Kërkohet mos degradimi i parkut te varrezat e dëshmorëve

Prishtina

Kërkohet mos degradimi i parkut te varrezat e dëshmorëve

Më: 22 prill 2019 Në ora: 16:02
Banorët e lagjeve përreth parkut te Varrezat e Dëshmorëve në ‘Velani’ të Prishtinës kanë protestuar sot kundër degradimit të këtij parku

Banorët e lagjeve përreth parkut te Varrezat e Dëshmorëve në ‘Velani’ të Prishtinës kanë protestuar sot kundër degradimit të këtij parku dhe kanë kërkuar që kjo hapësirë të mos shndërrohet në varreza.

Me rastin e Ditës së Tokës, fëmijët e lagjeve përreth Parkut te Varrezat e Dëshmorëve në shenjë proteste kanë mbjellë një fidan dhe kanë kërkuar që parku të mos mbushet me varreza, por të jetë një hapësirë që iu dedikohet tërësisht atyre.

Leon Biçaku, një nga fëmijët që kishte dalë për të kërkuar që parku të mos degradohet, thotë se në këtë hapësirë duhet ndërtuar fusha sportive dhe krijuar hapësira gjelbëruese.

Biçaku: Jemi kundër çdo padrejtësie që i bëhet parkut tonë

“Ne jemi mbledhur sot këtu për të festuar Ditën e Tokës dhe për të treguar kujdesin dhe dashurinë tonë ndaj saj. Sot për Ditën e Tokës ne kemi dalë me ‘armët’ tona më të forta, me sinqeritetin tonë fëmijëror dhe me pafajësinë tonë për të treguar aftësinë për të dalë kundër çdo padrejtësie që i bëhet parkut tonë. Ne nuk duam që  vitin tjetër, po në këtë ditë, kur të dalim për Ditën e Tokës të jemi në një park pranë varrezave, por duam që të kemi hapësira të ndryshme për kreativitet për të zhvilluar imagjinatën tonë të pa kufij fëmijërore”, tha ai.

Leoni ka thënë se përkundër që janë të pakënaqur me gjendjen e parkut vazhdojnë ta shfrytëzojnë pasi është e vetmja hapësirë e gjelbër që ndodhet pranë vendbanimit të tyre.

Biçaku: Ne nuk jemi të kënaqur me gjendjen e parkut

“Ne nuk jemi të kënaqur me gjendjen e parkut, nuk jemi të kënaqur me situatën që e ka kapluar tashmë parkun tonë, por gjithsesi kemi dalë që ta shfrytëzojmë këtë pak hapësirë të gjelbër që na ka mbetur pa u degraduar, pa varre”, tha ai.

Ndërkaq, Liridon Llapashtica, në emër të banorëve, ka thënë se e kanë mbjellë një fidan me shpresën se do të ndalet degradimi i parkut.

Llapashtica: 4.4 hektarët të parkut të kthehen në gjelbërim

“Kjo është hera e tretë që banorët e lagjes mblidhen dhe shprehin  pakënaqësitë e tyre karshi degradimit të parkut. Ne besojmë shumë dhe shpresojmë që institucionet si komunale ashtu edhe ato qeveritare kanë resurse të nevojshme njerëzore dhe do të ndërmarrin masa karshi parkut. Ne kemi bërë peticion në numër të madh të banorëve, të cilat mandej janë prezantuar tek institucionet. Kemi informata që brenda institucioneve të Komunës vetëm kanë filluar të lëvizin gjërat për së mbari dhe shumë shpejt do të caktohet një parcelë e re për varrezat e qytetit dhe pastaj të fillojmë me procedurat tjera ku do të bëhet zhvarrosja dhe pastaj do të fillojmë projekte të tjera këtu në parkun e qytetit. Ne jemi që 4.4 hektarët të parkut të kthehen në gjelbërim dhe në hapësirë për rekreacion për fëmijët e kësaj ane”, tha ai.

Në anën tjetër, banori Fadil Cakolli ka treguar se dy djemtë e tij kanë frikë të dalin për të luajtur, duke thënë se varrezat nuk e kanë vendin në park ku luajnë fëmijët.

Cakolli: Këtu ka varre - ‘çohet’ dikush

“Unë i kam dy fëmijë këtu me vete, por kur i qes për të luajtur më thonë babi të lutëm eja me neve, i pyes pse dhe më thonë se këtu ka varre ‘çohet’ dikush. Tash ne si bashkësi lokale kemi me e bë një peticion dhe kemi me e pyet kryetarin e Komunës me leje të kujt kanë ardhur këta njerëz këtu. Nuk jemi kundër dëshmorëve të kombit, vetë jam luftëtar i UÇK-së, lavdi për secilin që ka vdekur për këtë tokë, por ne do ta pyesim kryetarin e Komunës të Prishtinës me leje të kujt po vijnë këta njerëz këtu. Nesër nipi im, ku ka luajtur këtu, a ka me hip përmbi varre”, tha ai.

Ndryshe, banorët e lagjeve përreth parkut te Varrezat e Dëshmorëve në ‘Velani’ të Prishtinës edhe më herët kanë mbajtur protesta duke kërkuar që parku të mos degradohet dhe të mos shndërrohet në varreza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat