Dialogu i mangët pa LDK-në dhe Vetëvendosje, kërkohet edhe përfshirja e SHBA-së

Politika

Dialogu i mangët pa LDK-në dhe Vetëvendosje, kërkohet edhe përfshirja e SHBA-së

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 dhjetor 2018 Në ora: 07:52
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuçiq në Bruksel, foto arkiv

Të shtunën Kuvendi i Kosovës ka miratuar projekt-rezolutë për dialogun me Serbinë, të propozuar nga Partia Socialdemokrate.

Ekipi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate bashkë me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, me anëtarë tjerë që janë Enver Hoxhaj (PDK), Avni Arifi (AAK), Behgjet Pacolli (AKR), Mahir Jagcilar (PDT) dhe zëvendëskryeministri Dardan Gashi.

Ndërsa, dy vendet e rezervuara për VV-në dhe LDK-në do t’i zënë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, derisa këto dy parti të mos delegojnë anëtarët e tyre në përbërje të ekipit dialogues.

LDK dhe VV nuk morën pjesë në seancë, derisa për formimin e ekipit pati reagime të ndryshme..

Letra e Mogherinit për Kryeministrin Haradinaj

Të martën, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionerja për tregti, Cecilia Malmstrom si dhe komisioneri Johannes Hahn, i kanë dërguar një letër kryeministrit Ramush Haradinaj ku thuhet se dialogu Kosovë – Serbi nga pala e Kosovës udhëhiqet nga presidenti Thaçi.

“Ne e mirëpresim atë dhe e konsiderojmë si një input në kuadër të qëndrimeve të Kosovës që do të shprehen nga presidenti i saj në dialogun aktual, që përbën për BE-në kornizën e vetme reale për adresimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në letrën e përfaqësuesve të lartë evropianë. Ata e akuzojnë Haradinajn se me vendimet e njëanshme është duke rrezikuar përparimin që është arritur në këtë dialog. “Ne fuqimisht nuk pajtohemi me vlerësimin tuaj se dialogu po ngecë. Përkundrazi, dialogu i udhëhequr nga dy presidentët po shënonte dhe ka shënuar progres të qëndrueshëm. Ne e kemi ndarë këtë vlerësim me liderët e BE-së në Këshillin Evropian këtë dhjetor dhe kemi marrë mesazhe inkurajuese të përkrahjes”, thuhet në këtë letër.

Haxholli: Pres që të jenë opozitë e fuqishme për zhvillimet në dialog

Image
Violeta Haxholli

Lidhur me gjithë këtë, efektivitetin e ekipit pa LDK-në e VV-në dhe kundërshtimin nga ana e BE-së, hulumtuesja nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ligji për ekipin negociator është bërë për shkak se rezolutat që miratohen në Kuvend nuk kanë fuqi obliguese për ekipin negociator.

“Atëherë, rezoluta e miratuar në Kuvend parasheh edhe miratimin e një ligji për ekipin negociator. Mendoj se arsyeja pse është menduar kalimi i një ligji të tillë është sepse inicuesit kanë konsideruar se duke qenë që rezolutat e Kuvendit nuk kanë fuqi obliguese për ekipin negociator kjo mund të arrihet përmes miratimit të një ligji. Kjo ka ardhur duke pasur parasysh precedentët e të kaluarës ku rezolutat për dialogun nuk janë respektuar nga negociatorët. Megjithatë, ky projektligj ende nuk ka ardhur në Kuvend dhe do të pres që iniciuesit dhe mbështetësit e tij do të kenë sfidë që të sigurojnë kuorumin e nevojshëm për votim”, është shprehur ajo.

Sa i përket mungesës së LDK-së dhe VV-së në këtë ekip, Haxholli vlerëson se kjo është mangësi, por që edhe pse nuk janë pjesë e tij, ekipi duhet t’i marrë parasysh propozimet e tyre në lidhje me dialogun.

“Mendoj se fakti që dy partitë më të mëdha opozitare VV dhe LDK nuk janë pjesë e ekipit është mangësi për këtë ekip dhe legjitimitetin përfaqësues të tij. Megjithatë, duke qenë se këto dy subjekte kanë zgjedhur të mos jenë pjesë e këtij ekipi pres që të jenë opozitë e fuqishme për zhvillimet në dialog. Megjithatë edhe pse këto dy parti nuk janë pjesë e tij, ekipi negociator duhet të konsiderojë që të marrë parasysh propozimet e tyre të cilat mund t’i kontribuojnë rezultateve të dialogut për Kosovën”, ka vlerësuar Violeta Haxolli nga KDI.

Takimet përsëri në nivel presidentësh

Sa i përket kundërshtimit nga BE në lidhje me dialogun, ajo thotë se dialogu vazhdon të mbahet në nivel presidentësh por që ekipi shërben më shumë si trupë mbikëqyrëse ndaj Presidentit dhe do të merret edhe me çështjet e nivelit teknik, derisa shton se çështja e përfaqësimit dhe konkurrenca e ideve do të jenë mollë sherri në mes të presidentit dhe ekipit.

“Mendoj se duke u nisur nga kjo, takimet e dialogut do të vazhdojnë të mbahen në nivel të presidentëve. Ndërsa ky ekip do të shërbejë më shumë si trupë mbikëqyrëse ndaj Presidentit dhe do të merret edhe me çështjet e nivelit teknik. Çështja e përfaqësimit dhe konkurrenca e ideve që duhet të shtyhen nga pala e Kosovës në dialog mendoj se do të bëhen mollë sherri përbrenda këtij ekipit si dhe mes ekipit dhe Presidentit. Pika e rezolutës ku thuhet se vendimet brenda këtij ekipi duhet të merren me konsensus mendoj se do të jetë shumë vështirë e realizueshme”, ka deklaruar hulumtuesja Violeta Haxholli për “Bota sot”.

Abazi: Dialogu është i kotë dhe i pafrytshëm

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dialogu është i kotë dhe deri tani do të duhej të ishin bindur BE dhe SHBA, po të kishim Ministri të Punëve të Jashtme profesionale.

“Siç është parë e vërtetuar dialogu është i kotë dhe i pafrytshëm. Po të kishim Ministri të Punëve të Jashtme profesionale deri tani do të duhej të kishim bindur shtetet e BE-së dhe SHBA-së se ky dialog është i rrezikshëm dhe regresiv”, është shprehur ai.

Abazi sikur Edita Tahirin, edhe Shpend Ahmetin e sheh pa legjitimitet të qytetarëve, derisa shton se në këtë ekip janë bashkuar të gjithë profiterët e momentit.

“Ne kemi konsumues dhe oportunist të dialogut, fillimisht Edita Tahiri tani Shpend Ahmeti, të dy janë dhe kanë qenë pa legjitimitet të qytetarëve. Kjo tregon se Thaçi ka luajtur me dialogun për të përfituar ne për interesa personale. Në këtë ndërmarrje janë bashkuar të gjithë e nuk kanë nacionalistët politik por profiterë të momentit. Kështu e shoh edhe grupin e negociatave”, ka theksuar Haki Abazi për “Bota sot”.

Krasniqi: SHBA duhet të jetë pjesë e dialogut

Image
Faik Krasniqi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë se krijimi i ekipit është qesharak, derisa thotë se deputetët e PSD-së nuk do të mund të jenë sërish pjesë e Kuvendit dhe prandaj janë bërë pjesë e ekipit.

“Krijimi i këtij ekipi është qesharak. Deputetët e PSD-së e dinë fare mirë që ky mandat është i fundit i tyre, sepse aty janë me vota të kontrabanduara nga Vetëvendosja. Kuvendin në zgjedhjet e ardhshme mund ta shohin vetëm përmes ekraneve televizive. Prandaj edhe janë bërë pjesë e këtij ekipi të pakuptimtë. Ndoshta edhe kanë qenë pjesë e planit që votat t'i marrin nga Vetëvendosja, të bëhen deputetë dhe pastaj t'i bashkohen pozitës, por nuk e kuptoj si munden të bëhen pjesë e një ekipi dhe të një Presidenti që synon ta ndajë Kosovë”, ka vlerësuar ai.

Sa i përket deklaratës së BE-së, Krasniqi thotë se ajo po tenton ta imponojë rrjedhën e dialogut dhe sipas tij kjo tregon se ekipi është formuar për ta mashtruar popullin, por që presidenti do të vazhdojë t’i vazhdojë udhëheqë dialogun.

“Në njërën anë krijojnë ekip për të vazhduar bisedimet me Serbinë, kurse në anën tjetër BE thotë se dialogu do të drejtohet vetëm nga presidenti. BE-ja edhe në këtë rast tenton që ta imponojë rrjedhën e dialogut. Kjo tregon që ky ekip është krijuar vetëm për ta mashtruar popullin, se gjoja do e nxjerrin jashtë loje Presidentin Thaçi gjatë këtyre bisedimeve. Por, Presidenti Thaçi do jetë prapë ai që do t'i udhëheq bisedimet, sepse ashtu ka dëshirë BE-ja në mënyrë që ta realizojë planin e saj, për t'i përmbushur apetitet e Serbisë për ndarjen e Kosovës. Nëse nuk këmbëngulet që SHBA-ja të bëhet pjesë garantuese e këtij dialogu, atëherë Kosova është në rrezik të zbatimi të këtij plani për copëtim”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat