës i duhet unitet

E njohësi i rrethanave politike, Fadil Lepaja në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ka një anim të dukshëm të BE-së për Serbinë. Sipas tij, interesat strategjike që ofron Serbia për BE-në, kanë shtyrë këtë të fundit që të përkrahin shtetin serb.

Image
Fadil Lepaja

“Pra, animi i dukshëm i zyrtarëve të lartë të BE është tashmë i qartë. Presioni i lobit serb dhe interesi i BE, që për shkaqe strategjike të  ofroj Serbinë sa më afër, ka bërë që asaj të i bëhen lëshime në dëme të interesave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Ndërmjetësimi i anshëm i zonjës Mogherini dhe presioni mbi institucionet Kosovare ka degjeneruar deri në gatishmërinë e pakushte të Presidentit të pranoj edhe marrëveshje në dëme të interesave të Kosovës”, ka potencuar Lepaja.

Ai thotë se taksa e qeverisë Haradinaj, po e ndalë hovin e presionit që do të qonte në kapitullim pa kushte.

“Vendimi i Qeverisë Haradinaj lidhur me taksën, për herë të parë e ndalë hovin e këtij presioni i cili po të vazhdonte do të qonte në kapitullimin pa kushte, të Kosovës para Serbisë, dhe futja në një periudhë jo stabiliteti për rajonin, që do të mundësonte Serbisë të rishikojë rezultatet e procesit paqësorë në Ballkan, me të cilat nuk është e kënaqur”, ka thënë ai.

Lepaja mendon se tani Kosovës i duhet një unitet i të gjitha palëve, për t’iu kundërvu shantazheve serbe.

“Mendoj se Kosovës, aktualisht i duhet një bashkim i të gjitha palëve dhe një kundërvënieve shantazheve të pafund të Serbisë e cila jo vetëm se nuk e pranon peshën e krimeve ndaj civilëve në Kosovë, por kërkon edh korrigjimin edhe rikthimin Kosovës në kuadër të Serbisë”, thotë Lepaja.

Lepaja: Mogherini nuk mund ta amnistojë Serbinë

Ai thotë se Mogherini nuk mund ta amnistoj Serbinë e as të bëjë avokatin e saj, e në anën tjetër ta trajtojë padinijtetshëm Kosovën.

“Mogherini nuk mund të amnistojë Serbinë, as nuk mundet të bëjë avokatin e interesave të saj ekonomike e politike në Kosovë, dhe të trajtojë padinjitetshëm qytetarët e Kosovës. të cilët falë edhe angazhimeve të ngjashme të lobit serb dhe avokatëve të tij, ende kanë mbetur të vetmit me kufizim të lirisë së lëvizjes në Evropë e sidomos në Ballkan. Kjo e bënë qasjen e BE në raport me Kosovën jo etike dhe jo korrekte, dhe zonja Mogherini e ka humbë kredibilitetin e ndërmjetësueses në emër të BE, dhe lidhur me këtë edhe institucionet e Kosovës do të duhej të bëjnë kërkesë zyrtare”, thekson ai.

Krasniqi: Bashkimi Evropian përdorë standarde të dyfishta

Ndërsa analisti politik, Faik Krasniqi thotë për “Bota sot” se i tërë kontinenti i Evropës është shndërruar në avokate të Serbisë.

Krasniqi thotë se është për t’u përshëndetur vendosmëria e kryeministrit Haradinaj për mos heqjen e taksës, ndërsa i përmend 5 pika ku Kosova duhet t’ia kërkoj BE-së dhe Serbisë për heqjen e taksës.

Image
Faik Krasniqi

“Është për t'u përshëndetur vendosmëria e kryeministrit Haradinaj për mos heqjen e taksës ndaj Serbisë, nëse ajo dhe BE-ja nuk ndryshojnë qasjen ndaj nesh. Kosova për ta hequr taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës duhet t'i vë këto kushte ndaj BE-së dhe Serbisë. 1) Serbia t'i zbatojë në praktikë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën. 2) Kosovën mos ta pengojë në anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare. 3) Të zhbllokohet hapësira ajrore me Serbinë. 4) BE-ja menjëherë t'i heq vizat për qytetarët e Kosovës. 5) Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Nuk na duhet një BE që sillet në mënyrë të padrejtë me ne. Prandaj, të ngulim këngë le t’i themi jo një BE-je që nuk na njeh, që na bllokon, që na shantazhon dhe që na izolon. E duam një BE që njeh shtetin e Kosovës, një BE që nuk na shantazhon dhe nuk na izolon. Të përbuzur se të përbuzur, të izoluar se të izoluar, të shantazhuar se të shantazhuar, të padëshiruar se të padëshiruar, më keq se që jemi tani nuk mund të bëhemi, bile të tregojmë dinjitet dhe ta mbrojmë shtetin tonë”, përfundon Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat