Komuna e Prishtinës diskriminon qytetarët jo rezident

Prishtina

Komuna e Prishtinës diskriminon qytetarët jo rezident

Më: 1 maj 2019 Në ora: 11:33
Organizata INPO

Organizata INPO shpreh shqetësim të thellë lidhur me nismën e komunës së Prishtinës për ndryshimin e tarifave shëndetësore për qytetarët jo rezident dhe kundërshton rritjen e tyre.

Kuvendi komunal i Prishtinës në mbledhjen e katërt të rregullt pritet të shqyrtoj propozim- vendimin për ndryshimin e tarifave shëndetësore për qytetarët jo rezident të komunës së Prishtinës, duke i rritur trefish më shumë të gjitha shërbimet e kujdesit primar shëndetësor. Ky vendim bie ndesh me vlerat kushtetuese, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin për Shëndetësinë si dhe udhëzimet administrative që rregullojnë çështjen e tarifave dhe ngarkesave për shërbime shëndetësore.

Propozim-vendimit në fjalë nuk i është bashkëngjitur dokumenti përcjellës i cili shpjegon arsyet dhe shkaqet që kanë ndikuar për t’u ndryshuar tarifat e shërbimeve shëndetësore për qytetarët jo rezident të Prishtinës. Po ashtu, nuk është prezantuar se cili do të jetë përfitimi i komunës së Prishtinës në rast të ndryshimit të kësaj politike.

INPO vlerëson se ky propozim-vendim bie ndesh me këto ligje dhe udhëzime administrative:

Ligji 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi ndalon veprimet apo mosveprimet diskriminuese të institucioneve shtetërore dhe lokale dhe në veçanti në aspektin e mbrojtjes shëndetësore. Në nenin 2, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.5, të këtij ligji në mënyrë taksative thuhet se “Ky ligj zbatohet për të gjitha veprimet apo mosveprimet, të të gjitha institucioneve shtetërore dhe lokale, në të gjitha fushat e jetës, e posaçërisht që kanë të bëjnë me: mbrojtjen sociale, përfshirë skemën e ndihmës sociale, sigurimin social dhe mbrojtjen shëndetësore”.

Ligji nr. 04/L-125 për Shëndetësinë përcakton parimet e kujdesit shëndetësor, ndërsa propozim vendimi në fjalë bie ndesh me këto parime, respektivisht me parimin e gjithëpërfshirjes dhe jo diskriminimit. Në nenin 5, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 në mënyrë të qartë proklamon barazi në shërbimet shëndetësore në të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore, duke garantuar standarde gjatë përmbushjes së kërkesave në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, si dhe sigurim i kujdesit shëndetësor pa diskriminim.

Udhëzimi Administrativ nr.04/2007, për Mbledhjen dhe Shfrytëzimin e Mjeteve nga Bashkëpagesat e Shfrytëzuesve të Shërbimeve Shëndetësore dhe të Hyrave Vetanake të Institucioneve Shëndetësore, ka caktuar tarifat për shërbimet shëndetësore edhe të nivelit primar shëndetësor me qëllim kryesor mos diskriminimin dhe unifikimin e këtyre tarifave në tërë Republikën e Kosovës.

Organizata INPO u bënë thirrje anëtarëve të kuvendit komunal që të mos votojnë këtë vendim diskriminues dhe të kundërligjshëm dhe të kujdesën që të gjitha aktet komunale që miratojnë të jenë në frymën e ligjit dhe interesit të përgjithshëm të qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat