Dëshmorët mbeten udhërrëfyesi sublim i popullit shqiptar

Prishtina

Dëshmorët mbeten udhërrëfyesi sublim i popullit shqiptar

Më: 18 prill 2019 Në ora: 18:58
Akademi përkujtimore me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës

Dëshmorët janë dhe do të mbeten udhërrëfyesi dhe ndërgjegjja më sublime e këtij populli që luftoi pareshtur për lirinë e këtij populli me dekada dhe shekuj.

Kështu u tha në një akademi përkujtimore me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe shoqatat e dala nga lufta.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinë, Selim Pacolli, tha se në këtë ditë gërshetohen ndjenjat, dhe emocionet e krenarisë dhe sakrificës së dëshmorëve për lirinë që ne sot gëzojmë.

Pacolli: Dashuria për atdheun nuk duhet harruar kurrë

“Sot kur po bëhen 20 vjet jemi këtu së bashku që me pietet dhe me krenari të kujtojmë të gjithë dëshmorët e kombit, të cilët me gjakun dhe sakrificën e tyre bënë rrugën e lirisë dhe që sot jemi ata që me ballin hapur shohim në një të ardhme ndryshe për gjeneratat e reja dhe brezat që do të vijnë. Dëshmorët ranë që vepra e tyre të bëhet dritë për ata që synojnë më shumë për vendin e tyre. Ata u sakrifikuan për idealin e madh duke mos u përulur asnjëherë para sfidave që vënë përpara. Ata ranë për realizimin e ëndrrës sonë më të madhe kombëtare. Ata ranë duke trasuar rrugën për një shoqëri që e kemi ëndërruar gjithmonë, por me një parim që nuk harruar kurrë-dashuria për vendin”, tha Pacolli.

Komandanti i Brigadës 153 të UÇK-së, Fatmir Sopi, tha se ushtria serbe i hakmerrej civilëve të pafajshëm shqiptarë sa herë që pësonte humbje nga UÇK-ja, duke bërë një gjë të tillë në Makovc e Grashticë të Prishtinës, duke kryer masakra të tmerrshme.

Sopi: Mbështetja e popullit për UÇK-në e tmerroi ushtrinë serbe

“Nën flamurin e UÇK-së, të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Agim Ramadani e shumë heronj të tjerë organizuan kombin shqiptar anekënd botës në lutën e drejtë dhe të përgjithshme për çlirimin e vendit. Edhe bijat e bijtë më të mirë të Prishtinës dhe rrethinës së saj u rreshtuan në radhët e UÇK-së, duke marrë pjesë në të gjitha zonat e luftës. UÇK ka zhvilluar një luftë të drejtë e çlirimtare dhe është përballur me njësitë ushtarake e paramilitare serbe shumëfish më të mëdha në numër dhe të armatosur deri në dhëmbë, por përparësia ishte nga e UÇK-së, sepse ajo kishte moralin e lartë dhe përkrahjen e madhe të popullit tonë që e tmerroi armikun”, tha Sopi.

Ai theksoi se Kosovës nuk i duhet kërkim-falje nga kriminelët serbë që kryen krime të mëdha në vendit tonë.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta foli Naser Pacolli, i cili tha se ky vit jubilar shënohet falë luftës dhe sakrificës së UÇK-së dhe heronjve të saj, të cilët përherë do të kujtohen për veprën e tyre të madhe në shërbim të popullit dhe atdheut.

Pacolli: Dëshmorët mbeten udhërrëfyesi sublim i këtij populli

“Dëshmorët janë dhe do të mbeten udhërrëfyesi dhe ndërgjegjja më sublime e këtij populli që luftoi pareshtur për lirinë e këtij populli me dekada dhe shekuj. Ne brez pas brezi do të përulemi përherë para veprave të tyre sublime”, porositi ai. Në fund për të pranishmit u shfaq edhe një program kulturor-artistik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat