Sërish dënohet me 13 vjet burg i akuzuari për vrasjen e 2011-ës para gjimnazit “Sami Frashëri”

Prishtina

Sërish dënohet me 13 vjet burg i akuzuari për vrasjen e 2011-ës para gjimnazit “Sami Frashëri”

Më: 11 prill 2019 Në ora: 16:34
Pamje nga gjykimi

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 13 vjet burgim Alban Kadrollin, i akuzuar se më 24 prill 2011, kishte privuar nga jeta të miturin M.C, përpara shkollës së mesme “Sami Frashëri”, në Prishtinë.

Kjo gjykatë edhe në rigjykimin e zhvilluar ka ardhur në përfundim se i akuzuari Kadrolli është fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Ndryshe, pjesë e kësaj aktakuze ishte edhe Muhamet Lahu, Milot Caka dhe i mituri T.K, por procedura penale ndaj T.K, ishte veçuar pasi ishte arratisur jashtë vendit. Ndërsa, pas aktgjykimit në procesin e parë gjyqësor, rasti ndaj Kadrollit ishte kthyer në rigjykim nga Apeli.

Të akuzuarit Kadrolli, do t’i llogaritet në dënim edhe koha e kaluar në paraburgim që është gati 8 vjet.

“I llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 4 maj 2011, deri më 11 prill 2019”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi.

Gjithashtu, me shpalljen e aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, ka thënë se bëhet konfiskimi i revoles së përdorur në kryerjen e veprës penale.

Kadrolli është obliguar që të paguaj 400 euro në emër të paushallit, kurse pala e dëmtuar në këtë rast nuk ka paraqitur kërkesë pasurore juridike.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, ka thënë se pas dy vitesh, gjykata ka arritur të përfundojë shqyrtimin dhe të vërtetojë përtej çdo dyshimi se i akuzuari është fajtor.

Sipas tij, gjykata në prani të provave, nuk e kishte të vështirë të merrte vendim që i akuzuari është kryes i veprës penale.

Ai ka thënë se gjykata ka përjashtuar mundësinë që i mituri T.K të jetë personi që ka kryer veprën penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo sipas tij, për arsye se sipas analizës që i është bërë grimcave të barutit në duart e tij është vërtetuar se në duart e tij nuk është gjetur barut dhe kjo siç ka thënë Ibrahimi, përjashton mundësinë që i mituri ka kryer veprën penale të vrasjes.

Gjykatësi Ibrahimi, ka thënë se arsyeja pse është dënuar me 13 vite burgim është se është një ngjarje ku kanë marr pjesë shumë persona të rinj dhe nga dy anët ka pasur të lënduar, e vet i akuzuari ka pasur lëndime trupore dhe secili në formën e vet i ka kontribuar ngjarjes së rëndë.

Ai ka thënë se për mendimin e trupit gjykues dënimi është i arsyeshëm dhe gjykata pret që çështja të jetë e përfunduar në çdo aspekt pasi drejtësia ka dhënë fjalën e vet.

“Normalisht, palët kanë të drejtë ankese në Apel”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ka thënë se të njëjtit i vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Ndryshe, tanimë i dënuari Alban Kadrolli, nuk ishte prezent në gjykatore me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Gjykatësi Ibrahimi ka thënë se nuk kanë dhënë urdhëresë për sjellje nga paraburgimi dhe se ai do të njoftohet nga Shërbimi Korrektues.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me 12 qershor 2015, kishte marrë aktgjykim me të cilin Alban Kadrollit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 vitesh, të akuzuarit Muhamet Lahu i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh, ndërsa ndaj të akuzuarit Milot Caka ishte refuzuar aktakuza.

Por , Gjykata e Apelit më 11 dhjetor 2015, kishte vendosur që aktgjykimin ndaj Muhamet Lahut ta vërtetojë, por e kishte dënuar me një dënim më të ulët, duke e dënuar atë me katër vite e tetë muaj.

Për shkak të shkeljeve ligjore, procesin ndaj Alban Kadrollit, e kishte kthyer në rigjykim, ndërsa e kishte vërtetuar edhe aktgjykimin ndaj Milot Cakës.

Ndërkaq, në seancën e mbajtur me 5 prill, gjatë fjalës përfundimtare, prokurorja Dulina Hamiti, kishte bërë precizimin e aktakuzës.

Ajo kishte thënë se në dispozitivin e parë të aktit akuzues, në rreshtin e 17-të ku pas fjalës me numër serik ET-912815, vazhdon fjalia i mituri T.K ia jep këtë pistoletë të lartcekur vëllait të tij të pandehurit Alban Kadrolli.

Tutje, kishte thënë se edhe në rreshtin e 21 të po këtij dispozitivi, pas fjalëve rrahje reciproke, vendoset fjalia “i pandehuri Alban Kadrolli, nxjerrë nga xhepi i xhaketës pistoletën “Ekol- Tuna” me numër serik ET-912815 të lartcekur”.

Pastaj, kishte thënë se vazhdon fjalia si në dispozitivin e parë  dhe me të njëjtën nga afërsia prej rreth 1-2 metrash, shtënë njëherë në drejtim të trupit tani të ndjerit M.C dhe e godet me predhë në pjesën e regjionit të kafazit të kraharorit, ku si pasojë e veprimit dinamik të kësaj predhe i janë shkaktuar dëmtime vdekjeprurëse në organe vitale shkaku i të cilave i ndjeri M.C, ka vdekur pas disa çasteve.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Alban Kadrolli në bashkëkryerje me T.K, me 24 prill 2011, përpara shkallëve të shkollës “Sami Frashëri”, në Prishtinë, me dashje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin, M.C, duke rrezikuar jetën e një numri të madh të nxënësve.

Sipas aktakuzës, kjo kishte ndodhur për shkak se në korridorin e kësaj shkolle, të akuzuarit Alban Kadrolli dhe Muhamet Lahu ishin rrahur në mes vete, derisa i akuzuari Muhamet Lahu, i kishte ftuar dy djem të dajës së tij, tani të ndjerin M.C dhe të akuzuarin Milot Caka.

Të dy palët, sipas aktakuzës, kishin filluar të rrihen në mes veti, duke u goditur me grushte dhe shqelma si dhe me mjete të forta dhe në atë rast, i akuzuari T.K nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ka shtënë në drejtim të tani të ndjerit, M.C dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, pasi që i akuzuari T.K, e hedh pistoletën në tokë, i akuzuari Muhamet Lahu e merr pistoletën dhe fillon ta ndjekë të akuzuarin Alban Kadrolli, ku pas disa metrash fillon të shtënë drejt trupit tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhe me këtë i akuzuari Muhamet Lahu ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari Milot Caka, merr pjesë në rrahjen e qëllimshme të shkaktuar midis dy palëve, ku në atë rast ishte në anën e të ndjerit M.C dhe me këtë ka kryer veprën penale “pjesëmarrje në rrahje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat