Protestë para Komunës së Prishtinës, shkak zhurma nga kafiteritë

Prishtina

Protestë para Komunës së Prishtinës, shkak zhurma nga kafiteritë

Më: 21 janar 2019 Në ora: 14:55
Protestë para Komunës së Prishtinës

Banorët e lagjes “Qendra” kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës. Shkak i kësaj proteste, sipas tyre është zhurma e lartë që po shkaktohet nga kafiteritë përreth, deri në orët e vona të mbrëmjes. Ata thonë, se nëse nuk reflektojnë organet kompetente, janë të detyruar të shesin pronat e tyre.

Pavarësisht gjendjes së saj shëndetësore, ajo ka vendosur që sot së bashku ma banorët tjerë të lagjes “Qendra”, të protestojë para Komunës së Prishtinës. Ajo thotë se që tri vjet nuk ka dalur në rrugë, por që sot ishte e detyruar për shkak zhurmave që po shkaktohen nga kafiteritë, në lagjen ku jeton.

Begraci: Jom detyru sot me dal këtu

“ Mizat po na dalin, krimbat po na dalin, mijtë po na dalin, të gjitha po na dalin. Ne jemi si me qenë në Afrikë. Nuk kemi merituar ashtu. Unë jam e sëmurë, shtatë muaj kam qenë në intensiv, mezi qe më sollën, me zor këtu. Që tri vjet nuk kam dalur në rrugë, erdha me të gjithë që me u solidarizu me krejt. Më së shumti vuajnë Shkodra, doktorët sepse e kanë hjekur tavanin për më përfitu për veti, i kanë hjek për me u shliru e neve me na myt. E këta për këto kafiqe po thonë, janë të këtyre autoriteteve, autoriteteve u kemi dhënë votën, po ta kishim dit që qashtu nuk ua kishim dhënë”, tha ajo.

Ajo thotë, se në qoftë se organet kompetente nuk ndërmarrin diçka ata janë të detyruar që të ndërmarrin diçka vet.

Për zhurmën që po shkaktohet në këtë lagje, po ankohet edhe Shefki Ukaj.

Ukaj: Gjendja në lagjen “Qendra”, është dramatike

“Gjendja mund të them në vitin e fundit është dramatike  në lagjen Qendra. Kemi problem së pari me kafiteri ku deri në natën e vonshme, deri në orën 02:00 nganjëherë të mëngjesit, kemi një muzikë të shfrenuar. Ku vërtetë, është torturuese, ne vërtetë kemi pleq dhe të ri, njerëz që duan qetësi. Kemi njerëz të sëmurë...  Neve na është vështirësuar jetesa, kemi ardhur deri në atë gjendje prej torturave të tilla, po mendojmë me i shit shtëpitë edhe me ik. Nuk po dimë as ku të shkojmë, mendojshim në qendër pak më qetë e kemi, një furnizim më i mirë, por mjerisht jemi në gjendje shumë të rëndë”, tha ai.

Nuk është i vetmi hall ky, për banorët e kësaj lagje.

Ukaj thotë se problem kanë edhe me parkingjet.  

Banore e kësaj lagje, Shqipe Shkodra thotë se në raste të urgjencës, nuk kanë mundësi të dalin me veturë nga parkingjet e zëna.

Shkodra: Janë keqpërdorur lejet që i kanë marrë

“Janë keqpërdorur qato leje, janë zënë tërësisht gjelbërimet. Jemi të hendikepuar, hyrje dalje nuk kemi absolut, prej lagjes gjatë ditës, nuk kemi shans kerret me dal me i ndez. Ndonjë urgjencë apo ndonjë diçka, ndihma e shpejtë nuk ka qasje me lagjen tonë, Rexhep Lucin. Pse? Janë ato parkingjet janë aq shumë të zëna, të ngarkuara, ne nuk kemi ku me i parku ”, ka përfunduar ajo.

Violeta Geci tha se nuk mund të durojnë më tej këtë ndotje akustike.

Geci: Jemi detyruar që shqetësimet tona t’i shprehim sot para komunës

“Shqetësimet tona ndër vite sot jemi detyruar t’i shprehim këtu pranë Komunës së Prishtinës, për zhurmat e mëdha që i prodhojnë kafiteritë deri në orët e vona të natës. Përveç kësaj kemi edhe shumë banor, shumë të moshuar, gjithashtu edhe të sëmurë. Kemi edhe shqetësime tjera që na japin brengë, që janë edhe parkingjet ilegale”, tha Geci.

Banorët e kësaj lagje janë pritur në takim, nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës, që të bisedojnë rreth pakënaqësive dhe kërkesave të tyre. Gjatë ditës pritet të mësohet se çfarë u është premtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat