Panairi i Karrierës synon që të bindë nxënësit të zgjedhin shkollat profesionale

Prishtina

Panairi i Karrierës synon që të bindë nxënësit të zgjedhin shkollat profesionale

Më: 27 prill 2019 Në ora: 15:17
Foto

Për tri ditë në Prishtinë është mbajtur “Panairi i Karrierës”, ku nxënësit e klasave të 9-ta të shkollave fillore kanë pasur mundësi të informohen për shkollat e mesme profesionale që janë në kryeqytet.

Qëllimi i “Panairit të Karrierës” është që nxënësit të informohen për shkollat profesionale dhe të orientohen nga aftësimi profesional, si një mundësi më e madhe për qasje në tregun e punës.

Në Qendrën e Karrierës në Prishtinë, tetë shkolla profesionale kanë prezantuar drejtimet që ato ofrojnë, kushtet dhe praktikat që ata i ofrojnë.

Lis Muriqi nxënës i klasës se 9-të në shkollën fillore “Gjergj Fishta”, së bashku me klasën e tij kishte ardhur për të vizituar “Panairin e Karrierës”, e që ky panair atij po i jepte mundësi që të shoh nga afër shkollat profesionale.

Lisi pasi vizitoi disa nga shkollat që prezantoheshin në panair, tha se më së shumti i kishte pëlqyer shkolla e mjekësisë.

Muriqi: Po na ofron mundësi t’i shohim shkollat se çka ofrojnë

“Ky organizim po më duket shume i mirë, për shkak se po na ofron zgjidhje që të mendojmë dhe të shohim shkollat për aftësimin tonë në shkolla të mesme, për zgjedhjen e profesioneve. Deri tash më pëlqej më së shumti shkolla e mjekësisë se edhe më pëlqejnë lëndët që i ofron shkolla”, u shpreh ai.

Panairin e ka vizituar edhe Tomor Rrafshi nga shkolla “Gjergj Fishta”, i cili thotë se një panair i tillë për nxënësit e klasave të 9-ta është shumë i nevojshëm.

Ai potencon se duke qenë se duhet të vendosin për të ardhmen e tyre, informacionet që po i merrnin në panair ishin shumë të rëndësishme.

Rrafshi: Po mund të mësojmë se çka ofrojnë shkollat

“Sot me klasën kemi ardhur të vizitojmë këtu, po më duket një ide shumë e mirë se ne po mund të shohim këtu cilën shkollë dëshirojmë të shkojmë, çka ka në atë shkollë”, tha ai.

Një nga shkollat që po prezantohej në “Panairin e Karrierës” është edhe shkolla e mjekësisë “Dr.Ali Sokoli”.

Nxënësja e kësaj shkolle, Vesa Ahmeti, që po e përfaqësonte shkollën e saj, tha se interesimi i nxënësve për të marrë informacione për drejtimet që i ofrojnë është shumë i madh.

Ahmeti: Ka pasur interesim shumë të madh të nxënësve

“Ne jemi shkolla e mesme e mjekësisë ‘Dr.Ali Sokoli’, këtu jemi duke e mbajtur këtë event për arsye që me i shpreh njohuritë tona të shkollës, me i shpreh të dhënat që i kemi, drejtimet që i kemi dhe dobitë e të mirat që i ka shkolla jonë... Sipas vizitorëve që i kemi pasur sot, nxënësve, ka pasur interesime mjaftë shumë”, u shpreh ajo.

Në panair është prezantuar edhe Shkolla teknike “28 Nëntori”, ku nxënësi i kësaj shkolle Altin Rexhepi, të gjithë nxënësve u ka prezantuar drejtimet dhe kushtet e praktikës që i ofrojnë si shkollë.

Rexhepi: Në shkollën tonë mbahet edhe praktika profesionale

“Në shkollën tonë janë pesë drejtime duke u nisur nga ndërtimtaria, arkitektura, gjeodezia, posta-telekomi dhe dizajni grafik. Në shkollën tonë mbahet edhe praktika profesionale ku nxënësit bëjnë konstruktime të ndryshme të kulmeve nga drejtimi i ndërtimtarisë, urave, shkallëve e shumë gjërave të tjera, ku e dimë se ndërtimtaria pa arkitekturë nuk mund të kryej punë shkaku se arkitektura e kryen planin ku ja lehtëson punën shumë më mirë ndërtimtarisë. Tre drejtimet që janë të lidhura njëra me tjetrën është ndërtimtaria, arkitektura dhe gjeodezia, ku njëra kryen punën e cila e ndërton objektin, arkitektura e kryen planin e asaj shtëpie, kurse gjeodezia e kryen matjen e shtëpisë... Interesimi është shumë i madh, shkaku që po e shohin se sa janë të vlefshme shkollat profesionale, tregu i punës është numër një tek shkollat profesionale dhe po ka interesim goxha të mirë”, ka treguar ai.

Në anën tjetër, Ridvan Islami, udhëheqës i Qendrës për Këshillim në Karrierë, ka thënë se ky është viti i dytë që organizohet ky panair dhe që ka interesim shumë të madh të nxënësve që të informohen për shkollat profesionale.

Islami: Ky panair e ka një qëllim për orientimin e të rinjve në shkollimin e mëtutjeshëm

“Ky panair e ka një qëllim për orientimin e të rinjve në shkollimin e mëtutjeshëm, në veçanti në shkollat profesionale. E dimë që klasat e 9-ta në përgjithësi nxënësit nuk kanë shumë informata rreth drejtimeve, profileve të këtyre shkollave dhe për të ardhur deri tek informatat i kemi ftuar të gjitha shkollat e mesme profesionale të Komunës së Prishtinës që të prezantojnë gjatë këtyre tri ditëve sa zgjatë panairi, që të kenë mundësi nxënësit të shohin se çka ofrojnë këto shkolla, cila është infrastruktura e këtyre shkollave, cilat janë drejtimet e këtyre shkollave dhe se çka duhet për të qenë pjesë e këtyre shkollave”, është shprehur ai.

Sipas tij, ky panair do t’i ndihmojë nxënësit që të zgjedhin shkollat profesionale që pastaj të kenë një mundësi më shumë që të qasen në tregun e punës. 

Islami: Numri i nxënësve që presim gjatë këtyre tri ditëve është mbi 1 mijë nxënës

“Numri i nxënësve që presim gjatë këtyre tri ditëve është mbi 1 mijë nxënës, të cilët në mënyrë të organizuar vijnë dhe është bërë në këtë mënyrë të organizuar që cdo 30 minuta me ardhë një klasë, ta mbajë një sesion informues dhe pastaj të vizitojnë panairin dhe të kenë mundësinë të bashkëbisedojnë me nxënësit që prezantojnë këto shkolla...Numri i shkollave që prezantohen është 9, përfshi edhe një platformë e cila është për orientim në karrierë që quhet ‘Busulla.com’ dhe 8 shkolla profesionale të cilat paraqesin dhe prezantojnë shkollat e tyre”, tha ai.

Në panair janë prezantuar shkolla "Dr Ali Sokoli", "Hoxheë Kadri Prishtina", "28 Nëntori", "Gjin Gazulli", "7 Shtatori", "Prenk Jakova", "Abdyl Frashëri" dhe "Shtjefën Gjeqovi".

“Panairi i karrierës” ka filluar që nga 24 prilli dhe është organizuar nga Qendra e Karrierës-në kuadër te Drejtorisë se Planifikimit dhe Zhvillimit te Qëndrueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat