Banorët e një lagje në kryeqytet të rrezikuar nga ujërat e zeza

Prishtina

Banorët e një lagje në kryeqytet të rrezikuar nga ujërat e zeza

Më: 29 prill 2019 Në ora: 10:54
Lagjja Taslixhe

Banorët e lagjes Taslixhe e kanë të vështirë të dalin në oborr apo t’i mbajnë dritaret hapur gjatë këtyre ditëve kur kanë filluar temperatura të rritën për shkak të kundërmimit që u sjellin ujërat e zeza që po u kalojnë afër shtëpive.

Më së shumti këtë problem po e kanë banorët dhe bizneset që veprojnë në rrugën  që mban emrin “Shpëtim Robaj”, rrugë kjo që të shpie në parkun e Gërmisë.

Banori i kësaj lagje, Ymer Havolli thotë se rrjedhja e ujërave të zeza është një problem i kamotshëm me të cilën po ballafaqohen këta banorë, por që presin zgjidhje sa më shpejt.

Havolli: Çështja e fekaleve të hedhura në rrjedhën e Gërmisë problem

“Për një kohë të gjatë çështja e fekaleve të cilat janë hedhur në rrjedhën e ujit të pastër në Gërmi ka qenë problem edhe për banorët dhe për qytetarët që kanë dal me shëtitur në këtë pjesë deri në parkun nacional të Gërmisë...Në kohën e verës është jashtëzakonisht e rëndë edhe për banorët edhe për studentët edhe për bizneset që janë këtu afër”, tha ai.

Image

Kalimi i ujërave të zeza që rrjedhin  në ujin e pastër të Gërmisë problem e ka edhe Elmie Mustafa, e cila tha se në këtë drejtim komuna e Prishtinës nuk po ndërmerr asgjë dhe kështu po u rrezikon shëndetin e banorëve.

Mustafa: Ndotja e ujit dhe era po paraqesin pengesë për ne

“Është pengesë kjo ndotje e ujit dhe era dhe të gjitha...Shpesh herë që dalim në Gërmi për të kaluar kohën e lirë është pengesë... Diçka nuk është ndërmarrë, nuk është bërë ndonjë farë intervenimi edhe ka mbetur kështu siç ka qenë“ tha ajo.

Image

Erërat që po kundërmojnë në këtë pjesë mjaftë të frekuentuar të kryeqytetit po e vështirësojnë edhe fushë veprimtarinë e shumë bizneseve.

Bahri Brahimi, pronar i njërës nga mobilieritë në këtë lagje, tha se me ngritjen e temperaturave kundërmimi është bërë edhe më i madh.

Ai kërkoi që të ndërmerren masa më të shpejt në zgjidhjen e këtij problemi i cili po rrezikon shëndetin e qytetarëve.

Brahimi: Nëse nuk ndërmerret asgjë do e kemi problem gjatë verës

“Vetëm është fillimi i kohës që po nxehet edhe definitivisht kjo ka me na shkaktua edhe shumë problem në të ardhmen nëse nuk ndërmerret diçka këtu është bajagi shumë keq...Kisha kërkuar nga institucionet të marrin ndonjë hap që sa më parë me eliminua këtë problem...Rrezikohet shumë edhe shëndeti jonë, edhe njerëzit që e frekuentojnë këtë anë, edhe fëmijët shoh unë çdo ditë dhe është shumë në gjendje të mjerueshme”, tha ai.

E sipas Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” bëhet e ditur se në rrugën “Shpëtim Robaj” komuna e Prishtinës ka nisur disa punime për zgjerim të rrjetit të kanalizimit.

Këtë e ka thënë përmes postës elektronike zëdhënësja e KRU-së “Prishtina”, Arjeta Mjeku, e cila tha se vetëm brenda një muaji kanë debllokuar 307 puseta.

“Në rrugën "Shpëtim Robaj' në Prishtinë, komuna e Prishtinës ka filluar punimet në  zgjerimin e rrjetit të kanalizimit dhe janë duke e bërë kyçje në rrjet të shumë banimeve në afërsi...Ne si ujësjellës i mirëmbajmë pusetat e ujërave të zeza, ku vetëm brenda një muaji kemi debllokuar 307 raste në Prishtinë“, thuhej në këtë porosi elektronike.

KosovaPress për javë të tëra ka tentuar të marrë një përgjigje nga komuna e Prishtinës për këtë çështje, por këtë të fundit nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë që komuna e Prishtinës shpesh ballafaqohet me mbyllje të pusetave për  shkak të rrjetit të vjetruar të kanalizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat