Rrugët e qytetit vështirë të kalueshme, qytetarët fajësojnë komunën

Prishtina

Rrugët e qytetit vështirë të kalueshme, qytetarët fajësojnë komunën

Më: 9 janar 2019 Në ora: 14:30
Pamje nga Prishtina

Pas reshjeve të borës, rrugët e kryeqytetit në mëngjesin e sotëm, ishin vështirë të kalueshme, qoftë për vozitës po ashtu edhe këmbësorë. Këta të fundit fajësojnë Komunën e Prishtinës, sepse sipas tyre kompanitë e pastrimit nuk janë angazhuar për pastrimin e rrugëve. E vetëm në 24 orëshin e fundit kanë ndodhur 35 aksidente të trafikut.

Meqë rrugët në mëngjes ishin pothuajse tërësisht të pa pastruara, Isak Sadiku u detyrua që trotuaret para lokaleve, t’i pastrojë vet. Të vështirë e pati ecjen edhe deri këtu. Ai thotë, se të gjitha rrugët në qytet janë pothuajse të pa kalueshme.

Sadiku: Rrugët janë vështirë të kalueshme

“Për ditë të sotit është e pamundur, ndoshta mund të them. Meqenëse i kam parë edhe komuna ka marrë iniciativë  për pastrimin e rrugëve edhe sidomos trotuareve. Por, ndoshta mund të them se nuk është e mjaftueshme derisa ka vështirësi të kalimit të rrugëve”, tha ai.

Se rrugët janë vështirë të kalueshme po thotë edhe Rasim Hoxha.  

Hoxha: Kalimi në trotuare është shumë i vështirë

“Rrugët me të vërtetë janë deri diku të kalueshme, ka nevojë të merren iniciativa më të mëdha për me mujt me i kry, për të bërë pastrimin e rrugëve...Duhet më tepër edhe ata të angazhohen pak më shumë, secili qytetar me të vërtetë po kemi probleme trotuareve, sepse kalimi është i vështirë”, ka thënë  Hoxha.

Sipas tij, qytetarët duhet të alarmojnë për këtë gjendje, sepse, siç tha ai, pushtetit lokal nuk po i bëhet vonë për këto gjëra.

Qarkullimin në qytet, e pati të vështirë edhe Fatos Gashi. Ai thotë se sot është shumë vështirë të vozitet, si shkak i rrugëve të papastruara.

Gashi: Më mirë pastrohen rrugët gjatë verës

“Sot janë rrugët shumë të vështira për me vozit, nuk janë shumë të kalueshme, sidomos afër Fakultetit  Teknik, apo ku ka edhe më përpjetëse, janë jashtëzakonisht jo të kalueshme... Të pastrimit më shumë kemi pa verës tu i pastru rrugët se sa tash”, tha Gashi.

Të njëjtin mendim e ndan edhe Naim Osmani, qytetar nga Prishtina.

Osmani: Rrugët nuk janë pastruar fare

“Është e vështirë me vozit sot, duket se rrugët nuk janë pastru, nuk janë mirëmbajt sa duhet, prandaj për gjithë është  e vështirë. Bile së paku për ata që nuk i kanë përgatitjet dimërore është  me të vërtetë shumë e vështirë”  ka përfunduar Osmani.

Sipas tij, në këso kushte, janë në rrezik për aksidente, e për këtë gjendje ai fajtor bënë komunën, sepse sipas tij këta të fundit nuk po janë të përgjegjshëm.

Ndryshe nga realiteti, i pari i kryeqytetit, përmes rrjetit social facebook ka thënë se kompanitë e pastrimit kanë qenë tërë natën në terren.

“Të gjitha kompanitë e kontraktuara kanë qenë tërë natën në terren dhe vazhdojnë të punojnë me kapacitete të plota. Reshjet pritet të vazhdojnë prandaj lusim për qarkullim te kufizuar dhe përshtatje të shpejtësisë”, ka shkruar Shpend Ahmeti.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës në 24 orëshin e fundit kanë ndodhur 35 aksidente të trafikut.

“Aksidente fatale asnjë, aksidente me të lënduar 8, aksidente pa të lënduar 27, tiketa trafiku të shqiptuara 1042”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat