Aktakuzë për shtytjen e kryerjes së veprave terroriste

Prishtina

Aktakuzë për shtytjen e kryerjes së veprave terroriste

Më: 4 prill 2019 Në ora: 15:38
Ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës PSRK, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndaj të pandehurit B.E, nga Komuna e Drenasit, për shkak të veprave penale: “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” dhe“Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri B.E, nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video - incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit  në botë në krijimin e shtetit Islamik.

“Po ashtu, i pandehuri B.E, më 23.08.2018, përmes po të njëjtit kanal  ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10.01.2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Ramush Hradinaj me mbishkrim “DO T’JU VIJË FUNDI O TAGUTA SHQIPTAR BI’ IDHNILAH”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS”. Me këto veprime i pandehuri B.E, ka kryer veprën penale  “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 141 të KPRK-së. Gjithashtu, më 11.01.2019, në Drenas në vend publik me rastin e ndaljes dhe kontrollimit nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës - DKT në Prishtinë, është vërtetuar se i njëjti në kundërshtim me nenin 2 nën paragrafi 1.24 të Ligjit për Armët në Kosovë, ka mbajt dhe bart në trup një armë të ftohtë -  thikë luftarake e përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe e njëjta i është sekuestruar”, thuhet në komunikatën e porkurorisë.

Me këto veprime i pandehuri B.E, ka kryer veprën penale  “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat