Qytetarët: Komuna të jap llogari për parcelën me mbeturina dhe jashtë funksionit në Taukbahqe

Prishtina

Qytetarët: Komuna të jap llogari për parcelën me mbeturina dhe jashtë funksionit në Taukbahqe

Më: 10 mars 2019 Në ora: 15:49
Taukbahqe

Ka vite që një pjesë e konsiderueshme e parkut të Taukbahqes është mbuluar me mbeturina, derisa edhe këndi i lojërave që gjendet aty është jashtë funksionit. Ndonëse dikur shërbente si vend ku fëmijët gjenin kënaqësinë më të madhe, sot aty mbizotërojnë mbeturinat.

Në hyrje të parkut, pak përtej kësaj parcele, është fusha e futbollit ku zhvillohen aktivitete të shumta në kuadër të këtij sporti, ndërsa, jo larg prej aty, qytetarë të shumtë kishin dalë këtë të diel për të kaluar kohën me familjet e tyre.

Edhe pse kërshëria e fëmijëve fokusohej kah ky kënd jashtë funksional i lodrave, ishin prindërit që duhej të përkujdeseshin në mënyrë që t’i mbanin ata pranë vetes. Kjo edhe për shkak të mbeturinave të shumta në atë pjesë.

Qytetarët ankohen se janë lënë anash nga komuna, pasi që në këtë park ende kanë mbetur hekurishtet të cilat dikur shërbenin për zbavitje të fëmijëve e tash paraqesin pengesë për ta.

Kështu Bekim Mehanja shprehet i pakënaqur me gjendjen që mbretëron në këtë zonë.

Ai thotë se në këtë mënyrë, lodrat duhet të hiqen tërësisht nga aty, në mënyrë që hapësira publike të shfrytëzohet për ndonjë gjë tjetër.

Mehanja: Shumë mirë ka qenë, nuk e di kush e ka ndërprerë

“Shumë keq që ka mbet kështu. Nuk e di kush e ka ndalë, kush e ka ndërpre. Veç shumë mirë kish bë me qenë qysh ka qenë. Krejt kjo rrethinë janë kënaq. S’di pse e kanë ndërpre, se di çfarë kanë bë”, thotë ai.

Sipas tij, kjo po ndikon edhe në prishjen e imazhit të kryeqytetit.

Mehanja: T’i lëshojnë lodrat ose t’i largojnë prej këtu

“Ose me i lëshu lodrat ose me i hek prej këtu. Shumë keq shumë. Na e kanë humbë imazhin, ka qenë shumë bukur, e kanë prishë”, u shpreh ai.

I pakënaqur me gjendjen aty, është edhe Bekim Salihu. Ai thotë se është komuna ajo që duhet të japë përgjegjësi.

Salihu: Kjo është përgjegjësi e komunës

“S’ka në funksion kurrgjë. Qe 2 vjet janë mbyllë... Komuna e ka përgjegjësinë sepse është pronë e komunës”, tha ai.

Të njëjtin mendim ndanë edhe Zeqir Imeri, i cili thotë se kjo hapësirë duhet të funksionalizohet.

Imeri: Komuna duhet t’i largojë këto lodra prej këtu

“Sa herë kaloj këtu unë them: ‘pse i lënë këtu këto lodra’. Unë nuk e di a është puna e komunës a diku tjetër. Me siguri komuna duhet me u marrë, qysh i ka ndaluar, ashtu duhet me i heq prej këtu”, tha ai.

Ai shprehet i pakënaqur edhe me gjësendet e hedhura nga pakujdesia e qytetarëve, të cilat thotë se e rëndojnë edhe më shumë gjendjen.

Imeri: Mbeturinat po pengojnë shumë

“Mbeturinat, kënd nuk e pengojnë... Veç me pa këtu sa letra, sa najloni”, shtoi ai.

Kurse nga ana e komunës thonë se ka skaduar kontrata për lodrat e vendosura në këtë hapësirë të parkut në Taukbahqe.

Zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka thënë se vitin që lamë pas, kjo parcelë i është ndarë Federatës së Tenisit.

“Lodrave që janë aty u ka skadu afati. Parcela i është ndarë Federatës së Tenisit, ndërsa aty do të ndërtohet Qendra Kombëtare e Tenisit në mënyrë që të zhvillohen gara kombëtare e ndërkombëtare të këtij sporti”, ka thënë ajo.

Ndryshe, kjo pjesë e parkut të Taukbahqes dikur kishte qenë ndër pjesët më atraktive për fëmijët, pasi që aty kishin mundësi të shfrytëzonin llojllojshmërinë e lodrave që ishin në dispozicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat