Rrëmujë në qeverinë e Shpend Ahmetit

Prishtina

Rrëmujë në qeverinë e Shpend Ahmetit

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 00:25
Shpend Ahmeti

Për Agim Gashin e LDK-së, edhe pas 14 muajsh qeverisje të mandatit të dytë, Shpend Ahmeti nuk arriti të stabilizojë qeverinë e tij.

Në një letër drejtuar medieve, Gashi ka thënë se “në pyetjen e qëllimshme që e shtrova sot, në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, se ‘sa drejtori i ka qeveria Ahmeti’, nuk morra përgjigje nga asnjë pjesëmarrës i koalicionit qeverisës”.

“Njëri thoshte pesëmbëdhjetë e tjetri katërmbëdhjetë. Askush s’ishte i sigurt”, ka thënë ai.

Tutje, Gashi ka thënë se kah fundi i vitit të kaluar 2018, Shpend Ahmeti ka deklaruar se e ka rritur qeverinë e tij edhe me dy drejtori të reja, duke e formuar Drejtorinë e Parqeve dhe Drejtorinë e Mirëqenies Sociale.

“Deri atëherë qeveria Ahmeti kishte katërmbëdhjetë drejtori. Pra, tani Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Shpend Ahmeti përbëhet prej gjashtëmbëdhjetë drejtorive. Kjo ka ndodhë për të plotësuar apetitet e koalicionit qeverisës i cili përbëhet prej katër partive politike dhe e përkrahur edhe nga PDK-ja e cila po i ruan disa interesa të mëhershme nëpër ndërmarrjet komunale”, ka thënë Gashi.

“Shkarkimi i dy drejtorëve nga radhët e VV-s, dorëheqja e drejtorit të Drejtorisë së Kulturës dhe së fundi, shkarkimi i drejtorit të Drejtorisë së Arsimit; reformatimi i qeverisë, nëse mund ta quajmë kështu, ndërrimi i disa pozitave të drejtorëve ekzistues, pra i atij të pronës dhe atij të inspekcionit dhe arsyetimi i vet kryetarit lidhur me këtë veprim, është plotësisht veprim bizarë, pa kurrfarë arsyeshmërie sepse as ky kombinim nuk do t’i ndalë ndërtimet pa leje, nuk do të ndikojë që të ngritet niveli i bashkëpunimit në mes vet drejtorive e mos të flasim për bashkëpunimin me opozitën”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, ky kombinim nuk do t’i ndërpresë procedurat joligjore të pranimit të kuadrove të arsimit përmes zyrës së personelit dhe zhveshjes nga kompetencat që kishte Drejtoria e Arsimit më parë dhe e cila është kompetente për zhvillimin e politikave kadrovike në sferën përkatëse.

“Ky kombinim nuk do të ndikojë në përmirësimin e përformancës qeverisëse sepse, po këta drejtorë të njëjtë qeverisën edhe në vitin që e lamë pas dhe në fund, si rezultat I keqqeverisjes, u bartën në këtë vit rreth 25 milionë euro. Vetëm në fushën e investimeve kapitale u bartën 22 milionë euro nga 38 milionë sa ishin të planifikuara dhe të bartura nga viti 2017. Kjo gjendje rrëmuje po shqetëson qytetarët e komunës së Prishtinës”, ka thënë Gashi.

E tërë kjo, sipas tij, po ndodh në këtë periudhë kur apetitet për pushtet e kryetarit Ahmeti u rritën me rrolin e tij të dyfishtë kur pranoi të jetë bashkëkryesues i Ekipit shtetëror për zhvillimin e dialogut me Serbinë dhe harroi rolin mandator dhe ligjor që ka si kryetar i Komunës së Prishtinës rol shumë i rëndësishëm dhe me përgjegjësi shumë të lartë.

“Komuna e Prishtinës dhe Prishtina si kryeqytet duhet të udhëhiqet me përkushtim të lartë sepse nga këtu dhe po nga ky rrol i kryetarit varet ndryshimi pozitiv i mirëqenies së qytetarëve që jetojnë këtu”, ka thënë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat