Mosrregullimi i shkallëve dhe ngricat rrezikojnë banorët e Arbërisë

Prishtina

Mosrregullimi i shkallëve dhe ngricat rrezikojnë banorët e Arbërisë

Më: 11 janar 2019 Në ora: 12:13
Arbëri

Zvarritja e punimeve tash e një vit e rregullimit të shkallëve në lagjen Arbëria, po i shkaktojnë telashe të shumta banorëve atje, duke ia vështirësuar qarkullimin.

Mirëpo, përveç kësaj, ngricat e mëdha po i rrezikon edhe jetën atyre, duke marrë parasysh mungesën e mbajtësve dhe punëve tjera të pakryera.

Të paktën kështu thonë banorët e Arbërisë, të cilët shprehen të revoltuar me këtë gjendje që është tash e një vit.

Alitin Daka, banor i kësaj lagje, thotë se shkallët është dashur të rregullohen kohë më parë, pasi përveç rrezikshmërisë nga punët e pakryera dhe ngricat kanë bërë që të rrezikohet dhe jeta e tyre.

Daka: Dimrit pak vështirë, akulli po shkakton rrëshqitje

“E kanë vonuar pak punën që është dashur me bërë, u dashtë më shpejtë, tash dimrit pak vështirë se po mundet akulli me shkaktuar rrëshqitje, dëmtime”, tha ai.

Banorja tjetër e kësaj lagje, Emine Sahiti, thotë se rregullimi i shkallëve është dashur të përfundojnë verës, sepse siç e cilëson ajo, siguri gjatë stinës së dimrit nuk ka.

Sahiti: S’ka siguri këtu

“Këto është dashur të përfundojnë verës. Verës është problem shkallët e prishura, lere më dimrit tash që është problematik dhe më e madhe... s’ka siguri këtu, duhet me pas vëmendje shumë të madhe sepse mundesh me pësuar më të keqen, me pas ndonjë thyerje ose diçka”, deklaroi, banorja Sahiti.

Kurse Qëndrim Arifi nga Iniciativa për Progres “INPO”, e cila monitoron komunën e Prishtinën, thotë se vonesat e këtyre projekteve po e paraqesin komunën joserioze. Ai thekson se neglizhenca e tillë është një përbuzje skandaloze e buxhetit publik.

Ndërsa ka akuza për menaxherët e këtij projekti që janë në kuadër të komunës. Sipas Arifit, ata duhet të jenë më të efektshëm dhe të marrin masa në rastet kur nuk respektohen afatet e punës.

Arifi: Përbuzja e buxhetit publik në këtë mënyrë është skandaloze

“Një vlerë prej katërqind mijë euro të përbuzet në këtë mënyrë është skandaloze. Këtu nga ana jonë si monitorues të komunës së Prishtinës, ekskluzivisht e fajësojmë menaxherin e kontratës sepse janë të pa efektshëm ose të pazotë të menaxhojnë një kontratë, të marrin masa ndaj një kompanie, të ndëshkojnë ato në rast të mosrespektimit të afateve”, deklaroi Arifi.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje që është opozitë në kryeqytet, përmes asamblistit të tyre, Eman Rrahmanit shprehet më e ashpër karshi neglizhencës së rregullimit të shkallëve në këtë lagje.

Sipas Rrahmanit, pasojat e këtyre vonesave më së shumti i vuajnë qytetarët, pasi tashmë ka dhe ngrica, ndërsa, mungesa e mbrojtësve po e rrezikon jetën e njerëzve që kalojnë atje çdo ditë.

Rrahmani: Kjo është neglizhencë e komunës

“Kjo është neglizhencë e komunës ku nuk i mbikëqyr askush punët, jo vetëm këta por gjitha punët që punohen në komunën e Prishtinës mundeni me i vërtetu që nuk punohen në mënyrën si janë të kontraktuara, nuk është kualiteti i duhur...këtu pasojat gjithmonë i vuan qytetarët, ata më së shumti dhe për shkak të qarkullimit të vështirësuar që është në atë pjesë. Për shkak që dihet dhe e rrezikshme tashmë që është dimrit ka dhe ngrica, nuk janë këto mbrojtëset rrethit që duhet me qenë për me ecë këmbësorët, aty rrezikohet jeta e fëmijëve dhe njerëzve që kalojnë çdo ditë”, tha ai.

Ndërsa, zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri vonesat në këtë projekt i arsyeton me kushtet e këqija atmosferike dhe procedurat e zgjatura që është dashur për të përshtatur materialin e ndërtimit.

Siç thotë ai, nëntëdhjetë përqind e punimeve kanë përfunduar. Tahiri konsideron se kanë mbetur jo më shumë se dy javë punë, mirëpo duhet pritur të rregullohet moti për të vazhduar punimet. 

Tahiri: Nuk ka punë më shumë se dy javë ditë

“Aktualisht mbi nëntëdhjetë përqind të punimeve janë të përfunduara në atë pjesë, kanë mbetur vetëm detajet, siç janë mbajtëset, ulëset rreth e rreth shkallëve, si dhe hapësirat që do të jenë me lojëra për fëmijë. Sipas nesh nuk ka punë më shumë se dy javë ditë në realizimin e këtyre gjërave. Mirëpo, duhet të presim përmirësimin e motit, për shkak se në kushtet e tilla atmosferike është e pamundur të punohet, edhe për shkak të materialit që duhet të ngjitet në atë pjesë”, u shpreh zëdhënësi, Adonis Tahiri.

Komuna e Prishtinës ka premtuar se këto shkallë do të rregullohen për 120 ditë, kurse një zyrtar komunal është duke u akuzuar për marrje të ryshfetit pikërisht për këtë projekt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat