Nëna nga Prishtina kërkon ndihmën e Policisë: Vajzën po ma drogojnë e abuzojnë seksualisht

Prishtina

Nëna nga Prishtina kërkon ndihmën e Policisë: Vajzën po ma drogojnë e abuzojnë seksualisht

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 17:49
Foto ilustrim

Prindërit nga Prishtina, dyshojnë se vajza e tyre 16 vjeçare është duke u mbajtur pa dëshirën e saj nga një person madhor, gjithashtu i Prishtinës. Ata, po besojnë se vajza e tyre është duke u droguar dhe shfrytëzuar si skllave seksi nga personi në fjalë. Por, kështu nuk thotë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelre të Prishtinës për këtë rast.

Dy prindër nga Prishtina (emra të njohur për redaksinë), të shtunën e javës së kaluar, 26 janar, në orët e vona kanë raportuar në Polici se vajza e tyre po mbahet pa dëshirë nga një person i moshës 19 vjeçare (emër gjithashtu i njohur për redaksinë).

Ata kanë raportuar se vajza e tyre është duke u mbajtur nën ndikimin e substancave narkotike pa dëshirën e saj në shtëpinë e këtij 19-vjeçari, aty ku ai jeton edhe me familjarë të tjerë.

Që nga e shtuna, vajza vazhdon edhe sot të qëndrojë jashtë shtëpisë së saj, tek shtëpia që prindërit e saj mendojnë se po abuzohet e kërcënohet. Sipas prindërve, asaj iu është ndaluar të shkojë në shkollë për 1 javë nga këta persona. Vajza ka qenë duke vijuar mësimin në një shkollë private.

Sipas familjarëve të 16-vjeçares, meshkujt e kësaj familjeje, kanë të kaluar kriminale, dosje të rënda kriminale, duke përshirë këtu edhe vrasjen e një personi.

Media ka qëndruar të premten tek familja e vajzës 16-vjeçare, ku edhe mori rrëfimin e nënës së saj. 

Zonja në fjalë, nën lot, tha se do të jepte gjithçka që vajza e saj t’i kthehet në shtëpi, pasi ajo beson se ajo po drogohet nga personat që e morën, po kërcënohet e po abuzohet seksualisht.

Që nga e shtuna, kur vajza është larguar nga shtëpia, prindërit e saj nuk pushuan së kërkuari atë që të kthehet në shtëpi edhe përmes policisë. Por, sipas tyre, hetuesit policorë të këtij rasti nuk kanë ndërmarrë asgjë as ditën kur këta e raportuan vajzën në polici, por as të nesërmen.

Në një shkresë dërguar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ymer Beka, përmes avokatit të tyre, Tomë Gashi, familjarët thonë se asnjë veprim konkret nuk është marrë për të parandaluar abuzimin eventual seksual dhe abuzime të tjera me substanca narkotike.

“Nuk do të pushoj së kërkuari vajzën time, deri sa ajo të kthehet në shtëpi”, tha nëna e saj.

Nëna e saj, tregoi edhe për momentin kur e pa vajzën e saj teksa ishte sjellë në stacionin e policisë që të japë deklaratë.

“Çika jem nuk ka qenë mirë. Atë ditë kur e kam pa, ajo nuk ka qenë çika jem, ajo ishte pa ndjenja, as nuk më shikojke në sy. Rrike si e ndrojtur, nuk u kanë mirë, nashta u kanë nën ndikimin e drogës ose e kërcënume prej atij”, tha nëna e 16-vjeçares.

Por, për personin në fjalë, 19-vjeçarin nga Prishtina, ajo tha se ka dëgjuar për herë të parë para 3 muajve, atëherë kur vajza e saj 16-vjeçare i kishte treguar se është në lidhje. Zonja në fjalë, tha se nuk iu duk në rregull që vajza kishte nisur lidhje në moshë aq të hershme, derisa duhet ta përfundojë shkollimin njëherë. 

Një muaj pasi e kuptoi se vajza e saj ishte në lidhje, nëna e saj rrëfen për një ditë, kur vajza e saj kishte pësuar një lloj traume që më pas kaloi në panik.

“U kanë t’u nejt në krevet, ka qenë më telefon në dorë t’u folë me dikan, edhe nuk e di çka ndodhi, ja nisi me bërtitë ‘largomani qeto’. Ne nuk e dishim çka ka, 40 minuta ka nejt t’u bërtitë kështu, derisa e kemi çu te mjeku”.

Me ta dërguar në spital, mjekët kishin konstatuar se ajo ka pasur ndonjë lloj stresi që çoi deri të kjo ndodhi. Madje, mjekët i kishin pyetur prindërit nëse vajza ka përdorur ndonjë substancë, për shkak se shenjat, sipas prindërve, ishin të tilla.

“Unë ju thash që nuk ka përdorë kurrgjë. Në shpi ka qenë, shumë mirë ka qenë, por në një moment ndërroi gjithçka”, rrëfeu nëna e 16-vjeçares.

Për shkak të dyshimit të madh të prindërve se ajo kishte përdorur substanca narkotike, prokurori kujdestar i rastit, Ruhan Salihu kishte urdhëruar që vajzës 16-vjeçari t’i bëhet ekspertizë nga Mjekësia Ligjore e Kosovës për po këtë çështje.

Media ka biseduar me prokurorin Ruhan Salihu dhe me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ymer Beka, për po këtë çështje.

Prokurori Ruhan Salihu, tha se analizat e Mjekësisë Ligjore, sipas mjekësve, kanë dalë se në trupin e vajzës nuk është gjetur asnjë element intoksikimi dhe substance prikotropike.

“Me të dhënat preliminare është vërtetu se në trupin e saj, nga mjekët e mjekësisë ligjore, në bazë të kërkesës së Prokurorisë, konstatohet se në trupin e saj nuk është gjet asnjë element intoksikimi dhe substancave psikotropike”, tha Prokurori Ruhan Salihu.

Ai sqaroi se kjo është kërkuar të bëhet pas dyshimit të prindërve se vajza e tyre është duke u droguar nga familja ose nga vetë personi, 19-vjeçari nga Prishtina.

E Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ymer Beka, tha se Prokuroria ka marrë masa menjëherë për këtë rast dhe çdo ditë, që nga koha e raportimit deri sot. 

Kryeprokurori Beka tha se vendimet e marra deri më tash janë në bazë të dispozitave të Kodit Penal për të Miturit, dhe nuk është bërë asnjë anashkalim nga ana e tyre lidhur me këtë rast, ashtu siç po pretendojnë familjarët.

Por, në shkresën që e përpiloi avokati i kësaj familjeje, Tomë Gashi, thuhet se prindërit nuk kanë pranuar ekspertizën. Ata, gjithashtu thonë se vajza edhe pse disa herë është dërguar në polici, ajo sërish është kthyer në shtëpinë ku ata po dyshojnë se vajza e tyre po trafikohet.

“Është e pakuptueshme se si Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë për ditë të tëra 26.01.2019, e tutje, secilën herë që e ka sjellë në Stacionin Policor të miturën, të njëjtën e kanë kthyer në shtëpinë në të cilën supozohet nga prindërit, se ajo është duke u keqtrajtuar në çdo formë të mundshme, sa që prindërit besojnë se ajo mund të jetë droguar dhe shndërruar në skllave, posaçërisht pasi që fizikisht është edhe në ditën e sotme në shtëpinë në të cilën, sipas hetuesve policor, shumica e meshkujve të kësaj familjeje kanë dosje për vepra të rënda penale”, thuhet në fund të shkresës së avokatit drejtuar Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Por, nëna e 16-vjeçarës, tha se nuk do të heq dorë nga vajza e saj, derisa ajo të kthehet në shtëpi, shëndosh e mirë, dhe t’i kthehet jetës së saj të mëparshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat