Projekti për parkingun nëntokësor pritet të fillojë gjatë kësaj vere

Prishtina

Projekti për parkingun nëntokësor pritet të fillojë gjatë kësaj vere

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 12:45
Ilustrim

(E plotësuar) - Parkingu nëntokësor përballë Fakultetit Filologjik do të fillojë gjatë verës së këtij viti, ndërsa për këtë projekt deri më tani janë dy kompani garuese.

Kështu ka njoftuar drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota, ku sipas tij, nga kjo garë janë tërhequr dy kompani, për të cilat nuk ka ndonjë informatë pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Ai gjatë një konference për media njoftoi se për projektin e parkingut nëntokësor përballë Fakultetit Filologjik, deri më tani janë dy kompani garuese.

Bashota: Jemi në fazën finale të përzgjedhjes së kompanisë për parking

“Pas tri viteve punë intensive tashmë jemi në fazën finale të përzgjedhjes së operatorit ekonomik, i cili do të fitojë kontratën dhe do të vazhdojë punën me ndërtimin e projektit në fjalë. Për momentin kemi dy kompani garuese që kanë mbërri në fazën finale që quhet kërkesa për propozim. Numri i vend-parkingjeve që kemi kërkuar është minimum 500, në dy nivele, numri i lokaleve, i cili është përfolur është maksimum 500 m2, jo më shumë, ndërsa hapësira mbi sipërfaqe, do të jetë sipërfaqe do të jetë gjelbëruese, një park qendror i qytetit, i cili do të ketë qasje për të gjithë”, ka thënë ai.

Bashota gjithashtu njoftoi se dy kompani të tjera janë tërhequr nga gara dhe se nuk ka ndonjë informatë pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Bashota: Në garë janë dy kompani dy janë tërhequr

“Janë tërhequr nga gara dy kompani. Kanë ofertuar “Nuha” dhe “Jaha Company”, janë tërhequr nga gara Besnik dhe konsorciumi kosovar, “Al Trade”. Në garë për momentin i kemi dy kompani dhe vazhdojmë më tutje me përzgjedhjen e njërës prej tyre, sa për sqarim ligji i partneritetit publiko-privat e  mundëson edhe nëse është një kompani në garë në fazën e propozimit të shkoj më tutje. Ne ia që i kemi dy dhe jemi optimist që të dyja në garë kanë sjellë diçka kualitative që të kemi brumë për të përzgjedhur dikë prej tyre  dhe të vazhdojmë më tutje”, tha ai.

Ai tha se procesi i zgjedhjes së ndërtuesit të parkingut do të zgjasë një muaj, ndërsa u shpreh optimist se gjatë këtij viti do të fillojë ndërtimi i parkingut nëntokësor.

Bashota: Optimist që në verën e këtij viti do të fillojnë punimet

“Jam optimist që do të filloj, nuk mundem me qenë shumë hipotetik dhe me ju treguar edhe datat, për arsye se zgjidhet njëri ankohet tjetri, janë procedura të ankesës, ose ndoshta nuk ankohet, është pak hipotetike. Por, mendoj që ka brumë, nëse shkon krejt sipas planit atëherë ne shumë shpejt mund të arrimë kontratën me ta, atëherë komuniteti i GDP-së duhet ta aprovojë, asgjë tjetër që i bie ka vera e këtij viti fillojmë me punë”, ka thënë ai.

***

Pas pothuajse 3 vite pune Komuna e Prishtins ka arritur në fazën përfundimtare të realizimit të Parkingut Nëntokësor te Fakulteti Filologjik me Partneritet Publiko-Privat (PPP).

Hartimi i projektit ka filluar në vitin 2016 dhe ka zgjatur afërsisht 9 muaj (në bashkëpunim me kompaninë konsulente Deloitte). Janë hartuar: Studimi i fizibilitetit; Kërkesa për propozim; Kërkesa për kualifikim; dhe Draft kontrata.

Në Komitetin Ndërministror për PPP, Komuna ka thënë se i ishte drejtuar më 17 janar 2017. Komiteti Ndërministror për PPP ka aprovuar projektin me 16 prill 2018. Puna me Komitetin e PPP-së na ka marrë më shumë se një vit.

SIPAS LIGJIT TË PPP-së, janë 2 faza kryesore:

– Kërkesa për KUALIFIKIM

– Kërkesa për PROPOZIM

Procedurat për Kualifikim janë shpallur më 19 qershor 2018. Afati i fundit për dorëzim të aplikacioneve ka qenë më 23 korrik 2018. Afro 30 kompani i kanë tërhequr formularët, kurse kanë konkuruar gjithsej 6 kompani/konzorciume. Më 16 tetor 2018, ka përfunduar procedura e përzgjedhjes së kompanive të kualifikuara.

Janë kualifikuar 4 kompani:

Best in Parking Holding AG;

NUHA Bauunternehmun GMBH & Co KG &Qamili GBR”Alba Clean”;

Jaha Company & Ronstruzioni Spa;

AL trade Holding& Exfis Sh.p.k & NTSH Profitech.

Kërkesën për Propozim është shpallur më 29 nëntor 2018. Afati ka qenë deri më 21 janar 2019, por me kërkesë të Operatorëve Ekonomik është shtyrë deri më 5 shkurt 2019.

Kanë konkurruar 2 kompani:

NUHA Bauunternehmun GMBH & Co KG &Qamili GBR”Alba Clean”;

Jaha Company & Ronstruzioni Spa.

Janë tërhequr (apo nuk kanë vazhduar konkurrimin) 2 kompanitë tjera që ishin kualifikuar në fazën e parë:

Best in Parking Holding AG;

AL trade Holding& Exfis Sh.p.k & NTSH Profitech.

Sipas ligjit të PPP-së në fazën e Propozimit mjafton të jetë edhe vetëm 1 kompani. Javën e kaluar Komuna ka  përzgjedhur komisionin vlerësues, dhe përbëhet nga persona brenda dhe jashtë Komunës. Detyrë e komisionit është që të bëjë:

Vlerësimin e kërkesave ligjore;

Vlerësimin e propozimit Teknik;

Vlerësimin e propozimit Financiar.

Komisioni tashmë ka filluar punën. Vlerësimi ligjor ka përfunduar. Ditëve në vijim vazhdojmë me vlerësimin teknik dhe financiar. Për 1 muaj, do ta kemi rezultatin përfundimtar.

Tutje mbesin edhe 2 hapa:

Nënshkrimi i kontratës me Operatorin Ekonomik;

Aprovimi i tërë procesit nga Komiteti Ndërministror i PPP-së.

Afati për kryerjen e punëve është 24 muaj nga hyrja në fuqi e kontratës.

Vendndodhja – Përballë Fakultetit Filologjik;

Hapësira – 1.4 Ha;

Forma e kontratës PPP – Dizajnim, Financim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajtje dhe Transfer;

Kohëzgjatja e projektit- 25 – 40 vite;

Numri i vend parkingjeve – min 500 / deri në dy nivele nën tokë;

Hapësira afariste – max 500m² / nën kuotën zero;

Hapësira mbi sipërfaqe – Park publik me qasje për të gjithë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat