Ismaili: Një PDK e fortë, që shtrihet në gjithë Prishtinën

Prishtina

Ismaili: Një PDK e fortë, që shtrihet në gjithë Prishtinën

Më: 12 maj 2019 Në ora: 15:51
Pamje nga takimi

Uran Ismaili ka kërkuar besimin për Kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë, në Kuvendin Zgjedhor që po mbahet sot, pasi procesi zgjedhor i zhvilluar muajve të fundit ka rezultuar me shtrirjen e kësaj partie në çdo pjesë të kryeqytetit.

Ai ka thënë se tani PDK mbulon hapësirën e gjithë Prishtinës dhe është me pranë qytetarëve, ndërsa numri i lartë i anëtarëve të rinj dhe ardhjet e reja tregojnë se edhe qytetari i Prishtinës është më afër PDK-së. “Si njeri që aspiratat politike i ka të lidhura krenarisht me Partinë Demokratike të Kosovës dhe jetën në dashuri me Kryeqytetin, unë kam marrë përsipër një angazhim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Të jem Kandidat për Kryetar të PDK-së në Prishtinë”, ka deklaruar Ismaili.

“Ndjej nevojën që Prishtina dhe PDK-ja të ndërtojnë një marrëdhënie të re mes tyre, që PDK-së ia jep një identitet të ri, kurse Prishtinës vëmendjen që meriton”, ka shtuar ai. Uran Ismaili, i cili është edhe

Nënkryetar i PDK-së dhe Ministër i Shëndetësisë, ka vlerësuar se me këtë proces zgjedhor ka filluar edhe një ridefinim radikal i marrëdhënies mes PDK-së dhe Prishtinës. “Nën Platformën e Dekadës së Re, të dizajnuar dhe udhëhequr nga Kryetari Kadri Veseli, një raport më intensiv dhe më dinamik mes qytetarit dhe PDK-së është duke zënë vend gjithandej në Kosovë. Për këtë arsye, PDK ka themeluar shumë nëndegë afër qytetarëve të Prishtinës, ndërkohë që qytetarët e Prishtinës nuk kanë qenë kurrë më të hapur dhe më të interesuar për të parë dhe dëgjuar se çfarë mund t’u ofrojmë atyre”, ka thënë Ismaili.

Ai ka pohuar se 75 nëndegët e formuara gjatë këtyre ditëve përbëjnë numrin më të madh të nëndegëve që PDK ka pasur ndonjëherë në Prishtinë.

“Vullneti i fortë i partisë sonë, i kalitur në luftën çlirimtare dhe i formësuar në shumë fitore të zgjedhjeve, është dëshmi dhe frymëzim yni për të qenë parti e parë në Prishtinë. Ky kuvend, prezenca e juaj, puna juaj dhe mijëra aderime, shënojnë një pikë kthese në rrugën tonë politike në Prishtinë. Prova të këtij mobilizimi janë qindra takime me këshilla inicues e mijëra qytetarë që iu përgjigjën thirrjes sonë”, është shprehur Ismaili para qindra delegatëve të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të Degës së PDK-së në Prishtinë.

Më tutje, ai ka thënë se tani ka një PDK të fortë që shtrihet në gjithë Prishtinën, një PDK që është inkluzive në shtrirje dhe më demokratike në vendimmarrje, dhe e cila është më e gatshme për të luftuar degradimin e Prishtinës dhe më vitale për t’u përballur me këdo që shtyn përpara degjenerimin e saj.

“Prishtina ka shumë probleme dhe pak zhvillim. Ka shumë defekte dhe pak vizion. Ka shumë kokëçarje dhe pak ide për ta nxjerrë atë nga humnera e trafikut të paralizuar urban, nga kaosi arkitekturor që ka lënë shumë dritare pa rreze të diellit, nga vrazhdësia e betonit që ka shtypur brutalisht çdo hapësirë të gjelbër, nga ajri i ndotur që shkurton jetë dhe nga shëmtia e mbeturinave që na turpëron. Ky është realiteti i dhimbshëm për secilin që merr frymë në Prishtinë, për çdo fëmijë dhe të rritur, për çdo person dhe familje, për çdo çift dhe shtëpi. Prishtina nuk mund të vazhdojë më kështu. Ajo i ka të gjitha atributet për zhvillim të madh. Gjendja aktuale e Prishtinës nuk është e drejtë dhe duhet të ndryshohet. Partia Demokratike e Kosovës do ta krijojë një klimë që i hap rrugë ndryshimit të madh”, ka deklaruar Ismaili.


Ismaili ka thënë se Platforma e Dekadës së Re është zgjidhja për Kryeqytetin dhe ajo do të jetësohet, ndërsa ka shtuar se Prishtina meriton më mirë dhe PDK mund të ofrojë e punojë më shumë.

“Ky edhe është synimi i Dekadës së Re për Prishtinën. Një transformim i PDK-së dhe i Prishtinës. Një periudhë e re plot përkushtim, vëmendje e përmirësim”, është shprehur ai.

Fjalimi i plotë i kandidatit për Kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili:

Përshëndetje të pranishëm delegatë, aktivistë dhe anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës! Është kënaqësi e madhe dhe nder i veçantë të jem sot këtu - përballë dhe përkrah jush. Partia Demokratike e Kosovës është shumë krenare me ju, për faktin se organizuat një proces masovik të brendshëm zgjedhor. Kuvend pas kuvendi, lagje pas lagje dhe fshat pas fshati kontribuuat në zhvillimin e një demokracie të brendshme shembullore. Mijëra anëtarë dhe aktivistë nuk u lodhën për asnjë moment, në mënyrë që formimi i strukturave të partisë sonë të ecte sipas planit. Dhanë shumë nga vetja, që PDK të shtrihet suksesshëm në çdo pjesë të qytetit tonë. Përkushtimi i anëtarësisë së gjerë, urtësia dhe mençuria e anëtarëve me përvojë dhe energjia e shumë aderimeve të reja e cilësore në këtë proces, janë garanci se jemi në rrugën e duhur.

Falë sinergjisë së krijuar nga eksperienca dhe entuziazmi, tani PDK mbulon hapësirën e gjithë Kryeqytetit. Dhe, jemi më pranë qytetarëve. Numri i lartë i anëtarëve të rinj është dëshmi se ky afrim nuk ka qenë trafik i njëanshëm. Ardhjet e reja tregojnë se edhe qytetari i Prishtinës është më afër PDK-së. Me këtë proces zgjedhor ka filluar edhe një ridefinim radikal i marrëdhënies mes PDK-së dhe Prishtinës. Nën Platformën e Dekadës së Re, të dizajnuar dhe udhëhequr nga Kryetari Kadri Veseli, një raport më intensiv dhe më dinamik mes qytetarit dhe PDK-së është duke zënë vend gjithandej në Kosovë. Për këtë arsye, PDK ka themeluar shumë nëndegë afër qytetarëve të Prishtinës, ndërkohë që qytetarët e Prishtinës nuk kanë qenë kurrë më të hapur dhe më të interesuar për të parë dhe dëgjuar se çfarë mund t’u ofrojmë atyre. 75 nëndegët e formuara gjatë këtyre ditëve përbëjnë numrin më të madh të nëndegëve që PDK ka pasur ndonjëherë në Prishtinë. Numri dhe formati i tyre janë shtylla të një modeli që rrit pjesëmarrjen e qytetarëve të Prishtinës në procese politike dhe që rrit hisen e tyre të vendimmarrjes. Këto janë arritje të një ndërmarrësie të madhe, e cila nuk do të ishte e mundur pa angazhimin dhe përvojën e njerëzve që për dy dekada ndërtuan një marrëdhënie të veçantë mes PDK-së dhe Prishtinës. Falënderoj strukturat e PDK-së në Prishtinë, gjeneratë pas gjenerate, për aktivitetin e tyre për Partinë Demokratike të Kosovës dhe për Kryeqytetin. Një falënderim të veçantë për Kryetarët e deritashëm, sidomos për Lirakun që sot e kemi këtu. Të nderuar delegatë, këto zgjedhje të brendshme janë përpjekje për të mësuar nga përvojat e kaluara dhe mobilizuar çdo potencial e kapacitet për fitoret e së ardhmes. Vullneti i fortë i partisë sonë, i kalitur në luftën çlirimtare dhe i formësuar në shumë fitore të zgjedhjeve, është dëshmi dhe frymëzim yni për të qenë parti e parë në Prishtinë. Ky kuvend, prezenca e juaj, puna juaj dhe mijëra aderime, shënojnë një pikë kthese në rrugën tonë politike në Prishtinë. Prova të këtij mobilizimi janë qindra takime me këshilla inicues e mijëra qytetarë që iu përgjigjën thirrjes sonë. Si asnjëherë më parë, ju keni dërguar sinjalin se organizimi i PDK-së në Prishtinë dhe Dega në Prishtinë do të jetë model i organizimit. Të dashur anëtarë të PDK-së, Përveç faktit që po ndryshon raporti mes PDK-së dhe Prishtinës, po ndryshon edhe raporti mes Degës së PDK-së në Prishtinë dhe Qendrës së PDK-së. Ashtu sikur mobilizimi ynë, edhe vëmendja që Qendra pat për Degën e Prishtinës, këtë herë ishte e paprecedent. Puna juaj në terren aktivizoi mbështetjen e Qendrës. Në një dinamikë dialektike, gjatë gjithë kohës njëra forconte tjetrën. Rezultatet janë të mrekullueshme. Një PDK e fortë që shtrihet në gjithë Prishtinën.

Një PDK që është inkluzive në shtrirje dhe më demokratike në vendimmarrje. PDK tani është organikisht më e fortë, më kohezive dhe më unike. Tani, PDK është më e gatshme për të luftuar degradimin e Prishtinës dhe më vitale për t’u përballur me këdo që shtyn përpara degjenerimin e qytetit tonë. Prishtina ka shumë probleme dhe pak zhvillim. Ka shumë defekte dhe pak vizion. Ka shumë kokëçarje dhe pak ide për ta nxjerrë atë nga humnera e trafikut të paralizuar urban, nga kaosi arkitekturor që ka lënë shumë dritare pa rreze të diellit, nga vrazhdësia e betonit që ka shtypur brutalisht çdo hapësirë të gjelbër, nga ajri i ndotur që shkurton jetë dhe nga shëmtia e mbeturinave që na turpëron. Ky është realiteti i dhimbshëm për secilin që merr frymë në Prishtinë, për çdo fëmijë dhe të rritur, për çdo person dhe familje, për çdo çift dhe shtëpi. Prishtina nuk mund të vazhdojë më kështu.

Ajo i ka të gjitha atributet për zhvillim të madh. Gjendja aktuale e Prishtinës nuk është e drejtë dhe duhet të ndryshohet. Partia Demokratike e Kosovës do ta krijojë një klimë që i hap rrugë ndryshimit të madh. Të nderuar delegatë, Si njeri që aspiratat politike i ka të lidhura krenarisht me Partinë Demokratike të Kosovës dhe jetën në dashuri me Kryeqytetin, unë kam marrë përsipër një angazhim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Të jem Kandidat për Kryetar të PDK-së në Prishtinë. Ndjej nevojën që Prishtina dhe PDK-ja të ndërtojnë një marrëdhënie të re mes tyre, që PDK-së ia jep një identitet të ri, kurse Prishtinës vëmendjen që meriton. Platforma e Dekadës së Re është zgjidhja për Kryeqytetin dhe së bashku mund ta jetësojmë atë. Nga ju, kërkoj përkrahje për ta vazhduar mobilizimin dhe forcimin e PDK-së në Prishtinë. Të punojmë bashkë për një PDK që do t’i mbajë dyert e hapura për secilin qytetar të Prishtinës. Që motivet individuale t’i kthejmë në mobilizim kolektiv për të mirën e qytetit tonë. Vullneti për ta ndryshuar rrënjësisht qytetin tonë mund të shndërrohet në forcë kolektive vetëm nëse ne punojmë krah-për-krah, hap-pas-hapi, ditë-për-ditë dhe derë-më-derë. Prishtina meriton më mirë, kurse ne mund të ofrojmë e punojmë më shumë.

Ky edhe është synimi i Dekadës së Re për Prishtinën. Një transformim i PDK-së dhe i Prishtinës. Një periudhë e re plot përkushtim, vëmendje e përmirësim. Të nderuar delegatë, Sot jam para jush si Kandidat për Kryetar të Degës së Prishtinës dhe kërkoj besimin tuaj, votën tuaj, që të vazhdojmë punën e nisur muaj më parë. Të vazhdojmë me misionin tonë për t’i dhënë fund agonisë që është imponuar nga qeverisjet e dështuara për shumë vjet në Prishtinë. Të hapim zyre të reja nëpër lagje dhe fshatra, që të afrohemi edhe më shumë me qytetarin. Të kalojmë në nivelin tjetër, ku përmes debateve racionale, t’i energjizojmë dhe shtojmë radhët tona. Kërkoj mbështetjen tuaj, për ta krijuar një mjedis ku planet tona për Prishtinën nuk mbesin vetëm dëshira. Pakënaqësitë, peripetitë, shpresat dhe dashuria e prishtinasve për qytetin e tyre duhet të shndërrohen në një ndërmarrësi të madhe të PDK-së të përbashkët me qytetarin, për Prishtinën. Frustrimet e shpërndara në pjesë të ndryshme të qytetit do të adresohen në zyrat e PDK-së. Qytetarëve të harruar nga qeverisjet e deritashme, do t’u afrohemi dhe do t’i ftojmë që edhe ata ta bëjnë hapin e tyre drejt dyerve tona të hapura dhe bashkërisht ta mundësojmë ndryshimin.

Lagjet tona do të shndërrohen në hapësira ku ndryshimi pozitiv zë vend, ku qytetarë të veçantë angazhohen në projekte të përbashkëta, ku pakënaqësitë individuale shndërrohen në aspiratë kolektive. Nga brendia e qytetit, në lagjet periferike e deri në fshatra, Partia Demokratike do ta etablojë veten si adresa e vetme dhe më e mirë e ndryshimit të Prishtinës. Unë jam i gatshëm, që së bashkë me ju, qytetit tonë t’ia japim më të mirën. Andaj, kandidatura ime, sa është kërkesë e besimit për të udhëhequr, aq është edhe lutje që bashkë me ju t’i shërbejmë Prishtinës me dashurinë, energjinë dhe vëmendjen që e meriton. Ju faleminderit!
 

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat