Dje e theri me thikë, por para 2 muajsh D.B ia kishte bërë një kërcënim të rëndë mësueses së vajzës

Prishtina

Dje e theri me thikë, por para 2 muajsh D.B ia kishte bërë një kërcënim të rëndë mësueses së vajzës

Më: 1 maj 2019 Në ora: 15:02
Shkolla

Mëngjesin e së martës shkolla fillore “7 Marsi” në Prishtinë është tronditur nga një incident. Një nënë ka plagosur me thikë mësuesen e djalit të saj, duke i shkaktuar kështu plagë të rënda. Me gjakftohtësi, D.B theri me thikë tri herë mësuesen, të cilës fillimisht i tha se dëshiron të konsultohet diçka me të. Gjithë këtë ngjarje e tregon drejtoresha e shkollës, Shpresa Gashi.

Kishte nisur ditën në punë si çdo herë tjetër, por mësuesja Vlora Paci nuk do të mundi ta zhvillonte mësimin me nxënësit e saj të nivelit parashkollor. Pesë minuta para se të fillonte mësimin, ajo u sulmua me thikë nga nëna e një nxënëseje të saj, e nga ky sulm mbeti e shtrirë në QKUK.

Drejtoresha e shkollës “7 Marsi”, Shpresa Gashi, tregon se si ndodhi incidenti. Ajo thotë se asnjëherë më parë nuk ka pasur ankesë nga nëna B.D drejtë mësueses, apo nga ndonjë prind tjetër.

Madje Gashi thotë se kjo nënë e ka pasur edhe një fëmijë tjetër në klasën e mësueses Paci para 5 vitesh.

 “As në mënyrë verbale as në formë të shkruar nuk ka pasur asnjëherë vërejtje nga ai prind, por as nga ndonjë tjetër. Fëmijën e saj të parë e ka mësuar para 5 vitesh dhe ja ka besuar edhe fëmijën e saj të dytë”, thotë Gashi.

Mirëpo, B.D para dy muajsh po del ta ketë kërcënuar mësuesen Paci, ani pse kjo e fundit nuk e kishte marrë si të tillë.

“Nuk ka pasë ndonjë konfrontim, përveç kur kanë pasë me i mbjellë lulet me 8 mars,  i ka thënë ta kam sjellë një të plastikës dhe të gjallë kam me ta sjellë te koka, por mësuesja nuk e ka marrë si kërcënim”, tregon drejtoresha Gashi.

Gashi tregon se D.B dje i kishte thënë mësueses Paci se dëshiron të konsultohet për diçka, dhe mësuesja ka shkuar për të biseduar me të.

E në momentin që të dyja kanë qenë afër njëra-tjetrës, e dyshuara ka nxjerrë një thikë me të cilën i ka shkaktuar tri plagë mësueses, e këtë drejtoresha thotë ta ketë bërë me gjakftohtësi.

“Dje i ka thënë hajde se kam me u konsultu veç dy fjalë me ty, pastaj si i është afruar e ka kapë për koke dhe e ka sulmu me një thikë diku rreth 60-70 centimetra siç e kam parë me sy.  Për fat një prind tjetër ka qëlluar afër dhe ja ka ngrehë dorën e nuk e ka lënë me e lëndu më shumë. Edhe punëtori teknik ja ka dredhuar dorën dhe ja ka largu thikën. Plagën më të madhe e ka pasë në bark, dy plagë më të vogla një në anën  e mëlçisë dhe njërën përfundi lukthit njërën në anën. Thika ka qenë si sharrë jo e mprehtë. Policia dhe mjekët kanë ardhë shumë shpejtë dhe falë intervenimit të tyre të shpejtë mësuesja ka shpëtuar”, thekson Gashi.

Ndërkaq e tërë ngjarja ishte zhvilluar në sy të dy fëmijëve të vegjël, aty ishin vajza e gruas që e sulmoi mësuesen dhe vajza e gruas që i ndihmoi asaj.

Drejtoresha bën të ditur se prindërit nuk kanë hyrë asnjëherë në shkollë, përveç në rastet kur kanë qenë të ftuar nga mësimdhënësit. Ajo thekson se nuk ka pasur asnjëherë incidente të tilla në shkollën “7 Marsi”, e ky i fundit i ka tronditur të gjithë.

Pas këtij rasti, Gashi thotë se do t’i shtojë masat e sigurisë në shkollë, duke bërë kështu që nxënësit çdo herë të dorëzohen nga prindërit dhe të pranohen nga mësimdhënësit në prani të punëtorëve teknik.

Ndërkaq bashkëshorti i mësueses Vlora Paci, Mehedin Neziri, ka thënë se ky rast nuk është shqetësim vetëm për të dhe familjen e tij por është shqetësim i përgjithshëm.

“Sigurisht është shqetësim edhe për mua si bashkëshort i saj, por edhe shqetësim i përgjithshëm, por nuk besoj që ka pasur ndonjë problem. Po thonë se është rast.. ka probleme psikike. Rasti është në polici. Tash do ta shohim…Ashtu po flitet. Qysh ka mund të jetë, është mirë. Sigurisht që është shqetësuese, si të besojmë tash që nuk mund të ndodhë prapë”, ka thënë Neziri.

Pas incidentit, B.D është arrestuar të martën nga policia, ndërkaq ende nuk është caktuar ndonjë masë ndaj saj.  Me rastin po merret Policia e Kosovës dhe hetuesia.

Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës vetëm në dy vitet e fundit kanë ndodhur mbi 1 mijë incidente nëpër shkollat e vendit ose përreth tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat